LETRA E HAPUR E DORËHEQJES

Publikuar tek: pa-stres, më 09:44 25-05-2019 LETRA E HAPUR E DORËHEQJES

Nga Edi Oga ekskluzivisht për newsbomb.al *Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i këtij materiali

Të dashur (lexo: të urryer) politikanë!

Të dashur (lexo përsëri të urryer)  pushtetarë dhe opozitarë!

Qeveritarë, parlamentarë dhe qëndrestarë!

Pësëistë, pëdëistë dhe lësëistë!

Të gjithë ju vampirë, shushunja, rriqna dhe mushkonja që ushqeheni dhe majmeni me gjakun tonë; kjo është letra e dorëheqjes sonë të parevokueshme!

E di që është tepër e vonuar, duhet të kishte ndodhur vite më parë, por ju e dini si jemi ne shqiptarët, hë të ngrihemi sot, hë të ngrihemi nesër, e keni parasysh, mukajeti, ai që të lë pa u martuar.!

......................Ndërkohë ju "namin", me gjakun tonë!

Përveç përtesës, ne kemi edhe atë të keqen tjetër, pse të ngrihem unë, të ngrihet ai, të ngrihen ata të tjerët! Vërtetë unë nuk jam edhe aq mirë, po ka edhe më keq se mua! Kur nuk ngrihen ata, pse të ngrihem unë?

......................Ndërkohë ju "vuuuu", me gjakun tonë!

Po që jemi pak dhe dalim të gjithë kushërinj me njëri-tjetrin?! Po që ju vampirë, shushunja, rriqna dhe mushkonja shpesh jeni njerëzit tanë, madje edhe të afërt?! Pse kundër jush do ngrihemi ne?!

......................Ndërkohë ju "mbushni barkun", me gjakun tonë!

Turp është, po ne kemi edhe një të keqe tjetër. Po na u dha mundësia, edhe më i miri prej nesh, bëhet si ju, vampir, shushunjë, rriqën ose mushkonjë brenda natës! Sa biem në një damar gjaku, i harrojmë të gjitha ato që kemi thënë dhe fillojmë e nginjemi me gjak si ju, pa pikë turpi!

......................Ndërkohë ju "ohohoho", me gjakun tonë!

Nga sot, kjo historia e gjakpirjes mori fund!

Ne nuk kemi më gjak për ju! Na ka mbetur aq pak për vete, sa me zor mbahemi në këmbë. Ja, kështu kemi mbërritur deri këtu ku jemi sot, zvarrë e duke u çapitur nëpër histori, gjithmonë me dikë në shpinë që na mundon e na pi gjakun! Por jemi komb i lashtë dhe dikur kemi ditur si të shpëtojmë nga ju. Për pak kohë, po na ka shijuar shumë dhe kënaqemi kur ua rrëfejmë brezave!

Ju nuk keni më punë me ne! Ju bëni ç'të doni! Në daç shqyeni dhe thithni gjakun e shoshoqit, në dash gjeni kopé tjetër, në daç ngordhni të gjithë siç jeni! Nuk na dhimbseni fare! Ju kemi duruar 30 vjet, nuk ju durojmë më asnjë ditë tjetër!

Vampirë! Shushunja! Rriqna! Mushkonja!

Firmosur, Populli!

(P.S. E di që është pak si e vonuar, duhet të kishte ndodhur vite më parë, por jua shpjegova që në fillim, ai dreq mukajeti, ai që të lë pa u martuar!)

 

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « O TENI, O KOKËRR LEGENI...?
»
Article Logic
Execution time: 0.03026008605957
array(1) { ["section"]=> string(33) "letra-e-hapur-e-doreheqjes-165625" }