Kur Kiço Blushi me Nikollë Lesin bënë lëmsh një Shqipëri të tërë..

Publikuar tek: aktualitet, më 16:30 09-02-2019 Kur Kiço Blushi me Nikollë Lesin bënë lëmsh një Shqipëri të tërë.. Kico Blushi-Nikoll Lesi

Nga Enkel Demi

Njoha fillimisht ata të dy, Alfons Gurashin dhe Agron Çobanin. Më pas Kiço Blushin.

Ata ishin tre… dhe e kishin për zemër të gjerbnin kafe apo të shkonin në ndonjë katund të Tiranës të rrëkëllenin ndonjë gotë me meze. I punonin rrengje sho-shoqit dhe ua tregonin të tjerëve. Vinin në lojë veset, ngulamendjet e njëri-tjetrit, por nuk bënin asnjëherë llogje Kavaje për askënd.

Ju pëlqente të qeshnin e të gëzonin atë çka u jepte jeta sot, sepse e djeshmja mund kishte qenë fshikulluese, të nesërmen e prisnin me mospërfillje, tek shuanin një duhan apo shihnin një gotë qelqi të zbrazur.

Ata ishin tre…, pastaj u bënë dy, pastaj një, kurse sot janë përsëri tre.

Kam vite që i urrej mortet, nuk shkoj në varrime. Ajo udhë e heshtur, kur duhet të shtijmë të ndjerin në varr, ta mbulojmë me dhè, më kall datën. Por, nuk kam fuqi të ndal kujtimet, ndaj jetoj duke i ngrohur ato sikur me qenë klloçkë që kërkon të nxjerrë nga veza ata që ikin.

Alfons Gurashi më mësoi sa larg duhet t’i rrija mikrofonit në radio; një pëllëmbë, nëse do flisja me zë të qetë, dy pëllëmbë, nëse më duhej të isha thërritës.

Agron Çobani u thoshte nëpër shkallë “koleg” të gjithë atyre që solli partia në punë në vitin 1994 në Radio Tirana, duke na zënë vendet ne të tjerëve që kishim kaq kohë që bënim emisione. Sot e kësaj dite e përdorim “koleg” për të shpotitur ndonjë të pagdhendur.

Kiço Blushi bashkë me Nikollë Lesin bëri lëmsh një Shqipëri të tërë, tek sajonim duke pirë birrë në Kopenhagen, ndryshime në qeverinë e Ilir Metës. Të nesërmen, kur telefoni i Qemal Minxhozit ulërinte nga thirrjet (meqë ne të tjerët nuk kishim roaming) qeshte me të madhe dhe thoshte: “Niko, na ka rrjedhur Shqipëria!”.

Sot, mësova që iku i fundit prej asaj Tirane, ku këta burra kishin guximin ta vinin në lojë dhe ta përqeshnin. Ky qytet po humb barin prej betonit, cinizmin, ironinë therrëse, gazmendin prej atyre që po ikin. Unë as nuk di t’i përcjell…

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0071909427642822
array(1) { ["section"]=> string(71) "kur-kico-blushi-me-nikolle-lesin-bene-lemsh-nje-shqiperi-te-tere-152164" }