Kryeministri Edi Rama nga lagja e re që po rindërtohet në Vaqarr, ka ironizuar përgjimet e Ndragheta-s, që kanë qenë në qendër të vëmendjes së mediave dhe politikës shiqptare ditët e fundit, pasi ka pasur edhe përmendje të figurave të rëndësishme politike, por pa emra.
Rama tregoi një bisedë që ka bërë me një komentues në Facebook lidhur me këtë histori.
"Njëri në facebook thoshte, ore po gjithë këto ndërtime? Kush i bën këto ndërtime kur nuk ka punë? I bën Ndragheta i thashë, me mafien...", tha Rama, duke qeshur.
Kryeministri vijoi duke theksuar se vetëm nga këto kantiere ndërtimi që janë hapur për rindërtimin nga tërmeti i Nëntorit të 2019-ës janë punësuar 27000 persona.