Krimi në Durrës/ Djali i 80-vjeçares: Si e gjeta nënën dhe nipin të larë në gjak

Publikuar tek: aktualitet, më 09:11 05-04-2017 Krimi në Durrës/ Djali i 80-vjeçares: Si e gjeta nënën dhe nipin të larë në gjak

“Mesditën e djeshme më mori në telefon bashkëshortja, e cila më tha ta lija punën dhe të shkoja urgjent në shtëpinë ku banonte nëna ime. Kur shkova tek banesa, e gjeta derën mbyllur, ndaj u ngjita me shkallë në katin e dytë. Ishte e tmerrshme ajo që pashë. Nënën e gjeta në krevat të mbytur në gjak. Ndërsa, nipi ishte shtrirë i pajetë në dysheme. U shokova nga skena e krimit. Ende nuk dua ta besoj atë që ndodhi”.

Kështu ka deklaruar në policinë e Durrësit, Isuf Curri, djali i viktimës Hurma Curri dhe njëkohësisht xhaxhai i autorit të krimit të dyfishtë, Irsid Curri. Gjatë marrjes në pyetje, ai ka treguar me detaje ngjarjen e rëndë. Ndërkohë, Isuf Curri ka pohuar se që pas daljes nga burgu, nipi i tij vuante nga depresioni dhe se ishte agresiv me të afërmit e tij. Gjithashtu, xhaxhai i 23­vjeçarit që vrau gjyshen e tij dhe më pas u vetëvra tha se nipi i tij kishte kërkuar azil në Gjermani dhe ishte deportuar nga autoritetet e këtij shteti, pasi ishte treguar agresiv me pjesëtarët e familjes së tij gjatë qëndrimit atje. “Gazeta Shqiptare” ka mundur të sigurojë dëshminë e plotë të dhënë para oficerëve të policisë nga Isuf Curri. Hetuesi:

Çfarë ndodhi në shtëpinë e nënës suaj?

Isuf Curri: Sot (dje) rreth orës 12:00 më mori bashkëshortja ime në telefon e alarmuar dhe më tha që të mbyllja dyqanin fruta­perime që unë kam në pronësi dhe të shkoja tek shtëpia e nënës sime.

Hetuesi: Konkretisht, çfarë ju tha bashkëshortja juaj në telefon?

Isuf Curri: Gruaja më tha se i kishte telefonuar nënës gjithë paraditen dhe ajo nuk i përgjigjej. Në mesditë, ime shoqe kishte shkuar tek shtëpia e vjehrrës, nënës sime, por e kishte gjetur derën e shtëpisë të mbyllur. Kishte trokitur dhe askush nuk i ishte përgjigjur. I kishte thirrur me zë të lartë: ‘Hurma, Hurma!’, por sërish asnjë përgjigje. E shqetësuar, ajo më telefonoi dhe kërkoi që unë të lija punën dhe të shkoja urgjent atje.

Hetuesi: Shkuat në shtëpinë e nënës suaj?

Isuf Curri: Po, shkova menjëherë pas telefonatës që më bëri ime shoqe. Kur mbërrita tek shtëpia e gjeta derën e mbyllur. Gjithashtu edhe dritaret e katit të parë. I gjendur në një situatë të tillë, mora një palë shkallë dhe u ngjita në ballkonin e katit të dytë. Por, edhe dritaret e katit të dytë ishin mbyllur. Theva njërën nga dritaret dhe futa brenda.

Hetuesi: Çfarë patë brenda në banesë?

Isuf Curri: Sapo hyra në dhomën ku flinte nëna e gjeta atë në krevat të mbytur në gjak. Shtanga nga tmerri.

Hetuesi: Po nipi juaj?

Isuf Curri: Nipi ishte shtrirë në dysheme, po i mbytur në gjak. Pranë tij ishte edhe arma. Nuk po më besohej se ata kishin vdekur, ndaj u thirra të dyve në emër me shpresë se mos ndonjëri ishte gjallë, por ishte e kotë. Ata të dy kishin marrë fund. I tronditur tejet nga skena e tmerrshme lajmërova policinë për ngjarjen. Nuk ma merrte mendja që nipi im të kryente një krim të tillë.

Hetuesi: Kishte shfaqur ndonjë problem nipi juaj para ngjarjes?

Isuf Curri: Prej disa kohësh, Irsidi kishte shfaqur shenja depresioni, ishte bërë agresiv. Ai ka qenë dënuar 11 vjet për vrasje dhe doli nga burgu afro një vit më parë. Nipi bëri 7 vjet burg me gjykim të shkurtuar.

Hetuesi: Çfarë bëri pas daljes nga burgu?

Isuf Curri: Menjëherë sapo doli nga burgu, nipi im iku në Itali tek nëna e tij. Bashkë me pjesëtarët e familjes ai shkoi në Gjermani dhe kërkoi azil. Autoritetet e këtij vendi e deportuan, pasi Irsidi ishte treguar agresiv me familjarët e tij. Pas kthimit këtu, ai rrinte me nënën time, pra me gjyshen e tij.

Hetuesi: Si sillej Irsidi pas kthimit në Shqipëri?

Isuf Curri: Kohët e fundit ishte bërë agresiv. Pak ditë më parë, nëna ime i kishte thënë motrës sime që e kam këtu në Durrës se ishte e shqetësuar me sjelljen e Irsidit. “Po më bën ndonjë gjë ai djalë, pasi është shumë i ngarkuar dhe i rënduar psikologjikisht”. Kështu i kishte thënë nëna motrës sime. Dhe ndodhi kjo që ndodhi.  

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Me pistoletë “Zastava” në gjimnaz, arrestohet nxënësi në oborrin e shkollës në Shkodër
Krimi në Durrës, zbardhet ekspertiza: Si e vrau nipi gjyshen në gjumë, me pas veten me plumb në gojë »
Article Logic
Execution time: 0.011138916015625
array(1) { ["section"]=> string(84) "krimi-ne-durres-djali-i-80-vjecares-si-e-gjeta-nenen-dhe-nipin-te-lare-ne-gjak-74155" }