Kontrolli ushqimor, AKU bllokon dhe gjobit 3 biznese me miliona lekë (DETAJE)

Publikuar tek: aktualitet, më 16:05 19-08-2019 Kontrolli ushqimor, AKU bllokon dhe gjobit 3 biznese me miliona lekë (DETAJE)

Autoriteti Kombëtar ka bllokuar 3 subjekte ditën e sotme pasi iu gjetën një sërë shkeljesh ligjore në liçensim dhe tregtim të mallrave të konsumit.

Ato janë gjobitur në total me 2.9 milionë lekë dhe janë bllokuar për moszbatim të rregullave të tregtimit ushqimor dhe mbrojtjes së konsumatorit.

Njoftimi i AKU-së


Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon kontrollet e njëpasnjëshme për monitorimin e zbatimit të ligjit në të gjithë operatorët e biznesit ushqimor, në funksion të mbrojtjes së shëndetit të konsumatorëve dhe garantimit të sigurisë ushqimore në vend. Nga kontrollet e ushtruara, rezultoi se 3 operatorë të biznesit ushqimor ushtronin aktivitetin në kundërshtim me kërkesat ligjore, më konkretisht:


1.Subjekti “Syrja Sinani” me aktivitet “Pastiçeri”, Lushnjë, rezultonte se vijonte të operonte në treg i papajisur me licencën përkatëse, në kushtet ku pajisja me licencë i ishte refuzuar për shkak të mosplotësimit të kërkesave ligjore për disponimin e saj. Për ushtrim të aktivitetit duke mos disponuar licencën përkatëse, trupa inspektuese vendosi masën administrative “Gjobë” me vlerën 1,000,000 lekë, si dhe “Ndërpreje e menjëhershme e aktivitetit”.


2.Në subjektin “Qemal Alem Kasneci” me aktivitet “Minimarket ushqimor”, Tiranë, u evidentua se përpara derës hyrëse qëndronte një mjet i palëvizshëm, i cili shërbente për tregtimin e ujit të pijshëm. Pranë QKB, subjekti ka deklaruar aktivitetin si “Tregtim me pakicë të artikujve ushqimore, tregtim të ujit me bote, transport dhe shitje uji derë-më-derë”, aktivitet për të cilin ka deklaruar dy mjete, por që asnjëra prej tyre nuk përkonte me mjetin që ndodhej përpara subjektit. Kushtet higjeno-sanitare të mjetit ishin të papërshtatshme, nuk dispononte regjistra të pastrimit të botit të ujit, raport analiza mikrobiologjike dhe as sistemin e gjurmueshmërisë. Për shkeljet e konstatuara, trupa inspektuese mori masat e mëposhtme:

a) “Gjobë” me vlerën 300,000 lekë (mungesë të kushteve higjeno-sanitare),

b) “Gjobë” me vlerën 200,000 lekë (mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë),

c) “Gjobë” me vlerën 200,000 lekë (veprim në kundërshtim me përgjegjësite e operatorit të biznesit),

d) ”Ndërprerje e menjëhershme e aktivitetit” (tregtim i ujit të pijshëm).


3.Subjekti “IMT Albania” me aktivitet “Njësi prodhimi dhe tregtimi buke, prodhime brumi dhe pastiçerie”, Tiranë, rezultoi se tregtonte produkte me afat të kaluar përdorimi (miell, lëndë e parë pastiçerie), në produktet e konstatuara kishte prani insektesh, si dhe një sërë produktesh ishin të paetiketuara (xhelatina dhe zbukurime të ngrënshme, kakao, arrë kokosi). Sistemi i vetëkontrollit HACCP nuk ishte i plotë (produkti akullore, i cili është me risk të lartë, u konstatua i padokumentuar), si dhe nuk dispononte sistemin e gjurmueshmërisë. Për shkeljet e konstatuara, trupa inspektuese mori masat e mëposhtme:

a) “Gjobë” me vlerën 500,000 lekë (hedhje në treg të produkteve të pasigurta për konsum),

b) “Gjobë” me vlerën 200,000 lekë (moszbatim i planit/manualit të veëtkontrollit),

c) “Gjobë” me vlerën 200,000 lekë (mungesë e sistemit të gjurmueshmërisë),

d) “Gjobë” me vlerën 200,000 lekë (veprim në kundërshtim me përgjegjësitë e operatorit të biznesit)

e) “Gjobë” me vlerën 100,000 lekë (etiketim të produkteve në kundërshtim me kërkesat ligjore),

f) “Bllokimi i produkteve” për produktet me afat të kaluar përdorimi me qëllim asgjesimin e tyre, si dhe produkteve të paetiketuara deri në etiketimin e tyre konform kërkesave ligjore​.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.047867059707642
array(1) { ["section"]=> string(81) "kontrolli-ushqimor-aku-bllokon-dhe-gjobit-3-biznese-me-miliona-leke-detaje-175798" }