Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi e shoqëruar nga kreu i grupit Parlamentar Petrit Vasili e deputetët Luan Rama e Kejdi Mehmetaj kanë pritur sot një grup artistësh lidhur me projektin e Teatrit Kombëtar. Kryemadhi tha se LSI nuk do të lejojë shembjen e tij dhe se vetë ajo do jetë në rresht të parë kur rruspat të shkojnë për ta prishur.
“Edi Rama mua më ka në rresht të parë në momentin e ardhjes së ruspave për prishjen e Teatrit Kombëtar.
Ky teatër ka vlera, është një nga fushat që subvencionohet më pak nga të gjitha por ne ndjehemi të revoltuar sepse në fund të ditës, sot jemi politikanë, nesër do jemi spektatorë, qytetarë të thjeshtë. Spektatorë të filmave, të teatrit, por nëse s’do kemi vendin ku do shikojmë teatrin, kjo është e pamundur.
Jemi hap pas hapi dhe me artistët jo vetëm për mos shembjen e teatrit, jo vetëm për ligjin por edhe rritjen e buxhetit. Ne ndjehemi pjesë e artit, do jemi pjesë e luftës se tyre. Fjalët e tepërta do ktheheshin në fukarallëk, veprimi është tani pjesë e planit tonë. Shqiptarët nuk krenohen me politikën tonë por me artin, traditën. Na keni në krah, jemi me ju dhe jemi të gatshëm për çdo gjë që ju e keni të nevojshme “, u shpreh Monika Kryemadhi.
Më herët artistët janë takuar edhe me kryedemokratin Lulzim Basha i cili gjithashtu i siguroi artistët se teatri nuk do prishet.