Kufiri detar me Greqinë, Këshilli i Ambasadorëve: Të mos arrihet marrëveshje me nxitim

Publikuar tek: politike, më 20:24 10-08-2020 Kufiri detar me Greqinë, Këshilli i Ambasadorëve: Të mos arrihet marrëveshje me nxitim

Ndonëse, Greqia dhe Shqipëria firmosën në prill 2009 marrëveshjen për kufirin detar, ajo u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese një vit më vonë dhe që prej atëherë bisedimet mes dy vendeve për këtë çështje nuk kanë njohur përparim.

Greqia në qershor ka nënshkruar marrëveshje për kufirin detar me Italinë ndërsa vetëm pak ditë më parë ka firmosur dhe me Egjiptin. Ndërkohë është në proces bisedimesh me Izraelin, Qipron, Libinë dhe ka shprehur gatishmëri për të biseduar dhe me Turqinë për këtë çështje, raporton Euronews.al

Gjatë deklaratave të fundit të ministrit të Jashtëm grek, Nikos Dendias, ia ka kërkuar rinisjen e bisedimeve duke thënë se çështja ka ngecur për shkak të problemeve të brendshme të Shqipërisë.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë thotë se, ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias ka pohuar publikisht se Greqia do të kërkojë rifillimin e negociatave ndërsa nga pala shqiptare ende nuk ka asnjë qëndrim mbi këtë çështje.

Duke theksuar se nuk duhet nxituar për një marrëveshje të shpejtë, KASH thekson se nevojiten konsultime dhe shkëmbim të ideve dhe mendimeve profesionale mbi këtë çështje dhe kërkon që të ngrihen grupe ekspertësh për të diskutuar paraprakisht një marrëveshje të mundshme me Greqinë.

“Për këtë qëllim, nevojitet të fillojnë sa më shpejt në formatet e duhura konsultimet, shkëmbimi i ideve dhe mendimeve profesionale mbi alternativat paraprake me grupet e ekspertëve, pa paragjykime partiake, politike apo të tjera, në fushat juridike, ekonomike, ushtarake, teknike, të sigurisë, etj. Mbi atë bazë, mund të bëhet mbi kritere më objektive përzgjedhja dhe krijimi i një ekipi të ri negociator gjithëpërshirës, kompetent dhe i specializuar për këto çështje”, thuhet në deklaratë.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë bën thirrje dhe për studimin e marrëveshjeve që Greqia ka arritur me Italinë dhe Egjiptin pasi gjatë negociatave të vitit 2009 këto marrëveshje nuk ekzistonin.

“KASH thekson se negociatat e ardhshme për këtë Marrëveshje, me një problematikë të gjerë aspektesh tejet të koklavitura dhe konkrete, janë me rëndësi të madhe për interesat e vendit tonë; po aq të rëndësishme janë ato për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin dypalësh me Greqinë fqinje”, thuhet në deklaratë duke i bërë thirrje qeverisë për transparencë dhe informim të publikut mbi këtë çështje dhe ofrimin e ndihmesës në këtë çështje duke qenë se Këshilli ka ambasadorë të njohur, profesorë dhe ekspertë me njohje dhe përvojë të gjatë në trajtimin e çështjeve komplekse të së drejtës ndërkombëtare mbi detin.

Ministri i Jashtëm i Greqisë, gjatë një interviste të dhënë më 10 qershor për Skai Tv, u shpreh se qeveria greke do të kërkojnë rinisjen e bisedimeve për këtë çështje. Kurse gjatë një interviste për Alpha Tv, një javë më pas, Dendias tha se, është i mendimit se çështja me Shqipërinë do të zgjidhet, vend i parë me të cilin kanë nisur negociatat.

Kurse në intervistën e dhënë më 7 gusht për Skai Tv, Dendias tha se, negociatat me Shqipërinë paraqesin disa probleme ligjore. Ai iu referua mos dhënies së autorizimit nga ana e Presidentit për të nisur negociatat nga ana e qeverisë.

“Ka disa ndërlikime, pasi me Shqipërinë fillimisht pati marrëveshje por më pas çështja shkoi në Gjykatën Kushtetuese. Ka dhe disa çështje ligjore – çështje të tyre. Presidenti duhet t’i japë autorizim qeverisë, gjë të cilët duket se nuk është gati ta ofrojë. Por, kjo është një çështje që politika e jashtme greke do ta zgjidhë. Nuk ka asnjë pikëpyetje për këtë. Shqipëria është një vend fqinj, një vend me të cilin Greqia kërkon të ketë marrëdhënie miqësore dhe zgjidhjen e çdo problemi që mund të ekzistojë. Ky është një nga problemet, por sigurisht ka edhe çështje të tjera; çështja e të drejtave të minoritet grek, që Shqipëria duhet ta zgjidhë gjatë procesit të anëtarësimit në BE”, ka deklaruar ministri grek.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.010200023651123
array(1) { ["section"]=> string(91) "kufiri-detar-me-greqine-keshilli-i-ambasadoreve-te-mos-arrihet-marreveshje-me-nxitim-216733" }