Dy nga efektivët e policisë në Librazhd janë arrestuar pasi akuzohen se lejuan kultivimin e lëndëve narkotike.
Bëhet fjalë për Gurrali Torra dhe Luan Qosjen, të dy inspektorët në Librazhd të cilët u arrestuan nga SHÇBA.
Njoftimi:
Sot në kuadër të procedimit penal nisur ne 2016, regjistruar në Prokurori për veprën penale të “Kultivimi i bimëve narkotike”, parashikuar nga neni 284 i Kodit Penal, i ndjekur me metoda speciale të hetimit, nga strukturat e SHÇBA-së Elbasan është bërë finalizimi me sukses dhe goditja e veprimtarisë së paligjshme të kryer nga punonjës të strukturave, kryesisht në favorizimin e kultivimit të bimës narkotike Cannabis Sattiva.
Eshtë arritur të dokumentohet veprimtaria e dyshuar kriminale e punonjësit të policisë Inspektor Luan Qosja, me detyrë SPZ pranë Komisariatit të Policisë Librazhd, i dyshuar per kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, si dhe Inspektor Gurali Torra, ish-SPZ pranë Stacionit të Policisë Prrenjas, aktualisht me detyrë oficer i Patrullës së përgjithshme, trup shërbimi për rendin pranë Komisariatit të Policisë Librazhd, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, vepër kjo e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Mbi bazën e hetimeve të kryera, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me Vendimet Nr.232 dhe Nr.233, datë 23.03.2017, ka caktuar ndaj tyre masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”. Çështja vijon të jetë nën hetim.