Komisioni i Sigurisë rrëzon dekretin e Presidentit Ilir Meta për Policinë e Shtetit. Anëtarët e e tij kanë votuar kundër në mbledhjen e sotme duke rrëzuar pretendimet e Metës.
Sipas Metës, ligji për Policinë e Shtetit i propozuar nga mazhoranca krijon shteg për gjurmimin dhe survejimin e qytetarëve dhe kundërshtarëve politikë në funksion të zgjedhjeve të 25 prillit 2021. Në mbledhjen e sotme të Komisionit ka marrë pjesë dhe këshilltari i Metës, Bledi Dervishaj, i cili ka pasqyruar dhe njëherë gjithë pretendimet e kreut të shtetit.
Gjithashtu, në arsyet për kthimin në Kuvend të ligjit Meta liston se ai:
1- shkel parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, duke cënuar pavarësinë kushtetuese të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
2- Bie ndesh me parime të rëndësishme që qëndrojnë në themelet e shtetit të së drejtës të përcaktuara ngë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, që lidhen me grancitë për ruajtjen e privatësisë;
3- Rrezikon ta kthejë Policinë e Shtetit në një organ që gjurmon qytetarët jashtë një procesi penal dhe kontrollit të organeve të drejtësisë, dhe ta vërë nën presionin qeveritar gjatë fushatës dhe procesit zgjedhor, nën urdhrat e vullnetit politik, duke cenuar edhe pavarësinë operacionale të saj;
4- Shkakton trajtim të pabarabartë dhe pasiguri për vendin e punës, për punonjësit e Policisë së Shtetit, duke sanksionuar lëvizjen e tyre në pozicione të tjera, edhe pa miratim paraprak, me pasojë humbjen e përftimeve që kanë prej statusit të veçantë për shkak të detyrës.
Kundër socialistëve dhe në mbështetje të këshilltarit të Metës ka dalë dhe deputeti Myslim Murrizi, i cili ka thënë se afërsia nga zgjedhjet bën që këto propozime të mazhorancës të kompromentohen.
Duke qenë se ligji është votuar më herët dhe kur i shkoi Metës për miratim ai e ktheu, me votimin e sotëm propozimi i socialistëve do t’i kalojë Komisionit të Ligjeve e më pas për rivotim në Kuvend. Sipas këtij propozimi, Policia e Shtetit ka të drejtën të mbikqyrë qytetarët pa marrë më herët aprovim nga organet e drejtësisë.