Policia e Shkodrës ka zbardhur detajet e para rreth ngjarjes së rëndë, që tronditi sot mbarë opinionin publik.
Lumturie Xhilaj, banuese në fshatin Guci e Re, njësia administrative Rrethina në Shkodër ka humbur jetën. Blutë e Shkodrës bëjnë me dije se rreth orës 00: 05 pas mesnate ka marrë një njoftim se gruaja është vetvrarë me armë gjahu në banesë.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e policisë dhe grupi hetimor. Në përfundim të veprimeve të para rezultoi se viktima Lumturie Xhilaj nuk është vetvrarë por dyshohet se e ka vrarë bashkëshorti për motive të dobëta, krim që më pas e ka pranuar edhe vetë autori.
Në këto kushte Specialistët për Hetimin e Krimit bënë arrestimin në flagrancë të Beqir Xhilaj, 74 vjeç, i cili tentoi të fshihte krimin mostruoz, duke njoftuar policinë se gruaja e tij ka vrarë veten.
Në vendin e ngjarjes u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale arma e gjahut të cilën e mbante me leje shtetasi i lartpërmendur. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprën penale të "Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”.
I moshuari dhe autori i këtij krimi të rëndë nuk është një emër i panjohur për drejtësinë e Shkodrës. Kjo, pasi Beqir Xhilaj kishte vrarë edhe gruan e parë në vitin 1997, krim për të cilin u arrestua dhe dënimin e vuajti në burgun e Shen Kollit në Lezhë. Pas disa vitesh, kishte marrë një raport mjekesor ku e nxirrte me probleme mendore dhe kishte lënë qelitë e burgut.
74-vjeçari mësohet se ishte martuar 3 herë dhe vetëm me dy gratë e para kishte patur fëmijë, ndërsa njërën prej tyre e kishte divorcuar. Pak ditë më parë një tjetër krimi në familje ndodhi në Kurbin, ku vjehrri 87 vjeç ka vrarë me levë në kokë nusen e djalit, sërish për motive banale.