KRIZA POLITIKE/ A është kjo marrëveshja që do firmosin Rama- Basha? (RASTI MAQEDONAS dhe RASTI GREK)

Publikuar tek: politike, më 11:42 23-04-2019 KRIZA POLITIKE/ A është kjo marrëveshja që do firmosin Rama- Basha? (RASTI MAQEDONAS dhe RASTI GREK) Basha-Rama

Politika shqiptare vazhdon të jetë në krizë.

Pavarësisht protestave të vazhdueshme apo lëvizjeve për të krijuar një opozitë të re, opozita reale ndodhet në rrugë, pa mandat e pa përfaqësim.

Palët nuk duken të interesuara për t’u ulur në tryezë, ndërsa opozita e cila sot firmosi edhe koalicionin ka vendosur të pamundësojë zgjedhjet lokale dhe nuk ka hequr dorë nga kushti i qeverisë tranzitore, pa Ramën kryeministër.

Nëse kthehemi pas në kohë, në vitin 2015, Maqedonia ka qenë në një krizë të ngjashme poltike, që është cilësuar një ndër më të rëndat.

Afera e përgjimeve, aksioni policor në Kumanovë, protestat kundër rastit “Monstra“, bllokimi i procesit integrues, bllokimi i punës së institucioneve, ishin vetëm disa nga ngjarjet që tronditën Maqedoninë gjatë atij viti.

Por çfarë ndodhi? Me ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar, konkretisht Bashkimit Europian, palët morën në tavolinë një marrëveshje dhe s’u mbeti gjë tjetër veçse ta firmosnin dhe të binin dakord.

Cilat ishin pikat e kësaj marrëveshjeje dhe a do të përdoret e njëjta marrëveshje për të zhbllokuar situatën në Shqipëri?

Liderët e katër partive politike në Maqedoni me ndërmjetësimin e eurokomisionerit për zgjerim Johannes Hahn ranë dakord që:

-Opozita maqedonase e udhëhequr nga LSDM të kthehej në Parlament

-Qeveria të tërhiqej 3 muaj para zgjedhjeve apo deri në fund të 15 dhjetorit 2015;

-Qeveria e përkohshme apo kalimtare të formohej deri më 15 janar 2016;

-VMRO-DPMNE të nominote kandidatin për kryeministër por në konsulta edhe tri partitë e tjera LSDM, BDI dhe PDSH;

-Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbaheshin më 24 prill 2016;

-LSDM të nominonte kadidatin për ministër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, por siç thuhej në konsultime edhe me LSDM dhe BDI;

-Ndarja e ministrive tjera të bëhej mes partive kryesore, ndërsa edhe zëvendësministrat do të kishin të drejtën e qasjes dhe vetos në gjitha ministritë për çështjet e lidhura me zgjedhjet;

-LSDM zëvendësministra do të kishte në ministrinë e Financave, Bujqësisë dhe Shoqërisë informatike dhe administratës.

-Prokurori i ri Special do të duhej të zgjidhej deri më 15 shtator 2015, dhe do udhëhiqte hetimet për përgjimet dhe do të zgjidhej sipas marrëveshjes midis katër partive politike.

Ndërkaq, Greqia fqinje ka një përvojë më të gjatë për qeverinë tranzitore dhe herën e fundit rol shumë të rëndësishëm luajti Presidenti i vendit.

Greqia ka shkuar dy herë në zgjedhje vitet e fundit përmes qeverisë tranzitore.

Pas shpalljes së falimentimit nga kryeministri grek Andreas Papandreou populli grek shkoi në zgjedhje të parakohëshme. Në zgjedhjet e majit në vitin 2012 sistemi zgjedhor grek ndryshoi krejtësisht. Partia e ND fitoi votimet me 18,9%, partia e Siriza fitoi shumë pikë për herë të parë në histori duke fituar 16,8% të votave, partia Nacionaliste e Agimit e Artë hyri për herë të parë në parlament ndërsa PASOK humbi fuqinë e tij duke marrë vetëm 13,2% të votave.

Partia e ND nuk arriti të krijonte një qeveri kështu që presidenti i Greqisë Karolos Papoulias thirri në muajin maj liderat e partive të cilët ranë dakord në krijimin e një qeverie tranzitore me 7 parti. Kryeministri tranzitor Panagiotis Pikramenos u zgjodh nga presidenti i Greqisë Karolos Papoulias dhe fitoi besimin e deputeteve grekë. Në parlament presidenti grek mori autoritetin e plotë për të marrë vendime të rëndësishme dhe nëpër ministri u vendosen përfaqësues të secilës prej 7 partive qeverisëse. Partitë në qeveri ishin ishin ND, Siriza, PASOK, DIMAR, LAOS, Aneksartitoi Ellines dhe Partia Ekologjike greke. Kjo qeveri tranzitore zgjati dy muaj, deri në Korrik të vitit 2012, kur u zhvilluan zgjedhjet e reja ku partia e ND me liderin Antonios Samaras fitoi votimet me 29.7% të votave ndersa Siriza i Aleksis Tsipras u rendit e dyta me 26,9% të votave.

Rasti i Greqisë ishte rasti kur partitë e zgjidhën vetë ngërçin e tyre me rolin e patjetërsueshëm të Presidentit por në Shqipëri, një skenar i tillë duket thuajse i pamundur, në kushtet kur palët nuk kanë aspak vullnet për t’u ulur në një tryezë.

Gjasat janë, që skenari maqedonas të jetë më i aplikueshëm për Shqipërinë, kjo pasi në rastin e Maqedonisë, ishte BE ajo e cila i dha zgjidhjen në tavolinë partive politike.

Edhe në Shqipëri, faktori ndërkombëtar vazhdon të jetë vendimtar në rastet e krizave, sikurse ndodhi edhe në vitin 2017 me firmosjen e marrëveshjes McAllister +, më 17 maj nga Rama e Basha./ newsbomb.al

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Formimi i koalicionit opozitar, REAGON Rama i prerë: Zgjedhjet as ndalen, as shtyhen
Tre deputetë i shtohen ‘opozitës së re’, KQZ i jep mandatin tre aleatëve të Bashës »
Article Logic
Execution time: 0.013483047485352
array(1) { ["section"]=> string(102) "kriza-politike-a-eshte-kjo-marreveshja-qe-do-firmosin-rama-basha-rasti-maqedonas-dhe-rasti-grek-161527" }