Zbardhen detaje të reja nga ngjarja horror e një nate më parë ku një grua u gjet e vdekur dhe lidhur këmbë e duar në Bërzhitë të Tiranës.
Mësohet se bëhet fjalë për Fatime Hidën, 74 vjeç e cila jetonte e vetme dhe mbahej me blegtorinë. Fillimisht ka qenë kryeplaku i fshatit ai që ka ngritur dyshime se diçka mund të kishte ndodhur pasi prej 2 ditësh e moshuara nuk kishte nxjerrë bagëtitë. Menjëherë banorët e fshatit kanë shkuar në shtëpinë e saj ku sipas tyre ishte gjysmë e hapur dhe kanë gjetur të lidhur këmbë e duar dhe me qese në kokë 74-vjeçaren.
‘News24’ ka takuar të afërmit e të moshuarës të cilët kanë rrëfyer se e moshuara është dhunuar edhe herë të tjera.
Nipi i saj ka treguar se në prill të 2015-ës një person i gjatë dhe i maskuar e ka goditur në kokë dhe i ka vjedhur kursimet rreth 2 milion e 400 mijë lekë të vjetra. Sipas nipit të saj policia e ka anashkaluar rastin dhe nuk e ka ndjekur.
Ende nuk dihen shkaqet e ngjarjes, por dyshohet se 74-vjeçarja është masakruar për ta grabitur. Policia është në vendngjarje dhe po heton për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë.