Reagon kryeministri Edi Rama i cili nën cilësinë e kreut të OSBE kërkoi dialog për krizën në Bjellorusi.
Ai propozoi të bëhej një takim me qeverinë dhe opozitën për të gjetur një zgjidhje për krizën politike dhe kjo solli një mori reagimesh nga politika shqiptare.
Ndërkaq, Rama i është përgjigjur ironikisht zërave dyshues e kritikues për faktin që nuk ka shkuar në Minsk.
“Disa shqipe të politikës së madhe që fluturojnë lart, po vrerosen pse nuk kam shkuar në Minsk dhe ia paskam humbur një shans Shqipërisë! Në Minsk OSBE nuk shkon për selfie në protestë, po për të komunikuar me qeverinë dhe opozitën, çka kërkon aprovimin e të dyja palëve.
Unë jam krenar për faktin se megjithë kohën e mallkuar të pandemisë, lidershipi ynë i OSBE ka kryer me sukses punën e premtuar dhe ka fituar respekt e besim ndërkombëtarisht, çka e tregon qartë edhe referimi i BE-së ndaj ofertës së OSBE për Minskun”, shkruan Rama teksa më tej thotë se Shqipëria, bashkë me Suedinë po bën më të mirën.
“Nuk i kemi bërë publike komunikimet e shpeshta të këtyre ditëve me aktorë të niveleve të larta në BE e jo vetëm, sepse kjo është natyra e punës në këtë fazë, por dua t'i siguroj të gjithë të interesuarit për këtë temë se Shqipëria po bën vërtetë më të mirën, bashkë me Suedinë”, përfundon kryeministri postimin në Twitter.