Larg Tiranës së zhurmshme, netët e Bejkës së Bardhë mbledhin pafund turistë në Himarë! Mjeshtrat e iso-polifonisë që gëzuan gjithkënd, pa para'... (VIDEO)

Publikuar tek: kulture-art, më 11:10 27-05-2019 Larg Tiranës së zhurmshme, netët e Bejkës së Bardhë mbledhin pafund turistë në Himarë! Mjeshtrat e iso-polifonisë që gëzuan gjithkënd, pa para'... (VIDEO) Nga Festivali

Zogjtë nuk e ndalin këngën dhe këmborët e dhenve lëndinave mbushur me lulet plot ngjyra plotësojnë korin e isove që filloi dhe nuk përfundoi për dy ditë e netë me radhë në Pilur të Himarës.

Në datat 25 dhe 26 maj, filloi Festivali i parë i Iso-polifonisë poshtë rrapit shekullor të Pilurit, ku veç grupeve pjesmarrëse të trevave të labërisë, nuk munguan të ftuarit specialë, ata që kishin ardhur për të shtuar gjallërinë e dy ditë-netëve në këtë fshat, tërësisht të transformuar, jo vetëm nga investimet e bashkisë a qeverisë, por më së shumti, nga ata njerëz të thjeshtë e të mirë që kishin hapur dyert për të pritur mysafirët.

Netët e Bejkës së Bardhë, kishin në krye të tavolinës atë që e krijoi dhe lartësoi Bejkën-borë mali, ilaç të çobanit.

Princi i Polifonisë, Lefter Çipa, 78 vjeç, ishte aty, në krye të vendit, mes dhjetëra këngëtarëve që e rrethonin, bënin foton, këndonin vargjet e tij, dhe ndalnin këngën kur fliste mjeshtri.

“Pushoni, mos të këndojë kush, Ermioni, (Mërkuri) nise këngën…pastaj iso të tjerët”. Lefteri, dhe pse me bastunin në dorë, e në tjetrën cigaren që nuk e ndan nga buza, bën dirigjentin. Aty, të gjithë “sus”. Duke e dëgjuar në tryezat e provave para festivalit.

Eno Koço e Petrit Ruka, kanë dëgjuar me vëmendje të madhe grupet pjesmarrëse që tundën Pilurin përgjatë dy ditëve.

Gjergji Goro, kryetari i Bashkisë, ai që i priti të gjithë në sofrën e madhe, tregohet edhe më modest. “U përpoqëm me sa mundësi kishim në këtë Festival të parë. Tradita do të vazhdojë në këtë fshat. Vitin tjetër, do përpiqemi më shumë, për të qenë në lartësinë e këtyre zërave të papërsëritshëm të iso-polifonisë shqiptare” thotë për newsbomb.al Gjergji Goro që nuk e fsheh modestinë, nuk i pëlqen të jetë i parë edhe pse është aty mikpritësi, por shkrihet njësh me të ftuarit, që nuk e ndalin këngën e vallen, si gjatë festivalit, ashtu edhe gjatë gjithë ditës së djelë.

Plakat e Pilurit qëndrojnë poshtë rrapit që bën hije për diellin, shohin të kënaqura aktivitetin dy ditor, dalin që në pikë të mëngjesit për të parë përgatitjet, e qeshin e lodrojnë me të ftuarit.

Turistët e pafundmë që janë ndodhur në Himarë, kanë marrë rrugën deri në Pilur dhe shkrihen njësh me banorë e shqiptarë që ia hidhnin valles poshtë rrapit.

Natën e parë të festivalit në Pilur, në Tiranë bëhej protestë. Por lodra, kënga e vallja në mes të Pilurit, u mori mendjen të gjithëve, e askush nuk pyeste mandej se ç’po ndodhte në Tiranën e zhurmshme.

