ALUIZNI organizoi sot në Durrës, në zonën e Kënetës ndarjen e 1001 lejeve të legalizimit për banorët e kësaj zone. Kreu i ALUIZNI-t, Lame, theksoi se kjo është një zonë me problemet e saj specifike dhe kërkoi bashkëpunimin e mëtejshëm të banorëve në mënyrë që ky proces të vazhdojë me sukses.
Lame në fjalën e tij tha se janë bërë gabime në ndërtimin e këtij qyteti duke shigjetuar kështu në mënyrë të tërthortë kryetarin aktual të Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, i pranishëm në aktivitet, i cili ka mbajtur këtë detyrë për dy mandate dhe po kandidon për mandatin e tretë.
“Durrësi është qytet i ngritur mbi një qytet mesjetar, i cili ka qenë ngritur mbi një qytet antik. Në gjithë këto vite duhet të pranojmë se janë bërë shumë gabime në ndërtimin e tij. Kjo e shton përgjegjësinë tonë gjatë ecjes së procesit të legalizimeve në zonat e qytetit të Durrësit”, tha Artan Lame gjatë fjalës së tij sot, ku ishte i pranishëm edhe Dako. Kryetari i Bashkisë Durrës ndau disa leje legalizimi dhe premtoi se do të punonte që ta urbanizonte dhe integronte zonën e Kënetës.
Gjithsesi, Dako ndihet i qetë në karriken e tij të kryebashkiakut, pas konfirmimit që ka marrë sot zyrtaritsht nga kryeministri Rama, se do të jetë ai kandidati i PS për Durrësin.
“Jam i bindur se me kryetarin në detyrë sot dhe pas 21 qershorit do të vazhdojmë dhe do ta kthejmë Zonën e Kënetës në një lagje që meriton emrin Durrësi i Ri, me rrugë, çerdhe e me radhë. Ne po provojmë çdo ditë se themi ato që bëjmë e bëjmë ato që themi”, u tha Rama, banorëve të Ish-Kënetës.
Kurse Dako falenderoi Ramën dhe deputetët e PS si dhe bazën e partisë që e propozuan për rikandidim. Ai tha se projektet nuk kanë përfunduar ende për zonën e Ish-Kënetës.
Ndërkaq kryeministri Edi Rama tha se ishte kembengulja e Lames për ndryshimin e një vendimi të qeverisë së mëparshme që e cilësonte Kënetën zonë arkeologjike të mbrojtur dhe mbante peng legalizimin dhe zhvillimin e saj. Vetë Lame sqaroi se “problemet e brendshme të kësaj zone janë të shumta. Në Kënetë ka qenë problem zona arkeologjike “B” e cila përfshinte një territor shumë të madh të saj. Me legjislacionin e mëparshëm rrezikonte e gjithë kjo zonë e cila për më tepër është edhe zonë informate. Por në mënyrë përfundimtare me vendimin e datës 1 prill 2015 qeveria shqiptare i dha frymëmarrje procesit të legalizimit në këtë zonë informate duke rishikuar pengesën e zonës arkeologjike “B” e cila penalizonte një numër të madh ndërtimesh informate. Po kështu ka lehtësuar procedurat në zonat informale edhe sa i përket sistemit rrugor duke krijuar lehtësira për vazhdimin e procedurave të legalizimit. Gjithashtu ky vendim i ka dhënë njëherë e mirë fund ndryshimeve në strukturë e volum ndërtimor të objekteve pa leje të shkaktuara si rezultat i mosfunksionimit ndër vite të ALUIZNI-t”.