“Krim e ndëshkim”, Xhafaj zbulon prioritetet si ministër i Brendshëm dhe i pamëshirshëm për policët e korruptuar

Publikuar tek: aktualitet, më 09:54 27-03-2017 “Krim e ndëshkim”, Xhafaj zbulon prioritetet si ministër i Brendshëm dhe i pamëshirshëm për policët e korruptuar

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaju, i cili u dekretua zyrtarisht në këtë post të enjten e kaluar në Kuvend, ka zbuluar se cilat janë prioritetet e punës së tij në këtë pozicion.

Në një fjalim të gjatë para kryeministrit Edi Rama dhe drejtuesve të policisë ai ka theksuar se në plan të parë Xhafaj ka punën për të luftuar drogën , korrupsionin, terrorizmin, ndërsa për ata efektivë të inkriminuar paralajmëron ndëshkime të rrepta.

“Së pari, lufta për parandalimin e çdo lloj veprimtarie që lidhet me mbjelljen dhe kultivimin e Kanabisit në veçanti dhe trafikun e narkotikëve në përgjithësi, do jetë prioriteti thelbësor i punës sime në krye të ministrisë dhe i gjithë ekipit drejtues veçanërisht i strukturave të Policisë së Shtetit (nga Drejtori i Përgjithshëm deri tek punonjësi më i thjeshtë i rolit bazë). Qeveria Shqiptare ka hartuar në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë një plan të qartë veprimi për luftën ndaj lëndëve narkotike, dhe posaçërisht për ndalimin e kultivimit të Kanabisit. Ky plan do jetë udhërrëfyesi i punës sonë të përbashkët. Sfida ime është që ta nxjerrim Shqipërinë njëherë e përgjithmonë nga lista e vendeve që kultivojnë Kanabisin.  Pa dyshim ky objektiv është një sfidë mjaft e vështirë për këdo dhe kudo ku ky fenomen ekziston. Por duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm se asnjë e mirë nuk u vjen qytetarëve të një vendi ku mbillet Kanabis dhe ku ekziston trafiku i lëndëve narkotike. Ndaj në këtë luftë duhet të jemi të gjithë bashkë, pa asnjë dallim politik apo i çdo lloji tjetër. Shqipëria është një vend i vogël, me një sipërfaqe relativisht të vogël por dhe me një territor të vështirë dhe me infrastrukturë të keqe në një pjesë të konsiderueshme të saj. Ne të gjithë do bëjmë përpjekjet tona maksimale për të parandaluar këtë fenomen që në embrion. Për të realizuar këtë, ndër të tjera do të rrisim dhe mbështesim maksimalisht rolin e Policisë në terren. Ndaj ju siguroj sot këtu se do ketë shumë herë dhe më shumë njerëz në terren se në zyra, në luftën për parandalimit e mbjelljes së Kanabisit. Në këtë betejë nuk do bëjmë asnjë kompromis me trafikantët, me abuzuesit e ligjit, me punonjësit e korruptuar të Policisë. Do të ketë ndëshkim për çdo rrënjë kanabisi të mbjellë. Dhe ky ndëshkim nuk do bjerë vetëm mbi ata që tentojnë ta mbjellin, por edhe mbi ata që e lejojnë, që nuk informojnë dhe nuk e luftojnë, duke u bërë palë me kriminelët", tha Xhafaj. 