Të ftuarit

Më i shqetësuar duket gazetari Aleksandër Çipa. Ai gjendet në çdo tryezë. Ka disa arsye. E para se është vendali, bir i zonës. Pastaj është djali i Lefterit, e kështu do të duhet të kujdeset të mirëpresë këdo që hyn e del në fshat. E pas kësaj, aktiviteti është I gjithi në përgjegjësinë e Kristo Çipës, xhaxhait të tij, një ndër njerëzit më aktivë dhe regjizorit e skenaristit të dy netëve. Kristo Çipa, ia doli të marrë duartrokitjet e të gjithëve.

Por në aktivitet kanë shkuar të gjithë. Aty është Arben Bllaci, gazetarja Erjona Rusi, analistja e pedagogia Iris Luarasi, deputeti Alket Hyseni, prefekti Flamur Manaj, shkrimtarë, artistë e kompozitorë, njerëz me pushtet në ekrane, që u bënë njësh me barinjtë që konkurronin për tufat e dhenve.

Baftjar Zeqaj, ish-kryetar i bashkisë së Fierit, ka në fakt një konstatim. Ia thotë edhe Gjergji Goros, kryetarit. “Po si shpjegohet që i lëmë të pavlerësuar gjithë këto grupe. I ulim në tryezë, i themi të na këndojnë ndonjë këngë…e pastaj edhe një këngë tjetër…e pastaj edhe një tjetër. E ata të lodhur kërkojnë një gotë ujë, apo një teke raki, apo kënaqen me miqësinë e ofruar. Por pa shpërblimin e duhur. E mendoni ju t’i kërkonim ndonjërit nga këta këngëtarët e rinj që dalin skenave edhe një këngë edhe një këngë? Ata nuk lëvizin gishtin pa u paguar. Ndërsa këta mjeshtra të iso-polifonisë, mbeten të pavlerësuar” thotë disi me pezm Baftjari, që në kohën e vet në krye të bashkisë së Fierit, ka bërë shumë për artin e kulturën e qytetit.

Në tavolinë, bie heshtja. Të gjithë pajtohen me mungesën e vlerësimit të shtetit, qeverisë, edhe shoqërisë, për zërat e patjetërsueshëm të marrësve dhe kthyesve të këngës, sikurse është me ata të iso-polifonisë.

Por pastaj festa vazhdon. Buçet kënga e fillon vallja. Tingujt e këngës dhe rrahja e këpuceve në sheshin kryesor të fshatit gjëmon prapë. Me premtimin e të gjithëve se “Netët e Bejkës së Bardhë” do të vijnë më të bukura vitin tjetër, si një traditë që ka filluar dhe nuk mbaron.

Shpirti të mbushet kur sheh ndërthurjen e brezave në skenën e këngës iso-polifonike. Janë zërat e rinj, të vegjël, ende të papjekur mirë, krah mjeshtrave të iso-polifonisë. Edhe kur të ikin më të vjetrit, ata të rinjtë do të çojnë përpara traditën për të mos shuar iso-polifoninë.

Sepse siç shkruan Lefter Çipa, “këngët e Atdheut tim, janë ilaç e janë shërim”…për shpirtin e të gjithëve. Dhe siç ishte shkruar gjithashtu në parrullat e logot e aktivitetit “bejkë e bardhë pilurjote, do të mbetet ëndrra jote”.

(Në konkurrim për dy netë me radhë morën pjesë grupet e Himarës, Nivicës, Vranishtit, Lapardhaja, Saranda, Lunxhëria, Tërbaç Kaonet, Grupi i të rinjve Tepelenë, Mallakastër, Çipini, Piluri). /Newsbomb.al

61038221_304189243862685_4636180736607518720_n.jpg

 

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.04345703125
array(1) { ["section"]=> string(152) "larg-tiranes-se-zhurmshme-netet-e-bejkes-se-bardhe-mbledhin-pafund-turiste-ne-himare-mjeshtrat-e-iso-polifonise-qe-gezuan-gjithkend-pa-para-video-165852" }