Leksionet e kryeprokurorit të Kroacisë duket se kanë qenë të vlefshme në dëgjim për prokurorët shqiptarë, nëse nuk ka ndodhur ajo që në një “vesh u kanë hyrë, e nga tjetri iu kanë dalë”.
Dinko Cvitan, prokurori i Përgjithshëm i Kroacisë, njeriu që ka arrestuar ish kryeministrin kroat Ivo Sanader, gjatë trajnimit të 20 prokurorëve të krimeve të rënda, u ka folur atyre me gjuhë të thjeshtë.
Prokurori kroat u ka thënë se për të kapur abuzuesit me ligjin në radhët e politikës, nuk duhet të merren thjesht duke ndjekur paranë, por “të ndjekin njerëzit që fshehin paranë”. Hetimet nisin sipas tij me pasuritë e pajustifikuara, dhe sipas përvojës ballkanike, paratë nuk i investojnë në pasuri të paluajtshme, por në aksione biznesi që nuk gjenden kurrë.
Kryeprokurori kroat ka thënë se duhet të kenë njerëz me vullnet, këmbëngulje dhe vetëmohim për të ndjekur këto çështje. Ai thotë se për të kapur njerëzit e korruptuar me pushtet, duhet të ketë shumë bashkëpunëtorë, dhe këtyre të fundit, duket t’u garantohet privatësia për të bashkëpunuar. Shumë emra të njohur të prokurorisë së krimeve të rënda që kanë edhe çështje të bujshme, si Adnan Xholi, Kulluri, Çela etj, ishin në panelin e trajnimit.