Kongresi i PBDNj-së, që të përfitojë politikisht vetëm Dule

Publikuar tek: analiza-komente, më 10:09 05-07-2016 Kongresi i PBDNj-së, që të përfitojë politikisht vetëm Dule

Nga Panajot Barka

Më 2 korrik, kryetari prej 13 vjetesh i PBDNj-së Vangjel Dule, thirri në Tiranë kongresin e partisë së tij. Në aparencë dhe nga menyra si u përcollë në publik, kongresi përbën një ngjarje rutinore politike të një partie me një fushë veprimi me shumë rendësi siç janë të drejtat e njeriut, por me aksione të rëna. Në thelb kongresi i PBDNj-së përbën një tregues shqetësues i realiteve të brendshme në këtë parti, por, edhe i relatave ndërpartiake në rrethanat aktuale politike në vend, edhe të raporteve të kësaj partie dhe të shtetit me minoritetin etnik grek, edhe të marrëdhënieve Shqipëri- Greqi sidomos pas vizites së fundit të ministrit të jashtëm Grek në Tiranë, Nikos Kotzias etj.  

Kongresi u thirr me nxitim nga kryetari i vet Dule. U thirr si kongres programor, por qëllimi imediat dhe i pashpallur i tij ishte rikonfirmimi i Dulës në krye të Partisë së vet për një mandat të paparashikuar në statut. Ky fakt provokon me të drejtë një  shqetësim serioz. Nuk mundet që kryetari i një partie me mision politik mbrojtjen e të drejtave të njeriut të kthehet në kampion i shkeljës së parimeve demokratike në funksionimin e vet kësaj Partie. Mbledh kongresin. Nga programor të deklaruar, e kthen në zgjedhor personalisht të dëshiruar. Delegatët që u ftuan të votojnë nuk ishin të paktën produkt i zgjedhjeve në bazë që përbën “alfen” e demokracisë së brendshme. Ishin miq e shokë të mbetur në rradhët e partisë së personalizuar të Dulës. Ndryshon me ta statutin e partisë për të fituar të drejtën e rizgjedhjës  kryetar dhe sa hap e mbyll sytë ai rizgjidhet pa asnjë kandidat rival.  Pranon publikisht se e gjithe përgjegjesia për tkurrjen e Partisë është personalisht e tija. Por me nje propagandë gebeliste, i fton ata që zboi të kthehen “në shtëpinë e tij”, kur ai e ka rizenë me formën më antidemokratike kreun e partisë.

Kongresi i Dules, pavaresisht deklaratave të bëra, se në drejtim të respektimit të të drejtave të minoritetit etnik grek janë bërë hapa prapa, asnjë gjë konkrete nuk denoncoi. Ai doli në pozitat e njohura se “qeveria duhet të bëjë ligje dhe të marrë masa për respektimin e të drejtave të minoritetit”. Ndërkohë që harroi se për 15 vjet ishte në qeverisje, ai kujtohet për minoritetin dhe të drejtat e tij sa herë i duhet të forcojë pozitat dhe përfitimet e veta politike. Edhe në këtë kongres, Dule, në emër të minoritetit, mori rolin e viktimës. Në fund kongresi i tij i mbylli punimet pa asnjë dokument, notë proteste, rezolutë kongresi për të drejtat e minoritetit etnik grek, të minoriteteve të tjera në vend apo të të drejtave të njeriut në përgjithësi. Në këtë kuadër mbëtet pa përgjigje pyetja që i shtrohet vazhdimisht Dulës. Cilën çeshtje të minoritetit grek ka marrë në mbrojtje ai dhe partia e tij. Për cilën çeshtje të këtij minoriteti ai kishte një platformë, një propozim, një zgjdhje?! Përse ai është krenar që është minoritar kur në katër mandate deputet nuk u votua nga ky minoritet?!

 Eshtë e vërtetë se Kongresi i Dulës i thirr kur problemet e minoritetit në terrësi dhe anërëve të tij me drejtesinë, qeverinë, apo privatët u shpeshtuan së fundmi, madje në çeshtje fontamentale. P.sh Dule thirri Kongresin kur në Himarë, bastioni i patriotizmit të Dulës që kur erdhi në krye të PBDNj, ndodhën incidente të renda.  Dule në kongres nuk u prononcua, por u fsheh pas gishtit, ose pas ligjerimit të paadresuar.

Por, vërtet çfarë po ndodh në Himarë? Kush janë ata trimosha dhe në emër të kujt kanë dalë për të ndaluar të flitet greqisht në Himarë? Pa tjetër që me këtë ngjarje vendoset një lidhje me deklaratën e Ministrisë tonë të Jashtme se nuk ka minoritet grek në Himarë. Megjithatë Dule nuk dënjon as t’u kujtojë se çeshtja e ndërgjegjës kombëtare është çeshtje vetëdeklarimit personal dhe jo çeshtje vendimi apriori e shtetit, e përfaqësuesve të tij apo veglave të tij. Nëse ka apo jo minoritet etnik grek në Himarë, apo anëtarë të tij, duhen pyetur vetë himariotët në kushte normale, pa ndikime, pa presione. Të flasësh në emër të tyre, aq më tëpër kundër vullnetit të tyre dhe për një çeshtje kaq madhore, kjo është shkelje e rendë e kushtetutës dhe e akteve ndërkombëtare që mbrojnë lirinë e shprehjës dhe të vetdeklarimit të identitetit.

