Siguria ushqimore është kthyer në një problem shqetësues për shumë prindër.
Shpesh herë është përfolur mungesa e kontrolleve në supermarket për produktet ushqimore, ndonëse AKU dhe institucione të tjera përgjegjëse e kanë hedhur poshtë vazhdimisht.
Por, një prind i shqetësuar denoncon pranë newsbomb.al rastin e një produkti që shitet kryesisht për fëmijë. Ai gjendet thuajse në çdo supermarket e dyqan të vendit.
Është fjala për karamelet “Skittles”, aq të preferuara nga fëmijët. Qytetari denoncon tek newsbomb.al se data e skadencës te paketimi i karameleve ishte i vendosur me një ngjyrim të lehtë dhe që sipas prindit u fshi me gisht me shumë lehtësi.
“Kjo tregon se datat e skadencës i fshijnë dhe më pas i mbivendosin një datë tjetër duke e shtyrë edhe me një vit apo më shumë afatin. Fëmijët tanë po helmohen me këto produkte që blen në market. Kemi frikë të blejmë diçka për fëmijët tanë se nuk e dime çfarë po hanë. Kjo është e tmerrshme”, shprehet prindi i shqetësuar.
Qytetari kërkon nga instancat përkatëse të merren masa për bllokimin e produkteve që tregtohen edhe pas datës së skadencës, ndërsa bën me dije se karamelet “Skittles” i kishte blerë dje në një supermarket në qendër të Tiranës, që ndodhet pas zonës së Piazza-s.