KUSH IA HËNGRI JETËN KOSTANDINIT!

Publikuar tek: pa-stres, më 12:16 20-04-2019 KUSH IA HËNGRI JETËN KOSTANDINIT!

Nga EDI OGA ekskluzivisht për newsbomb.al- Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i këtij materiali

Lajmin për vdekjen e xhaxhi Kostandinit, e mësova në Facebook. Mora leje në punë dhe u nisa menjëherë. Doja të shkoja dhe t'i qëndroja pranë teto Frosinëns, se e shkreta tani mbeti krejt fillikat...

Me familjen e tyre kemi qenë komshij në pallat, dyert ngjitur. Bëheshim kaq shumë, sa unë deri vonë mendoja se jemi tanët, jemi fis. Kam qenë tepër i vogël, por mbaj mend se xhaxhi Kostandini në shtëpi kishte të atin dhe gjyshin. Ky i fundit, kur vdiq ishte 104 vjeç, ndërsa babai i Kostandinit jeton akoma, jashtë shtetit me njërin nga djemtë e tjerë.

Teto Frosinën e gjeta të përlotur.

'Ishte mirë, tha ajo, ai kurrë nuk ka pirë një aspirinë në jetë, ti e di...'

'Prandaj habitem! Ata janë rracë jetëgjatë... të gjithë burrat e fisit të tij e kalojnë 'qindshin'!

'Nuk e di mor bir. Zuri krevatin ka tre ditë dhe nuk u çua më... dje në mëngjes më vuri të shkruaj një letër, ai fol e unë shkruaj!'

Teta Frosina më zgjati letrën dhe unë e lexova me një frymë:

'Kur të lexoni këtë letër, unë do kem mbaruar. Isha përgatitur të jetoja 100 vjet, si të gjithë burrat e fisit tim, por nuk më lanë, mi hëngrën!

7 vjet m'i hëngri marazi për fëmijët që kam në emigrim. Mos e provoftë as hasmi!

6 vjet m'i hëngri Saliu. Më gënjeu për firmat piramidale dhe humba kursimet... e plot zullume të tjera... i dini vetë ju!

5 vjet m'i hëngri Fatosi. Nuk më zinte gjumi natën kur mendoja që kryeministri im ishte edhe qejfli edhe kumarxhi!

4 vjet m'i hëngri familja Meta. Në fakt 1.5 Iliri dhe 2.5 Monika. Kjo më ka ngrënë 2 vjet, vetëm këto 3 muajt e fundit!

3 vjet m'' hëngri Edi. Njeriu që më ka zhgënjyer më shumë nga të gjithë!

2 vjet m'i hëngri Luli. Prit se po bën ndonjë gjë, hiç. Gjumë, llogje dhe para për vete!

1 vit ma hëngri Erioni. Po të kishte dalë më përpara, do më hante më shumë!

Janë edhe nja dy duzina tjetër politikanësh më pak të rëndësishëm, që më tepër sesa ditë nga jeta, më kanë ngrënë...atë që nuk thuhet.

Do të doja të jetoja deri në verë, sa të më vinin fëmijët për pushime, por mbrëmë pashë në televizor Koçon që më hëngri 3 muaj për një gjysëm ore!

Më keni ngrënë 28 vite jetë o batakçinj! I kalofshi duke u përvëluar në Ferr, të gjitha ditët e jetëve që u keni vjedhur shqiptarëve!'

Firmosur Kostandini, 72 vjeç, ditën që e vdiqën!'

E përqafova teta Frosinën, ndenja pak, piva një kafe të hidhur dhe dola. Rrugës fillova të bëj llogaritë e mia, për vitet që kanë ngrënë nga jeta ime, këta tipat që kishte përmendur xhaxhi Kostandini...!

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « HOLLANDEZËT NA KANË ZILI!
»
Article Logic
Execution time: 0.0079209804534912
array(1) { ["section"]=> string(39) "kush-ia-hengri-jeten-kostandinit-161162" }