KOMANDO vrau truprojën e biznesmenit Ervis Martinaj, Artan Hoxha: Politikanët të përfshirë në këtë histori

Publikuar tek: aktualitet, më 14:40 05-10-2018 KOMANDO vrau truprojën e biznesmenit Ervis Martinaj, Artan Hoxha: Politikanët të përfshirë në këtë histori Artan Hoxha, gazetar

“Politikanët në këtë histori kanë njohje nga të gjitha anët.” Kështu u shpreh gazetari investigativ Artan Hoxha në  Report Tv lidhur me ngjarjen në zonën e ish-bllokut që tronditi mbrëmë Tiranën.

Sipas informacionit zyrtar të policisë, viktima është Fabiol Gaxha (truprojë) ndërsa dy të plagosurit janë Ervis Martinaj (Biznesmen) dhe Eljon Hato. Ndërkaq, janë shpallur në kërkim 3 persona, mes të cilëve i dashuri biznesmen i Elvana Gjatës, Ervin Mata 31 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu janë shpallur në kërkim Fabio Allushi dhe Merviol Bilo.

POR SI NDODHI NGJARJA? Artan Hoxha ka rrëfyer dinamikën dhe ka zbardhur detaje të hollësishme për personazhet e përfshirë në këtë ngjarje:

“Lokali është i përshtatur për takime intime, larg syve të publikut. Personat që kanë ndenjur janë politikanë, biznesmenë, personazhe të rëndësishëm të jetës publikë, analistë.

Në lokal, klientela nuk është e zakonshme. Lokali, kamerat e jashtme i ka të forta por kamerat e brendshme nuk janë cilësore, unë di që është në një pozicion kamera aty mesa kam parë me sy.

Fillimisht ka ardhur biznesmeni Vis Martini, i shoqëruar me një grup personash. Ky biznesmen i fuqishëm në industrinë e lojërave të fatit, lëviz i shoqëruar. Ka ardhur aty me rrjet shoqëror, ka hyrë në lokal në pjesën e brendshme, janë ulur te tavolina e madhe, u është shërbyer verë. Gotat janë të paprekura. Kjo dëshmon se ngjarja ka ndodhur sapo janë ulur. Përballë kanë pasur njerëz të tjerë. Në momentin që 4 persona janë ulur, një i pestë, Vis Martini ka qenë në banak me pronarin e lokalit. Në lokal kanë hyrë 4 persona, këtë dëshmojnë kamerat. Ata persona janë thirrur për të hyrë në atë lokal, në atë moment ka patur konflikt fizik, një nga viktimat Fabian Gaxha, ka patur një konflikt fizik me autorin e dyshuar Merviol Bilo.

Kemi të bëjmë me një konflikt për motive banale por nga informacionet e mia, prokuroria ka një sërë pistash, nuk ka përjashtuar pistat e tjera. Është fakt që personat që kanë hyrë në lokal janë thirrur, a janë bashkë a kanë njohje do e thonë hetimet.

Kur kanë hyrë ata kanë patur një konflikt me Gaxhën. Efektivi i Komandos Merviol Bilo, pjesë e beretave të kuqe që simbolizojnë gjakun. Bilo, sapo ka konstatuar se Gaxha ka armë, ka hapur zjarr ndaj tij. Pistoleta që është gjetur aty dyshohet se është pistoleta e Fabian Gaxhës që ka qëlluar vetëm një herë. Ai nuk arriti të qëllonte për herë të dytë. Numrin e serisë kjo pistoletë e ka të fshirë, për mos ta identifikuar armën në ngjarje të ndryshme që mund të jetë përdorur. Mbi atë armë janë shenjat e Gaxhës . Nga krahu tjetër, oficeri komando ka hapur zjarr. 10 gëzhoja janë në vendin e ngjarjes, një nga Fabian Gaxha e 9 të tjera janë të armës së komandos, një pistoletë ‘Glock’ shumë në modë, e sigurtë, e shpejtë. Kjo lloj arme ka patur edhe një modifikim, që qëllon më shpejt se zakonisht por personi që duhet ta përdorë duhet të jetë i stërvitur dhe në rastin konkret ishte komandoja, i stërvitur se ka qëlluar në kokë dhe në gjoks, një njeri që e ka instikt, e ka fituar këtë aftësi duke e mësuar veten në stërvitje. Viktima ka predhë në kokë, predhe në gjoks, Eljon Hato ndërkohë,  e ka plumbin në kokë dhe në gjoks. Ky nuk mund të artikulojë por urojmë të shpëtojë. Plumbi tjetër ku është goditur Ervis Martinaj, biznesmeni, është në qafë. Dyshohet të ketë shkuar në tualet se në vendin e ngjarjes ka gjurmë gjaku nga banaku në tualet.

