Koronavirusi, ky trim mbi trima...

Publikuar tek: analiza-komente, më 17:04 07-07-2020 Koronavirusi, ky trim mbi trima...

Nga Freard Rista

Deri në momentin kur në vendin tonë nuk ishte raportuar asnjë rast zyrtar me koronavirus, shqiptarët fryheshin si gjel kokosh dhe shumësyrësh nëpër mejhane dëgjoje shprehje të tipit "nuk vjen virusi tek ne se ka frikë", "në Labëri do e presim me pushkë", "nuk infektohemi ne se kemi bërë vaksinën e tuberkulozit", "edhe po na zuri do e kalojmë me raki e hudhra".

Në fakt asnjë nga këto nuk funksionoi. Virusi erdhi tek ne ashtu siç bëri thuajse në çdo shtet të botës. Sapo u konfirmua rasti i parë me Covid-19, qeveria jonë mori masa dhe urdhëroi mbylljen e menjëhershme. Mijëra persona u futën në karantinë të detyruar, gjë e cila mesa duket rezultoi e efektshme.

Në rrugë kishte postblloqe kudo, madje doli edhe ushtria me makina të blinduara për të mbikqyrur situatën. Raste kishte, vdekje kishte, por sporadike. Kësisoj, erdhi momenti që edhe ne si çdo shtet në botë të hapemi, pasi ekonomia kishte marrë tatëpjetën.

Hapja u bë me dy faza, 11 maj e para dhe 18 maj hapja e madhe. Vetëm lokalet e dasmave nuk u hapën. Që nga kryeministri e deri tek doktori më i thjeshtë, thirrja ishte e njejtë "silluni sikur e keni virusin, mbani distancën, respektoni masat, vendosni maska, lani duart" e të tjera këshilla të ngjashme. Mirëpo, kanë kaluar 50 ditë që nga hapja e madhe, dhe situata nuk është përmirësuar, përkundrazi.

Shqiptarët mesa duken ngatërruan hapjen me zhdukjen e virusit. Ndërsa më parë mbanim maska e vendosnim doreza, takonim grushtet e bërrylat, tani as maska nuk mbajmë e as grushtet nuk takojmë. Përkundrazi, e japim të gjithë pëllëmbën e dorës dhe e përplasim më fort se zakonisht. "pauuu", dëgjohet shuplaka, "ku je më lali". Thua se virusi iku. Sot, nëse i zgjat grushtin një miku, të sheh si për gjynah dhe të thotë "jepe më dorën tamam si burrat se le nam, s'ka më virus", dhe pauuu dëgjohet shuplaka. Ti vihesh në siklet dhe e respekton vendimin e mikut për t'u takuar si ngahera. Epo kaq mjafton dhe mund ta marrësh virusin. E shpërndan më pas në familje, në punë e kudo.

lokali.jpg

Kafet ishin problem i madh në vendin tonë. Disa nuk donin as bukë as ujë, as punë e as vaksinë, vetëm kafet të hapen. Ja u hapën dhe kafet, por kamarieri e mban maskën tek gusha. A thua se virusi vjen nga atje. Shkon rinia në kafe, por pa maska, se s'ka si ta pijë kafen me maskë. As distanca nuk respektohet, e kështu virusi qarkullon "për shtatë palë qejfe". Në një kohë kur pritet që rinia, e ardhmja e vendit të jetë e para që jep shembullin pozitiv, ndodhë e kundërta.

looko.jpg

lok.jpg

 

Në të gjithë botën është tashmë e ditur se të moshuarit janë më të rrezikuar, por ata përsëri shihen nëpër lulishte duke luajtur domino, pa mjete mbrojtëse e pa respektuar distancën. "Unë i mbusha ditët", "nuk më gjen gja mua", thonë pensionistët.

plaku.jpg

Po mirë more, kaq "trima" jemi ne shqiptarët?

Ndoshta nuk kemi dhe faj. Po të shohësh të parët e shtetit, që nga një anë bëjnë thirrje për respektim masash, e nga ana tjetër zhvillojnë takime qytet më qytet pa i respektuar ato, të vjen në mendje ajo shprehja "bëj si them unë po mos bëj si bëj unë". Kaq duam ne, një shembull, e bëjmë kurban dhe i lajmë duart. A thua se virusi e merr parasysh këtë dhe të fal.

rama.jpg

Kryeministri ynë vizitoi Kosovën dhe për dy ditë takoi të gjithë liderët politikë atje, por pa maskë. Ndërkohë që Kosova mbajtjen e maskës e kishte dhe e ka ende të detyruar. Gratë socialiste pas mbledhjes në Vlorë me temë "përfaqësimin gjinor në politikë", para kamerave mbanin distancën dhe vendosnin maskat, ndërsa pas kuintave u mblodhën në kafe 14 veta, në 20 metra2, pa distancë e pa maska.

kafe.jpg

Edhe lideri i opozitës nuk mbetet mbrapa. E vetmja masë që merr ai kur zhvillon takimet me qytetarët apo sipërmarrësit, është takimi i brrylit.

basha.jpg

Bën habi fakti që gjatë karantinës, policët në rrugë ishin të gjithë me maska e doreza, tani vetëm tabelë kanë. Nga ana tjetër, nëpër spitale, atje ku duhej të ishte shembulli më i mirë i përballimit të virusit, po infektohen vetë mjekët për shkak se refuzojnë mbajtjen e maskave apo dorezave.

Situata sa vjen e përkeqësohet, kemi rekorde të infektuarish dhe maksimumi ka arritur 4 vdekje në 24 orë. Nëse vazhdohet kështu rrezikojmë mbylljen. Kështu tha doktor Skënder Brataj para pak ditësh në një emision televiziv. Kur të mbarojnë të gjitha resurset spitalore, kur të zihen të gjithë shtretërit, do të mbyllemi se s'do kemi ç'të bëjmë. Lus Zotin të mos ndodhë një gjë e tillë, megjithëse kjo nuk është punë lutjeje.

Çdokush nga ne duhet të kuptojë se ky virus prek dhe shëndetin dhe ekonominë. Dy gjëra pa të cilat nuk bëjmë dot se janë të lidhura pandashmërisht me njëra-tjetrën. Kësisoj, pa qenë tepër vonë, duhet t'i thërrasim mendjes, të dëgjojmë e respektojmë këshillat e mjekëve, me shpresën se ditë më të mira do të vijnë për të gjithë.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0097510814666748
array(1) { ["section"]=> string(37) "koronavirusi-ky-trim-mbi-trima-213146" }