Me 105 vota pro, tre kundër dhe katër abstenim, Genti Sejko është zgjedhur Guvernatori i ri i Bankës së Shqipërisë.
Kuvendi ka zgjedhur pak çaste më parë me votim të fshehtë, Sejkon në krye të BSH-së.
Sejko do të drejtojë institucionin më të rëndësishëm financiar në vend, pas shkarkimit nga detyra të Ardian Fullanit.
Sejko ishte propzimi i presidentit, Bujar Nishani, cili fitoi edhe mbështetjen maxhorancës, ndërsa është votuar edhe në Këshillin Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Kush është Genti Sejko, Guvernatori i ri i BSH-së:
Sejko ka mbaruar studimet pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë, Tiranë, gjatë periudhës Shtator 1987 – Gusht 1991, ku është diplomuar për ekonomist industrie.
Ka kryer studimet pasuniversitare dhe zotëron diplomën Master në Kontabilitet Ndërkombëtar dhe Menaxhim Financiar (MAcc) të kryer pranë Universitetit të Glasgow-t, Departamentit të Kontabilitetit dhe Financës, Skoci, Mbretëri e Bashkuar, përgjatë periudhës Shtator 1996 – Tetor 1997 ku ka mbrojtur temën e dizertacionit për: “Roli i bankave dhe privatizimi i bankave në ekonomitë në tranzicion”.
Ka punuar pranë Bankës së Shqipërisë në periudhën 1993-1995 në Departamentin e Mbikëqyrjes, në pozicionin e Inspektorit të Mbikqyrjes, duke u angazhuar për ekzaminimin e bankave private apo Joint venture që operonin në Shqipëri.
Përgjatë periudhës Qershor – Gusht 1996, ka qënë pjesëmarrës në ekzaminimet e Bankave tregtare në SHBA, Iowa, Chicago, përkatësisht në Federal Reserve Bank, Departamenti i Mbikëqyrjes.
Përgjatë Tetor 1997 – Janar 1998 ka punuar pranë Bankës së Shqipërisë, në Departamentin e Mbikëqyrjes, në pozicionin e Kryeinspektorit të mbikëqyrjes, si përgjegjës për përgatitjen e raporteve të mbikqyrjes bankare sipas sistemit CAMELS.
Ka punuar pranë firmës DELOITTE & TOUCHE, në periudhën janar 1998 deri në dhjetor 2000, si auditor i lartë dhe konsulent, ku ka mbuluar detyrën e përgjegjësit për menaxhimin e procesit të auditimit.
Në periudhën janar 2001 deri më gusht 2001 ka punuar në Bankën Amerikane të Shqipërisë si Drejtor i Divizionit të Auditimit të Brendshëm dhe Përputhshmërisë duke qënë përgjegjës për procesin e Kontrollit të Brendshëm të Bankës dhe për përputhshmërinë me kuadrin rregullator.
Sejko ka punuar për hapjen e degës së Bankës Amerikane në qytetin e Vlorës, në pozicionin e Drejtorit të kësaj dege në periudhën Shtator 2001 – Qershor 2002.
Në periudhën Qershor 2002- Qershor 2004, është rikthyer të punojë pranë Bankës së Shqipërisë, në Departamentin e Mbikëqyrjes, në pozicionin e shefit të sektorit të ekzaminimeve në vend.
Ka pasur eksperiencë pune pranë Bankës RAIFFEISEN në periudhën Korrik 2004 – Maj 2007 në pozicionin e Drejtorit të Divizionit të Auditimit të Brendshëm, Përputhshmëria dhe Marrëdhëniet me Qeverinë.
Në vijim, ka punuar në RAIFFEISEN LEASING. Sh.A., në periudhën qershor 2007 – nëntor 2008, në pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm.
Ndërsa në periudhën nëntor 2008 – korrik 2010 ka punuar si Drejtor i Divizionit të Korporatave pranë Bankës RAIFFEISEN BANK, ku krahas detyrave të poshtëshënuara ka qënë dhe Anetar i Komitetit të Kreditit të Bankës, Anëtar i Komitetit të Menaxhimit të Aktiv Pasiveve, Anëtar i Këshillit Mbikqyrës të Raiffeisen Leasing dhe Anëtar i Këshillit Mbikqyrës të Fondit të Pensioneve.
Deri pak kohësh Sejko mbante pozicionin e Zëvendës Drejtorit të Përgjithshëm dhe Drejtor i Divizionit Retail dhe Rrjetit të Degëve, pranë Bankës “SOCIETE GENERALE ALBANIA” ku mbulonte një seri detyrash dhe ishte anëtar i Komitetit të Menaxhimit të aktiv-pasiveve, anëtar i Këshillit Mbikqyrës të SG Leasing dhe anëtar i Komitetit të Kreditit të Bankës.