Letër Donald Lu, prindërit e Arben Frrokut: Ju s’e imagjinoni sa është përfolur për djalin tonë, s’ka prova që vrau Lamajn

Publikuar tek: aktualitet, më 08:00 20-11-2015 Letër Donald Lu, prindërit e Arben Frrokut: Ju s’e imagjinoni sa është përfolur për djalin tonë, s’ka prova që vrau Lamajn Ambasadori Amerikan, Donald Lu

Një letër drejtuar ambasadorit amerikan Donald Lu nga prindërit e biznesmenit të dënuar me burg të përjeshtëm për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamajt. Kjo letër vjen fill pas deklaratës “bombë” të ambasadorit  i cili tha se “Arben Frroku që vrau një shef policie, u lejua në mënyrë të mistershme të largohej nga vendi derisa ishte në pritje të apelimit të gjykatës”.  Leze e Preng Frroku, i shkruajnë ambasadorit Lu në letër se nuk ka asnjë provë që djali i tyre Arben Frroku ka vrarë Lamajn.

“Unë që po ju shkruaj quhem Preng Frroku, babai i personit të dënuar Arben Frroku, personi që nga ju është konsideruar kriminel shumë i rrezikshëm që lëviz i lirë. Z.Ambasador! Pasi dëgjova fjalët tuaja, që për fatin e mirë ju i shqiptuat në gjuhën shqipe, u ndjeva shumë keq, madje u ndjeva i zhgënjyer nga ju, pasi mendoj se konkluzioni juaj është i nxituar, pasi djali im ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë kundër vendimit të Gjykatës së Apelit, dhe si rrjedhojë e kësaj drejtësia shqiptare akoma nuk e ka dhënë fjalën e fundit në çështjen penale kundër tij. I nderuar z.Ambasador! Unë e vlerësoj shumë punën tuaj dhe mendoj se fjalët dhe orientimet tuaja janë piketa për qeverinë dhe ministrat tanë, por do t’ju lutesha shumë që, ato mesazhe që jepni të jenë sa më të paanshme, sa më të sakta, dhe ajo që është më kryesorja, të jepen në momentin e duhur. Këtë jua thotë një burrë i moshuar që jam unë, me shumë vite mbi shpinë, jo me shkollë shumë, por me shumë vite eksperiencë nga jeta. I nderuar z.Ambasador! Unë së bashku me familjen time, gjatë gjithë jetës kemi vuajtur shumë, kemi vuajtur në sistemin e komunizmit, dhe për fatin tonë jo të mirë, po vuajmë edhe tani. Madje akoma më shumë tani që erdhi koha e demokracisë. Vuajtjet e mia dhe të familjes sime konsistojnë në kalvarin e gjyqeve të filluara nga prokuroria kundër fëmijëve të mi, ku ende pa përfunduar gjyqet kundër tyre, ata janë konsideruar fajtorë të ngjarjeve shumë të rënda, madje kaq shpejt te rasti i Arbenit, sa as tri orë nuk kishin kaluar nga vrasja e shefit të policisë, kur drejtoria e Policisë Tiranë kishte deklaruar se kishte identifikuar autorin e vrasjes, duke nominuar emrin e djalit tim, Arben Frroku, si autorin e vrasjes së shefit të policisë, të ndjerit Dritan Lamaj. Që në vitin 2013, që djemtë e mi vendosën t’i futeshin politikës, gjërat për të gjithë ne familjarët e tyre kanë ndryshuar. A thua se ne ishim një tabelë qitjeje, si nga njëri krah, po ashtu edhe nga krahu tjetër i politikës, ku të gjitha këto palë, me qëllimin e vetëm të fitonin ndopak pikë në fushatën elektorale të vitit 2013, gjë e cila ka vazhduar për shumë kohë, deri edhe në ditët e sotme. Është e vërtetë që, për fatin e keq të tij dhe të familjes, më datë 24.02.2013, në Tiranë është vrarë një shef policie, i ndjeri Dritan Lamaj”, thuhet në letrën e publikuar nga GSH.

