Rastet e keqtrajtimit të kafshëve sa vijnë e shtohen në vendin tonë.
Precedenti më i fundit është shënuar në qytetin jugor të Gjirokastrës, ku dhjetëra mace dhe qen janë gjetur në rrugët e qytetit të ngordhura.
Aktivistë dhe qytetarë akuzojnë Bashkinë si përgjegjëse për vrasjen e kafshëve.
Por menjëherë ka reaguar institucioni vendor, duke hedhur poshtë akuzat dhe duke u distancuar prej tyre.
“NUK ËSHTË E VËRTETË që ne vrasim kafshët! PAMJET NUK TREGOJNË ASGJË! NE KEMI PËRKUSHTIM për mbrojtjen e kafshëve, respektojmë dhe mbështesim projektet dhe konventat europiane për mbrojtjen e tyre. KUSHDO QË KONSTATON abuzim me kafshët t’i denoncojë në Polici e Prokurori. Pamjet e publikuara në mos janë dashakeqësi për të dëmtuar Gjirokastrën, janë të nxituara dhe që sërish bëjnë dëm në perspektivën tonë zhvillimore,” thuhet në reagimin e Bashkisë së Gjirokastrës.
Kohët e fundit, janë shpërndarë disa momente ku makina tërheqin zvarrë për disa metra qen, me policinë që ka marrë masa për autorët e aktit.