Së dyti, Dule nuk guxon të thotë se kush i autorizoi këta pesona që t’i ndalojnë Himariotët të kërkojnë të drejtat e tyre pronësore?  Kryeministri i vendit na zbuloi para do kohësh se me makinacione nga më të ndryshme u grabiten në Himarë dhe në gjithë Bregdetin  nga 15 -50 mijë hektarë tokë me të cilën fle deti. U grabiten nga njerez që deri sa u bënë pronarë të kësaj toke nuk e kishin parë detin me sy. (Himarën në atë kohë e drejtonte krahu i djathtë i Dules). Por sot Himariotet janë prapë në këmbë në mbrojtje të të drejtave të tyre pronësore. Akuzojnë qeverinë dhe kreun e ri të Bashkisë. Por nuk kanë me vete as Dulën e as strukturat e tij. Kjo për faktin se zyrtarisht nuk është parë asnjë qëndrim politik, asnjë denoncim ndaj qeverisë, në strukturat përgjegjëse apo në organizma ndërkombëtare. Në këto rrethana, të furnizosh me lajme Ministrinë e Jashtme Greke për të bërë ajo deklarata shtypi, kjo e ka emrin hipokrizi dhe deheroizëm. Ky qëndrim i Dulës i jep të drejtë qëndrimit kolektiv në Shqipëri se minoriteti grek i gëzon të gjitha të drejtat deri në diskriminim pozitiv. Lëjon mbështetësit e këtyre qëndrimeve të bëjnë sikur harrojnë faktin se Greqia ka tanimë në Shqipëri edhe anëtarë të minororitetit etnik grek, edhe nënshtatas grek, gjë që askush nuk mund t’i mohojë të drejtën e mbrojtjës së interesave të tyre në Shqipëri, dhe se ky fakt kursesi nuk përbën ndërhyrje në punë të brendshme.

 Nga ana tjetër, kryetari i Bashkisë së Himarës ka versionin e tij mbrojtës. Perse Dule dhe strukturat e e tij nuk ulën me të për të biseduar, por i kanë shpalllur apriori  luftë. Eshte vërtetuar se kurdoherë që është ulur me kryetarin e bashkisë Himarë, është gjetur dhe zgjdhja e duhur. Ndoshta edhe ai ndodhet nën presionin qeveritar, apo dhe të strukturave të tjera. Por perse nuk i ofrohet mbështetje politike atij, por i shpallet luftë?! Mos vallë edhe në këtë rast Dulës i shkon përshtat egzistenca e problemeve dhe jo zgjidhja e tyre? Mos vallë kjo është një mënyrë për të mbuluar ato vrima të zëza që njerëzit e tij politikë i shkaktuan Himarës në kohën e pushtetit të tyre?

Por Dule, në Kongres nuk i doli në krah as homologut të tij në OMONIA që akuzoi me fakte se si grabiten me mijra hektarë tokë në minoritet me ndihmën e organëve shtetërore e të drejtësisë dhe dhunës. Dule heshti, ndoshta për të shmangur edhe përgjegjësitë e strukturave të tij për këtë baterdi. Por, një situatë e tillë i dha dorë Kryeminisrit i pranishëm dhe aktor në Kongresin e Dulës, të atakojë rendë sistemin e drejtësisë. Dhe e bëri këtë për të dalë atje ku ai donte, te sigurimi i votave për votimin e reformës në drejtësi. Kryeministri foli gjatë për këtë çeshtje, por në lidhje me problemin e rendë që ka minoriteti,  Rama harroi argumentin e tij themelor kundër drejtësisë. Ai akuzon drejtesinë si të kapur nga politika. Por në rastin e grabitjeve pasurore  në  minoritetit del, sipas tij, se kjo drejtesi nuk eshte e kapur nga politika?!

Me këtë kongres Dule, përveç se garantoi pa asnjë rezistencë dhe me manipulime postin e lidershipit në Partinë e vet, arriti edhe një sukses tjetër. Maksimalizoi votën e vetme të partisë së tij në Parlament. Rama, Basha, Meta treguan hapur interes, jo për partinë e Dulës, por për votën e tij për reformën. U duk qartë se kjo e detyroi Dulen të ndryshonte edhe konceptin e fjalimit të tij në këtë kongres. Të bënte barkë shpetimi që mund ta heq nga bregu i vetmisë politike, fjalën e magjishme “konsensus”... Por fillimisht të ishte sa më fluidë për problemet e minoritetit etnik grek. Në thelb, një pazar politik në kurriz të interesave të minoritetit grek me përfitues Dulen.

Së fundi, si veprim anësor i këtij pazari ishte edhe evidentimi në kongresin e Dulës (dhe aspak në programin politik të kongresit të Dulës) i nëvojës për zbaticë në pretendimet shqiptare në marrëdhëniet me Greqinë. (Në fakt Dule, për të qenë i mirëpritur në palën shqiptare, bëri me faj të dy qeveritë aktuale). Situata të kujton gjithashtu edhe periudhën fill pas festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Antihelenizmi në atë kohë ishte bërë i vetmi mjet që siguronte lavdinë e përvjetorit në të gjitha nivelet. Por sapo ranë telat nga Evropa dhe SHBA-ja, retorika nacionaliste shterroi me thikë. Diçka e ngjashme duket se pasoi pas së njëjtës retorikë që i parapriu vizitës së Ministrit të Jashtëm Grek në javën e parë të muajit që kaloi. Në Kongresin e Dulës kjo u reflektua, por Dule nuk ishte as shkaku, as pasoja e kësaj krthese, e aq më pak katalizatori dhe faktori për shtytje pozitive në këto marrëdhënie. Dule edhe në këtë rast doli ne pozita perfituesi.../NEWSBOMB.AL

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.027838945388794
array(1) { ["section"]=> string(64) "kongresi-i-pbdnj-se-qe-te-perfitoje-politikisht-vetem-dule-45556" }