Pas ngjarjes ata persona janë larguar, është gjetur një motor te kopshti botanik. Policia ka sekuestruar kamera gjithandej, autorët janë larguar me motor , e në këmbë, njëri dyshohet se ka marrë taksi. Arma e krimit nuk është gjetur në vendin e ngjarjes. Duhet ekspertiza balistike që të dëshmojë nëse kjo armë është pjesë e forcave tona të armatosura dhe oficeri e ka përdorur jashtë shërbimit.

Asnjë prej tyre s’duhet ta ketë me vete. Por nuk dihet a është kjo a është një armë tjetër.

Lokali është pa dritare, në atë orë, blloku është plot. Menjëherë është ofruar ndihma e parë. Një BMË X5 ka transportuar biznesmenin Ervis Martinaj i cili është jashtë rrezikut për jetën..

Aty ka qenë edhe një Audi, e errët. E vecantë është që si ka mundësi ish- efektivë të forcave operacionele të policisë, kanë ndërhyrë, një për të transportuar të plagosurin, një ka penguar policinë, të dy janë ndaluar, një punon në Durrës, një në Lezhë.

Janë njerëz të cilët janë stërvitur, trajnuar me paratë e taksapaguesve për ta mbrojtur qytetarin nga krimi, si është e mundur që pjesëtarë të këtij niveli të ndodhen në këto situata”, tha Hoxha.

PËRFSHIRJA E ELVANA GJATËS:

“Unë di që janë në kërkim edhe persona të tjerë vec atyre që ka thënë policia. Personat e përfshirë në këtë ngjarje janë shumë, kanë baza, biznese, zyra, ende të paidentifikuara nga policia ndaj ka kaq shumë trupa të përfshirë në operacion.

Është e vërtetë që zonjusha është shoqëruar në polici për të dhënë dëshmi në polici. Ajo ka qenë në ato ambjentet e lokalit por unë s’marr përsipër të them që ka ndodhur për shkak të saj.

Ajo ka dhënë deklarime. Ne s’mund të themi me bindje kush është motivi i ngjarjes se backgroundi i personave të përfshirë në ngjarje është shumë i madh, që nga konfliktet, borxhet, fajdet etj...”

PËRFSHIRJA E POLITIKANËVE:

“Në spital kam parë truproja të rëndësishme të politikanëve. Se pse i kanë sjellë atje nuk e di. Ka dhe elementë tjetër që thonë se ka një të plagosur por nuk e dimë. Mbetet për t'u parë cfarë plage ka marrë dhe cfarë nevoje për mjekim ka ajo plagë. Këta njerëz janë me një të kaluar të mëparshme, kanë lidhje të forta me funksionarë shtetërorë.

Ai qytetari dixhital (Sali Berisha) sot ka heshtur. Si ka mundësi? Kush ia ka qepur gojën, ai e di. Kjo ngjarje duhet urgjentisht të zbardhet, të hetohet, të gjenden motivet edhe për përfshirjen e forcave të policisë së shtetit.

Biznesmeni në fjalë mund të ketë mbi 1 mijë punonjës, ka biznese, është taksapagues, personi tjetër, biznesmeni tjetër, (Ervis Mata) është në të njëjtën situatë.”

Politikanët në këtë histori kanë njohje nga të gjitha anët.”

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.048563003540039
array(1) { ["section"]=> string(111) "komando-vrau-truprojen-e-biznesmenit-ervis-martinaj-artan-hoxha-politikanet-te-perfshire-ne-kete-histori-136746" }