Një person i dënuar me 22 vite burg, si dhe i shpallur në kërkim për një sërë veprash penale është arrestuar sot nga Policia e Shtetit, gjatë pasdites së sotme.
Pas një operacioni të mirorganizuar nga Drejtoria e Forcës së Posaçme e Drejtorisë së Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër dhe Komisariatin e Policisë Sarandë ,u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit në kërkim, Alfons Buzheri, 28 vjeç, banues në fshatin Lazarat, të Gjirokastrës, i dënuar me 22 vite burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda për veprat penale: “Rrëmbim Personi kryer në bashkëpunim” dhe “Ushtrim të tortures”.
Gjithashtu ky person ishte i shpallur në kërkim pasi, Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar masën e sigurisë në mungesë, “Arrest në Burg” për “Vrasje të punonjësit të policisë e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim”.
Po ndaj këtij shtetasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër , ka caktuar masën e sigurisë në mungesë “Arrest në Burg“ për veprat penale: “Prodhim e shitje të narkotikeve” dhe “Armbajtie pa leje”.
Pengmarrja e vitit 2012:
Në 16 dhjetor të vitit 2013, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar dënime të ashpra për 7 persona të cilët akuzoheshin se kishin marrë peng dhe torturuar 3 persona të tjerë.
Prokuroria ka kërkuar në atë kohë:
22 vjet burg për Alfons Buzherin
22 vjet burg për Kasëm Buzheri
22 vjet burg për Bledar Muho
20 vjet burg për Aleksandër Kalemin
22 vjet burg për Arbër Meçin
21 vjet burg për Bako Buzherin
21 vjet burg për Vullnet Buci.
Sipas Prokurorisë, këta persona kanë torturuar në vitin 2012, tre shtetas të tjerë pasi dyshonin se ata u kishin vjedhur hashashin që ishte në pronësi të tyre. Pas dhunës dhe torturës së ushtruar mbi ta, tre të dhunuarit kanë pranuar me detyrim se ishin ata që e kishin vjedhur lëndën narkotike. Më pas ata ishin lënë të lirë, ndërsa kanë denoncuar në polici ngjarjen.