Vijon zbatimi i planit të masave për rritjen e sigurisë së qytetarëve nga të gjitha Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës. Intensifikohen kontrollet në terren dhe club-et e natës, tallava për persona me precedentë penalë, në kërkim apo për sende të kundraligjshme.
Policia kontrolloi 120 mjete dhe u shoqëruan 25 shtetas për verifikim 16 prej tyre ballerina. Kontrollet janë ushtruar në 7 lokale ku këndohet tallava.
Efektivet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës në bashkëpunim me Efektivet e Komisariatit të Policisë Durrës dhe Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor, kanë vijuar gjatë ditës së djeshme deri në orët e para të mëngjesit të sotëm, zbatimin e planit të masave, me qëllim mbajtjen nën kontroll të situatës kriminale, kapjen e personave në kërkim, sekuestrimin e sendeve të kundraligjshme si armë, lëndë narkotike, në kuadër të rritjes së rendit dhe sigurisë së qytetarëve.
Po ashtu, arrestohen në flagrancë tre persona, ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim dhe procedohet në gjendje të lirë një shtetas tjetër.
Në kuadër të masave të ndërmarra janë ngritur pika kontrolli në akset rrugore dhe është ushtruar kontroll territori në qendër dhe zonat periferike të qytetit.