Komisioneri publik kërkon rihetim të gjyqtares së Gjirokastrës Irena Brahimi, mungesë të parave të ligjshme për blerjen e një shtëpie dhe biznesi

Publikuar tek: aktualitet, më 06:30 24-10-2020 Komisioneri publik kërkon rihetim të gjyqtares së Gjirokastrës Irena Brahimi, mungesë të parave të ligjshme për blerjen e një shtëpie dhe biznesi Gjyqtarja e Apelit të Gjirokastrës, Irena Brahimi

Komisioneri Florian Ballhysa kërkoi rihapjen e hetimit për të tre kriteret e vlerësimit për gjyqtaren e Gjirokastrës Irena Brahimi, ndërsa ia lë në dorë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të vendosë në përfundim të hetimit nëse gjyqtarja duhet të mbahet në detyrë apo duhet të shkarkohet.

Sipas Ballhysës, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) nuk ka vlerësuar drejt mungesat e burimeve të ligjshme për vitet 2007 dhe 2008 të parave me të cilat gjyqtarja Brahimi bleu një apartament dhe një njësi shërbimi në Gjirokastër, si dhe nuk ka hetuar në thellësi pretendimet e saj për kursime familjare.

Gjyqtarja Brahimi ka punuar në gjykatën e shkallës së parë dhe atë të apelit në Gjirokastër që nga viti 2001 ndërsa mori konfirmimin në detyrë në korrik pasi arriti të bindë trupën gjykuese në KPK për pasaktësitë dhe mungesën e burimeve.

Problemet kryesore të vërejtura nga KPK lidheshin me blerjen e një pasurie në vitin 2008 të përbërë nga një apartament dhe një njësi shërbimi, për të cilat, KPK vërejti mungesë burimesh të ligjshme por jo në përmasa të tilla sa të mjaftonin për shkarkimin e saj nga detyra. Burimet e saj për blerjen e pasurisë konsistonin në 2.3 milionë lekë kursime personale dhe një hua e marrë privatisht me interes në masën 30 mijë euro.

“Komisioneri Publik, nga verifikimi i akteve, vlerëson se hetimi i Komisionit mbi burimet e ligjshme, që kanë shërbyer për krijimin e pasurive të paluajtshme […] nuk paraqitet i plotë,” shkroi komisioneri Ballhysa në ankimimin e tij. Sipas Ballhysës, analiza e KPK për të vlerësuar mundësinë e familjes për të kursyer shumën 2.3 milionë lekë për blerjen e apartamentit është i paplotë dhe se bashkëshortit të subjektit nuk i është kërkuar dokument justifikues për të ardhurat e tij nga paga.

Komisioneri konsideron gjithashtu të përciptë hetimin që ka kryer KPK mbi faktin që fëmijët e subjektit janë arsimuar në shkolla private në Shqipëri dhe në Britaninë e Madhe, për të cilët, subjekti ka deklaruar se njëri prej fëmijëve ka marrë bursë për shkollimin në masën 60% në Shqipëri dhe fëmija tjetër ka marrë bursë në masën 100% për shkollimin në Britaninë e Madhe por ka mbuluar vetë shpenzimet për jetesë dhe strehim. Sipas komisionerit, KPK ka marrë si të mirëqena deklarimet e subjektit pa verifikuar ekzistencën apo jo të bursave të marra si dhe nuk ka llogaritur shpenzime për udhëtimet në Britaninë e Madhe.

“Komisioneri Publik, marrë në konsideratë informacionin mbi kostot e larta të studimeve, kryesisht në Mbretërinë e Bashkuar, vlerëson si të nevojshëm administrimin e dokumentacionit ligjor justifikues lidhur me: (i) bursat e përfituara nga këto institucione; (ii) tarifat e shkollimit, akomodimit dhe (iii) shpenzimet e jetesës, në mënyrë që të konkludohet mbi mundësinë financiare të subjektit të rivlerësimit për të mbuluar me burime të ligjshme shpenzimet dhe kursimet e kryera për vitet 2014-2016, pasi rezulton se këto shpenzime janë një zë i konsiderueshëm në analizën financiare për këtë periudhë,” thuhet në dokumentin e ankimimit.

“Komisioneri Publik çmon se është i nevojshëm zhvillimi i hetimit në funksion tëkontrollit të ligjshmërisë të burimeve financiare, që kanë shërbyer për mbulimin e shpenzimeve të realizuara për periudhën 2014-2016,” shkruan më tej komisioneri.

Gjyqtarja Brahimi jeton me pagën e saj si gjyqtare, pagat e bashkëshortit në sektorin publik dhe në një laborator mjekësor privat si dhe të ardhurat nga dhënia me qira e një mjedisi në Gjirokastër./BIRN

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Plane për fundjavë?! Moti me surpriza për sot dhe nesër (Parashikimi)
U shoqërua forcërisht në Polici, ish-deputeti kaubojs i shkruan Ramës: Pjerin Ndreu i tha efektivëve ‘mos lejoni njerëz të padëshiruar’, ata më kapën... »
Article Logic
Execution time: 0.0044970512390137
array(1) { ["section"]=> string(151) "komisioneri-publik-kerkon-rihetim-te-gjyqtares-se-gjirokastres-irena-brahimi-mungese-te-parave-te-ligjshme-per-blerjen-e-nje-shtepie-dhe-biznesi-224947" }