KQZ i rrëzoi garuesin e Beratit, Patozi: Shkelët kushtetutën, ja kush na i kërcënon kandidatët (PARALAJMËRIMI PËR QEVERINË)

Publikuar tek: politike, më 16:28 23-05-2019 KQZ i rrëzoi garuesin e Beratit, Patozi: Shkelët kushtetutën, ja kush na i kërcënon kandidatët (PARALAJMËRIMI PËR QEVERINË)

Kreu i Bindjes Demokratike Astrit Patozi ka reaguar pasi KQZ i rrëzoi kandidatin për bashkinë e Beratit, Pavllo Shkarpën.

Sipas Patozit, vendimi i KQZ është në kundërshtim flagrant me kushtetutën e vendit, pasi pretendon se Shkarpa është regjistruar brenda afatit kohor në gjendjen civile të Beratit.

Gjithashtu kreu i BD shprehet se tre kandidatë i janë tërhequr për shkak të kërcënimeve dhe presioneve, për të cilët akuzon përfaqësuesit e Rilindjes dhe Partinë Demokratike.

Patozi paralajmëron qeverinë që të heqë dorë nga këto goditje të ulëta ndaj njerëzve të saj, sidomos në qarkun e Beratit.

Reagimi i plotë i Patozit:

Përfaqësuesit e qeverisë në KQZ rrëzojnë arbitrarisht kandidatin tonë në Berat

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve i dominuar nga përfaqësuesit e shumicës rrëzoi sot në mënyrë arbitrare kandidatin e BINDJES DEMOKRATIKE në Berat, zotin Pavllo Shkarpa, duke i hapur rrugën zgjedhjeve me një kandidat të vetëm në atë bashki. KQZ, e cila votoi si rrallë herë me unanimitet ishte sot shumë e vendosur për ta ndëshkuar kandidatin tonë, ndonëse në kundërshtim flagrant me kushtetutën e vendit.

Argumenti i përdorur prej anëtarëve socialistë të KQZ, sipas të cilit zoti Shkarpa është regjistruar me vonesë në gjendjen civile të Beratit, nuk gjendet asgjëkundi në Kodin Zgjedhor apo në kushtetutën e vendit.

Vendimi absurd, që ngjante dukshëm si i paracaktuar, e çon në dy numrin e kandidatëve të BINDJES DEMOKRATIKE të përjashtuar nga gara prej qeverisë.

Disa ditë më parë kandidati ynë për Skraparin, zoti Devi Hebibasi, u tërhoq fare papritur nga kandidimi, pasi u ndje i kërcënuar nga përfaqësuesit e Rilindjes atje. Vlen të theksohet se të dy kandidatët tanë të rrëzuar nga njerëzit e qeverisë i përkasin të njëjtit qark.

Vendimi i sotëm pason dorëheqjen e dy kandidatëve tanë në Lezhë e Kavajë, të cilët e morën vendimin të ndikuar dukshëm nga presioni i Partisë Demokratike. Dhe tashmë mund të flitet për një barazim të plotë mes "Rilindjes" dhe "Republikës së Re" në raport me gjuetinë ndaj kandidatëve tanë.

E ndodhur në këto kushte, BINDJA DEMOKRATIKE deklaron se është e vendosur t'i shkojë deri në fund betejës së saj ligjore për të garuar me kandidatin e saj në Berat. Ndërkohë, ajo paralajmëron qeverinë që të heqë dorë nga këto goditje të ulëta ndaj njerëzve të saj, sidomos në qarkun e Beratit.

Nuk mund të jetë kurrësesi rastësi që kandidatët tanë po sulmohen njëkohësisht nga të dy partitë e vjetra, të cilat janë përgjegjëse për krizën e sotme që kalon Shqipëria.

BINDJA DEMOKRATIKE fton partnerët tanë që janë të interesuar për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri që të ushtrojnë të gjithë ndikimin e tyre që procesi të mos cënohet më tej, nga brutaliteti i qeverisë dhe i atyre që kërcënojnë të prishin zgjedhjet.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.022850036621094
array(1) { ["section"]=> string(125) "kqz-i-rrezoi-garuesin-e-beratit-patozi-shkelet-kushtetuten-ja-kush-na-i-kercenon-kandidatet-paralajmerimi-per-qeverine-165449" }