Ai tha se ata punonjës të Policisë së Shtetit që bëhen palë me krimin, ndëshkimi ligjor do të jetë i rreptë, nga largimi i tyre i plotë nga radhët e Policisë së Shtetit dhe deri në ndjekje penale.
"Kjo është një betejë e cila nuk mund të realizohet pa mbështetjen e shtetasve, pa mbështetjen e të gjithë shqiptarëve, pa mbështetjen dhe angazhimin serioz të organeve të qeverisjes vendore, për të bashkëpunuar me Policinë, për denoncimin e rasteve, për rritjen dhe sensibilizimin tek njerëzit në zonat rurale më të thella nga skaji verior e deri tek ai jugor. Duke forcuar besimin se tek Policia e Shtetit çdo qytetar duhet të gjejë mbështetjen absolute në luftën kundër çdo lloj paligjshmërie. Jam i bindur se të gjithë bashkë do ta fitojmë këtë betejë dhe Shqipëria nuk do të jetë pjesë e kësaj harte famëkeqe, por e një harte tjetër. Hartës së familjes së madhe të Bashkimit Europian. Edhe pak muaj na ndajnë nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit. 
Prioritet tjetër kryesor i punës sime si ministër i Brendshëm do të jetë që çdo veprimtari që do të zhvillohet në kuadër të procesit parazgjedhor dhe atij zgjedhor të jetë një veprimtari në shërbim të përkryer të zhvillimit të zgjedhjeve  në respektim të afateve dhe procedurave të parashikuara nga ligji. Ajo që pritet nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë dhe vendas, si dhe vetë në radhë të parë, është paanësia e kryerjes së veprimtarisë së ministrisë në këtë proces për aq sa asaj i njeh përgjegjësi ligji. Dhe kjo do të jetë kryefjala jonë: paanësi në çdo veprimtari që do të kryejmë për mbarëvajtjen e procesit, si dhe në rolin që ka Policia e Shtetit në realizimin e zgjidhjeve sipas detyrave të mirëpërcaktuara tashmë në ligjin përkatës. Do të ndëshkohet rëndë çdo përfshirje apo çdo rol tjetër i Policisë, organeve të saj apo punonjësve të saj që tejkalon në këtë proces kompetencat e përcaktuara nga ligji", u shpreh Xhafaj.
Ai tha se lufta kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe financimit të terrorizmit do të jetë një ndër prioritetet gjithashtu shumë të rëndësishme të punës sonë.
"Sot e përditë vendet europiane po përballen me një pasiguri ekstreme për shkak të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Në këtë luftë Shqipëria ka një rol të rëndësishëm. Pikë së pari për parandalimin e përhapjes së këtyre fenomeneve në vendin tonë. Dhe së dyti, marrjen e masave për evidentimin e tyre. Shteti ynë ka mbështetjen e pakursyer të partnerëve tanë strategjikë në luftën kundër terrorizmit, ekstremizmit dhe financimit të tyre. Duke mbajtur parasysh se kjo luftë përfshin disa faktorë, prioriteti i punës sonë në Ministrinë e Punëve të Brendshme do të jenë përpjekjet maksimale dhe të vazhdueshme për të realizuar të gjitha detyrimet tona kundrejt të gjitha akteve dhe konventave ndërkombëtare të ratifikuara, marrëveshjeve dhe strategjive me të cilat Shqipëria është bërë pjesë. Veprimtaria jonë do të intensifikohet në këtë drejtim në mbështetjen edhe të partnerëve strategjikë për ta bërë vendin akoma edhe më të sigurt. Intensifikimi i luftës ndaj krimit të organizuar dhe grupeve kriminale, duke përfshirë këtu edhe organizmin e kultivimit të bimëve narkotike do të jetë një tjetër prioritet kyç i punës sime si ministër. Puna parandaluese duhet të shkojë paralelisht me veprimtarinë e Policisë së Shtetit në funksion të zbatimit me efektivitet të ligjit penal. Këtu një rol të dorës së parë ka veprimtaria e Policisë Gjyqësore, puna dhe misioni i përbashkët me prokurorët për ndëshkimin e rreptë të veprimtarisë kriminale”, tha Xhafaj, duke shtuar se do të vazhdojë nisma që kanë zënë fill nga ish-ministri Tahiri, sic janë projektet që lidhen me identifikimin e cdo adrese të shtetasve ku banojnë, si dhe doreëzimin vullnetarë të armëve.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Tefta Radi e alarmuar, lajmëron miqtë nga spitali: Ejani ju lutem, Franko po mbaron
U vunë armën në kokë dhe vodhën banesën, flet pronari: Kishim fejesën e djalit, grabitësit kishin kallash e levë »
Article Logic
Execution time: 0.01223087310791
array(1) { ["section"]=> string(115) "krim-e-ndeshkim-xhafaj-zbulon-prioritetet-si-minister-i-brendshem-dhe-i-pameshirshem-per-policet-e-korruptuar-73245" }