Parlamenti miraton paketën shtesë në ligjin për mediat audiovizive, e njohur edhe si paketa “anti-shpifje”.
Paketa anti-shpifje është miratuar në parim me 82 vota pro dhe 13 kundër, 5 deputetë abstenuan dhe 5 nuk morën pjesë në votim.
Nenet e paketës ligjore janë votuar një për një, së bashku me amendamentet e paraqitura nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla. Një prej amendamenteve të Ballës kishte të bënte me mënyrën e ankimimit të vendimeve të Këshillit të Ankesave.
Sipas këtij amendamenti “vendimet e Këshillit të Ankesave ankimohen në Bordin e AMA-s dhe vendimet e Bordit të AMA-s ankimohen në Gjykatën Administrative të Tiranës”.
Paketa “anti-shpifje” është kundërshtuar ashpër nga organizata ndërkombëtare dhe kombëtare të lirisë së fjalës. Sipas kundërshtarëve të kësaj pakete, qëllimi është cënimi i fjalës së lirë dhe kapja e mediave “online” nga qeveria duke dhënë Autoritetit të Mediave Audiovizive kopetencat e gjykatës për të ndërmarrë masa nga gjoba deri në mbyllje të mediave “online”.
Por kryeministri Edi Rama i kundërshton këto akuza duke thënë se paketa ka për qëllim rregullimin e mediave “online” duke nisur nga regjistrimi i tyre deri te parandalimi i shkeljeve të rënda si pornografia, cënim i sigurisë kombëtare dhe shkelja e privatësisë.
Tashmë i takon presidentit Ilir Meta të vendosë nëse do të dekretojë ligjin apo do ta kthejë për rishqyrtim në parlament.