Kompania nga Hong Kongu vetëofrohet për të mbledhur TVSH-në në Shqipëri

Publikuar tek: aktualitet, më 17:34 08-11-2015 Kompania nga Hong Kongu vetëofrohet për të mbledhur TVSH-në në Shqipëri

Një kompani e huaj private i ka paraqitur Qeverisë shqiptare propozimin për të marrë me koncesion administrimin e sistemit për mbledhjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, si dhe të drejtën për të organizuar të ashtuquajturën lotari të kuponëve.

"TCh" ka mësuar se kompania quhet “Em post” dhe vjen nga Hong Kongu.

Koncesioni është një propozim i pa kërkuar. Pra jo ide e qeverisë, por një mundësi e identifikuar nga vetë kompania private. Në thelb të propozimit qëndron ngritja e një sistemi të posaçëm kompjuterik, i cili do të regjistrojë në kohë reale çdo transaksion që ngarkon tatim mbi vlerën e shtuar, pra çdo kupon apo faturë tatimore që lëshohet gjatë transaksioneve biznes me biznes, apo biznes me konsumator final.

Paralelisht, sistemi gjeneron dhe të ashtuquajturën lotari tatimore, pra lojën promocionale, e cila synon të nxisë qytetarët të tërheqin kuponin, duke i shpërblyer me çmime të ndryshme.

Burime i thanë Top Channel se, mbledhja e TVSH-së do të vazhdojë të kryhet nga administrata tatimore dhe baza mbetet vetë-deklarimi i bizneseve. Por, sistemi kompjuterik që do të ngrejë kompania private, do të shërbejë si pjesa logjistike dhe inteligjente e administrimit të kësaj takse. Kjo do të thotë se, çdo vetë-deklarim TVSH-je i bizneseve do të kryqëzohet me informacionin e regjistruar në sistemin kompjuterik, për të zbuluar deklaratat e rreme.

Propozimi i kompanisë është i tillë, që investimi për ngritjen e sistemit kompjuterik dhe shpenzimet për funksionimin e tij të financohen nga shteti, ndërsa ajo të marrë një përqindje të caktuar mbi rritjen e arkëtimeve nga TVSH-ja, si shpërblim për njohuritë dhe administrimin e sistemit. Por, sipas burimeve nga Financa, Qeveria duket se do të kërkojë të tjera kushte.

Së pari, atë që investimi dhe shpenzimet operative të përballohen nga kompania dhe, së dyti, tarifa e shpërblimit të saj të jetë gjysma e çdo të ardhure shtesë që do të mblidhet nga TVSH, mbi normën mesatare të rritjes së viteve të fundit. Pra, nëse gjatë viteve të fundit rritja mesatare e të ardhurave nga TVSH ka qenë rreth 11 për qind në vit, kompania fillon e merr shpërblim, nëse të ardhurat rriten mbi këtë normë.

Nëse rritja e tyre rezulton më e ulët sesa 11 për qind, atëherë pagesa që merr privati është sa 1/10-a e investimit të tij. Qeveria ka nisur një aksion të gjerë kundër informalitetit, i cili pritet të rrisë deklarimet dhe të ardhurat nga TVSH-ja mbi normën mesatare, çfarë mund të jetë një avantazh për kompaninë.

Nga ana tjetër, vitet e fundit, Shqipëria ka koncesionuar në seri një sërë të drejtash dhe shërbimesh publike në fushën fiskale, të cilat kanë hapur debate të nxehta politike, por edhe mes ekspertëve, mbi efektet në ekonomi.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Katastrofa e ndotjes së detit? Edhe Golemi i mbytur nga plehrat kërkon shpëtim (Foto)
Zjarr në masivin pyjor të Vermoshit, dorëzohen zjarrfikëset: E pamundur ndërhyrja »
Article Logic
Execution time: 0.013085126876831
array(1) { ["section"]=> string(77) "kompania-nga-hong-kongu-veteofrohet-per-te-mbledhur-tvsh-ne-ne-shqiperi-24970" }