Fatmir Mediu, kreu i Partisë Republikane, çon në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Komitetit Teknik të Ekspertëve për ndalimin e tubimeve politike.
Për mediat, Mediu ka thënë se ky vendim duhet të rrëzohet nga Kushtetuesja pasi krijon pabarazi politike dhe ndihmon në manipulimin e zgjedhjeve.
“Vendimi për ndalimin e aktiviteteve politike bie ndesh me Kushtetutën, krijon pabarazi politike në një kohë që jemi në proces zgjedhor. Partive politike u mohohet kjo e drejtë dhe më problematike është mungesa e barazisë. Sot kemi përcjellë në Gjykatës Kushtetuese një kërkesë për të hedhur poshtë një vendim që ndihmon manipulimin që tashmë ka filluar në mënyrë të njëanshme dhe të qëllimshme”, tha Mediu nga Kushtetuesja.
Kujtojmë se, sipas vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve, për Covid-19, ndalohen tubimet politike dhe grumbullimet mbi 10 persona në ambient të hapur dhe të mbyllur.