Për vitin 2017 Bashkia e Tiranës ka përcaktuar se do të mbulojë interesat e kredisë për 1 mijë familje të pastreha.
Në datën 20 shkurt Këshilli Bashkiak i Tiranës do të shqyrtojë projektvendimin “Për miratimin dhe zbatimin e programit social të strehimit ‘Subvencionimi i interesave të kredisë'”. Në drafti që disponon “Gazeta Shqiptare” janë të përcaktuara, veç dokumenteve që duhen për aplikim, edhe kriteret e reja, ku përparësi do t’u jepet çifteve të reja. Po ashtu, në draft është përcaktuar niveli i të ardhurave që duhet të plotësojnë aplikantët si dhe sistemi i ri i pikëzimit.
Nëpërmjet këtij sistemi pikëzimi specialistët e Drejtorisë së Strehimit do të përzgjedhin 1.000 familjet e pastreha të cilave bashkia do t’u mbulojë interesat e kredisë. Në tabelat bashkëngjitur shkrimit gjeni të detajuar, sistemin e pikëzimit, nivelin e të ardhurave që duhet të plotësojnë familjet, por edhe dokumentet që duhet të dorëzojnë aplikantët.
DOKUMENTACIONI QË DUHET PËR TË APLIKUAR PËR KREDI TË BUTË
-
1. Formulari i Strehimit i plotësuar pranë njësisë administrative në të cilën aplikanti ka vendbanimin.
2. Certifikata e lindjes e aplikantit dhe certifikata e gjendjes familjare.
3. Vërtetimi i vendbanimit në bashkinë ku kërkohet vendstrehimi ose leje banimi për familjet që kanë lëvizur nga zona të tjera të vendit.
4. Vërtetimi i të ardhurave neto të familjes/individit.
5. Dokumenti përkatës nga punëdhënësi(vërtetim punësimi), për detyrën dhe të ardhurat e aplikantit dhe të personave të tjerë të familjes që janë në marrëdhënie pune.
6. Dokumenti nga organet tatimore dhe nga sigurimet shoqërore për derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për të gjithë anëtarët e punësuar në familje.
7. Vërtetimi nga zyra e ndihmës dhe përkujdesjes pranë njësive të qeverisjes vendore për anëtarë, të përfshirë në programin e ndihmës ekonomike dhe të pagesës për personat me aftësi të kufizuar.
8. Vërtetimi nga zyra e punës e njësisë vendore përkatëse për personat e përfshirë në programin e pagesës së papunësisë.
9. Vërtetimi nga organet e sigurimeve shoqërore për personat në pension.
10. Dokumenti zyrtar i celebrimit dhe certifikatat personale, për efekt të llogaritjes së moshës, për çiftet e reja.
11. Vërtetimi nga ZRPP se familja apo ndonjë anëtar i saj nuk disponojnë në pronësi banesë a ndonjë mjedis që mund të përdoret si e tillë.
12. Vërtetimi nga ZRPP për sipërfaqen e pronës që zotëron familja apo ndonjë anëtar i saj, kur banesa është me sipërfaqe nën normat në fuqi për strehim.
13. Vërtetimi nga ZRPP të origjinës se nuk figuron e regjistruar asnjë pronë, e cila mund të përdoret edhe për strehim, për familjet që kanë ndryshuar vendbanim për efekt punësimi, për të gjithë anëtarët e familjes.
14. Vendimi i Gjykatës, që i lë në ngarkim fëmijën ose fëmijët për çiftet e divorcuara, shoqëruar me vërtetimin nga zyra e përmbarimit për masën e pensionit që përfitojnë për fëmijët.
15. Vërtetimi përkatës nga institucioni ku ka qenë i strehuar dhe librezën e jetimit, dhënë nga institucioni shtetëror i autorizuar, për individët me statusin e jetimit.
16. Vërtetimi nga Komisioni Mjekësor për përcaktimin e Aftësisë së Kufizuar, për individë me aftësi të kufizuar.
17. Dokumenti i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për personat që kanë statusin “emigrant”, “punëtor emigrant” dhe azilkërkues.
18. Dokumenti i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për familjet e punonjësve të rënë në detyrë, që u përkasin Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Policisë së Burgjeve etj.
19. Dokumenti i lëshuar nga institucionet përkatëse për viktimat e dhunës në familje. Urdhri i Mbrojtjes i lëshuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor, seksioni familjar (fotokopje e njehsuar me origjinalin). Vërtetim nga strukturat e shërbimit social, qendrave sociale dhe rehabilitimit për viktimat e dhunës pranë njësive të qeverisjes vendore.
20. Deklaratë noteriale që lëshohet nga kryefamiljari që shprehet se është dakord që kredia të lëvrohet për aplikantin që rezulton i përfshirë në Formularin e Strehimit./Gazeta Shqiptare