“Ju z.Ambasador, në shkurt të 2013-ës, duke mos qenë në Shqipëri, nuk arrini ta imagjinoni se sa shumë është përfolur për djalin tim, që në orët e para pas ngjarjes, duke e deklaruar atë si autor të kësaj ngjarjeje të rëndë. Kjo si pasojë e një konflikti të mëparshëm që djali im, Arben Frroku, kishte pasur me viktimën Dritan Lamaj, konflikt të cilin djali im e kishte denoncuar dhe po e ndiqte në rrugë ligjore. Që natën e vrasjes së shefit të policisë, më datë 24.02.2014, pas afro tri orësh Arbeni është konsideruar autor i kësaj vrasjeje, pa pasur as edhe një provë të vetme. Jo vetëm atë natë, por as edhe pas dy vitesh, deri kur më datë 03.04.2015, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda e deklaroi të pafajshëm, duke deklaruar se ai nuk kishte lidhje me atë vrasje të rëndë. I nderuar z.Ambasador! Jam shumë i sigurt që po të kishin qenë në Shqipëri në shkurt të vitit 2013 dhe në vazhdim, edhe ju si observator i jashtëm, po ashtu sikurse çdo shqiptar tjetër që ka dëgjuar për këtë çështje penale, nuk do të kishin bërë një deklarim të tillë kundër djalit tim, Arben Frroku, duke e konsideruar autorin e asaj vrasjeje të rëndë. Duke e konsideruar si një kriminel që i shmanget drejtësisë dhe lëviz i lirë. Madje, mund të them se po të kishit qenë në Shqipëri nga data e vrasjes e në vazhdim, ju garantoj se do ta kishit pasur të pamundur të mos përfshiheshit edhe ju në diskutime për këtë çështje në rrethet tuaja miqësore, pasi ato të gjitha të ashtuquajturat prova që mendonte të kishte prokuroria, ishin bërë publike dhe i dinin të gjithë, dhe si pasojë e kësaj, mendoj se do të kishit dalë në një konkluzion krejtësisht ndryshe nga ç’keni dalë më datë 17.11.2015. Madje, mendoj se do të kishit dalë me kritika shumë të ashpra kundër asaj trupe gjyqësore të Gjykatës së Apelit, që ka vendosur ta shpallë fajtor Arben Frrokun, duke e ftuar të gjithë trupën gjyqësore të japë vendime vetëm duke u bazuar në provat e dosjes dhe të pandikuara nga rrethana të tjera të jashtme. Sikurse janë deklarimet e politikëve, që bëhen për interesa politike, nga ku dhe vendimet e gjykatave nuk pasqyrojnë realitetin e dosjes, por janë rrjedhojë e një presioni të jashtëm mbi gjykatat që japin vendimin. Ju kujtoj, se në vendimin që ka marrë Gjykata e Apelit kundër Arbenit, jo të gjithë gjyqtarët e trupit gjykues e kanë konsideruar fajtor djalin tim. Në përbërje të kësaj trupe të Apelit kishte gjyqtarë që e kanë deklaruar të pafajshëm djalin tim dhe, si rrjedhojë, është dënuar jo me votë unanime nga kjo trupë gjyqësore”, thuhet ndër të tjera në letër.

“Jeni të lutur që brenda mundësive dhe kapaciteteve që dispononi të jepni ndihmën tuaj për një vlerësim të drejtë dhe korrekt të çështjes në fjalë. Ju falenderoj për kohën e çmuar kushtuar letrës sime. Ju uroj shëndet dhe mbarëvajtje në punën tuaj”, përmbyllet letra.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Rrëfehet e arrestuara Sonila Dinoshi: Si u përfshiva në trafikun e drogës, doja të shpëtoja nënën
Majlinda Bregu, vargje në italisht për Sokol Olldashin: Kanë mbetur shumë gjëra pa thënë... »
Article Logic
Execution time: 0.01307487487793
array(1) { ["section"]=> string(125) "leter-donald-lu-prinderit-e-arben-frrokut-ju-s-e-imagjinoni-sa-eshte-perfolur-per-djalin-tone-s-ka-prova-qe-vrau-lamajn-25857" }