Gjatë orëve të natës u regjistruan lëkundje tërmeti me intensitet të konsiderueshëm, e ndërsa shumë qytetarë në Tiranë e Durrës e kanë ndjerë, të tjerë shprehen se kanë vijuar të qetë gjumin.
Lëkundja rreth orës 3 të natës e kishte epiqendrën në fshatin Kuraten, pranë Gjirit të Lalzit, e më së shumti qytetarët u njoftuan nga aplikacionet që kanë shkarkuar në telefonat e tyre.
Por sizmiologët thonë se nuk ka vend për panik. Lëkundjet që u raportuan nga aplikacionet si të magnitudës 4.5, sipas monitorimit lokal, rezultojnë 4.0. Profesor Llambro Duni shpjegon se qytetarët duhet t’u referohen të dhënave që raportohen nga Instituti i Gjeoshkencave Energjisë dhe Ujit. Ndërsa psikologët rekomandojnë fshirjen e aplikacioneve, që mund të shkaktojnë më shumë shqetësime, aty ku nuk ka vend për panik.