Ish-deputeti i LSI-së që nuk pranoi të djegë mandatin e deputetit, Ralf Gjoni thotë se i vjen keq për këtë forcë politike që sipas tij “ka ardhur në këtë pikë” ku po i dezertojnë figura të rëndësishme.
Lidhur me largimet ,Gjoni tha në “ReportTV” se në të njëjtën kohë i vjen edhe “për të qeshur” me kryeministrin Edi Rama që sipas tij “ka qenë kaq i dëshpëruar që paska pritur 2021-shin për të kapur 2 apo 3 deputetë të LSI”.
“Janë zgjedhje personale, s’ka si të jetë ndryshe. I shoh me dy ndjenja të përziera, e para është keqardhja, më vjen keq që LSI ka ardhur në këtë pikë. Nuk kam dashur që sot të isha këtu dhe të flisja për largimet. E dyta më vjen të qesh, por jo me LSI-në, por me Edi Ramën, kaq i dëshpëruar ka qenë që priste 2021-shin të kapte dy apo tre deputetë të LSI-së. Largimi nga një parti në tjetrën është fenomen normal në gjithë botën”, u shpreh Gjoni.