Letra për kryetarin që i dha qytetit Kulturë

Publikuar tek: analiza-komente, më 23:35 19-03-2015 Letra për kryetarin që i dha qytetit Kulturë (Nga e majta ne te djathte) Pellumb Kulla, Baftjar Zeqaj, Leka Bundo

I dashur Baftjar…
Na lejo të mos e nisim me titullin zyrtar, se ndërkohë ti je bërë një nga miqtë tanë më të afërt dhe ne do të jemi tërë jetën krenarë për miqësinë tënde.
Në periudha të tilla zgjedhore që duhet të ishin muaj reflektimi dhe mirënjohjeje dhe në të vërtetë anojnë e përfundojnë në muaj pezmi, sharjesh dhe intrigash, jo vetëm shqiptare, dhe jo vetëm ballkanike por edhe më gjerë, ne kemi heshtur. Bile edhe nuk të kemi telefonuar aq shpesh sa më parë. Si shumë miq të tutë, edhe ne, kemi heshtur dhe kemi ndjekur tërë çka është folur e përfolur, tërë çka është sharë dhe mallkuar. Dhe nga epërsitë e viteve që mbajmë mbi supe dijmë t’i gjykojmë të gjitha… 


I dashur kryetar i Bashkisë së Fierit… 
Nuk do të ketë në tëra kohërat në botë njeri të pushtetshëm, kryetar i një bashkie, a kryeministër i një vendi, a qoftë edhe president i ShBA, pra nuk do të ketë një njeri vendimmarrës që të ketë vulën e një vendi dhe të arrijë dot t’i bëjë tërë nënshtetasit e tij të kënaqur e aq më pak të lumtur. Ne, edhe ti shumë më shumë se ne, kemi marrë përsipër të jemi persona publikë dhe personat publikë janë në gjykim të përditshëm qoftë në fushën e artit e qoftë në atë të administrimit. Ti para 12 vjetësh more një detyrë, në Shqipëri, në një nga vendet më të vështirë të botës, ku virtutet janë rralluar e dobësuar për shkaqe të njohura, ku intrigantët janë më të shumtë se intrigat, ku shpifjet nuk dënohen pothuaj asnjëherë e ku ata që të urrejnë këlthasin e zhurmërojnë pa pushim edhe më fort se ata që të duan e që të janë mirënjohës. Dhe na e do zemra, e nuk gabohemi të themi se këta të dytët janë shumë herë më të shumtë për vitet kur ti ke qenë në krye të punëve. E nëse ata nuk flasin kjo tregon që ata nuk e preferojnë zhurmën edhe atë për mirë, janë më të përmbajtur dhe në qetësinë e tyre urojnë që të drejtat të mos mbyten në detin e ndohtur. Ata që nuk përdorin tritolet në Shqipëri janë mijëra dhe mijëra herë më të shumtë se keqbërsit që i përdorin ato. Por janë këta keqbërës që mbretërojnë në faqet e para të gazetave.
Ti, zoti kryetar i Bashkisë së Fierit, pate fatin t’u bësh ballë punëve në një periudhë kur pushteti qendror uronte të thyeje qafën, kur fondet qendrore t’i shterrën, kur përkujdesjet për jetimët dhe të moshuarit deshin mbështetje dhe nuk t’i jepnin, kur inisiativat për të mirën e qytetit t’i penguan për të mos thënë sabotuan. Do të mjaftoheshim të përmendnim artin, që nën përkrahjen tënde të palodhur, qyteti i Fierit u bë model, ngaqë lëvizjet artistike nuk rreshtën kurrë, ngaqë artistët shqiptarë vendas e ata përtej kufijve të vendit nuk i munguan kurrë. E nuk flasim vetëm për teatrin, që ne e njohim më mire, por për të gjitha gjinitë që përfshin arti. Dhe duam të theksojmë e dëshmojmë me vërtetësi, që në atë qytet nuk shkeli kurrë këmba e një ministri të kulturës apo e ndonjë zëvendësi të tij, qoftë në hapjen e një ekspozite, qoftë të një festivali, të një shfaqje teatrale, apo e një feste jubilare si ato të 50 vjetorit të Estradës Profesionist dhe 40 vjetorit të Teatrit! Është thënë dhe stërthënë që kupola qeveritare e viteve që shkuan i konsideronte zonat e administruara nga kundërshtarët e saj politikë si territore të pushtuara nga armiqtë e kombit. Dhe ky është një nga treguesit më skandalozë të tranzicionit shqiptar! Por ti, zoti Zeqaj, me ekipin tënd e përballove këtë situatë me dinjitet dhe me sukses.
Ne çmuam edhe gjestin tënd të ftesës të mirëseardhjes të kandidatëve të tjerë në garën elektorale. Ishte një veprim i hijshëm edhe dinjitoz. Kjo është në harmoni të plotë me sensin e qytetarisë që të ka karakterizuar. Ne kemi admiruar marrëdhënien tënde me njerëzit, me miqtë dhe kundërshtarët, me biznesmenët dhe të papunët, me të pashkolluarit dhe intelektualët, me lypsit dhe me punonjësit e rendit, me ata që të kishin votuar dhe me ata që s’të votuan kurrë. Thjeshtësia jote ishte emocionuese dhe të shpie të mendosh për edukatën e shëndoshë dhe vijën e kulluar të prejardhjes tënde familjare. Në trajtimin e kujdesshëm të artistëve, si të Luftar Pajës, apo Fuat Bocit, Ndrenikës, Petrovcit, Leka Bungos dhe ne, të nënshkruarve veç mikpritjes ndihej lidhja jote e natyrshme me të bukurën, sensi yt artistik, sensi i humorit dhe ekzigjencat e tua estetike. 
E për këtë ti, Baftjar, na u bëre edhe më i afërt.
Ne do të dëshironim që edhe më tej të ishe ti, në krye të vendit, por si janë gjithmonë punët atje, autonomia lokale ka vend vetëm në Fjalorin e Shqipes. Emrat e kandidatëve e të gjitha partive, do të vijnë nga pushteti qendror kryeqyteti. Ne për qytetin tonë të shtrenjtë, Fierin, kemi akoma shpresë se pavarësisht nga hapësira miqësore që i le përzgjedhjes, të të nominonin përsëri ty. Por sidoqoftë, edhe sikur të jetë një tjetër, do të deshim fitimtar një njeri të çfarëdo krahu politik, që të kishte për ty, pararendësin, të njëjtin vlerësim që kemi ne. Dhe ne do t’ia dëshironim qytetit një kryetar edhe më të mirë se Baftjar Zeqaj i tre legjislaturave që kaluan. Pra me pajën e përvojës do të të deshim edhe ty vetë më të mirë akoma në këtë legjislaturë të re! 
Por kjo është punë, fushatash zgjedhore, votash edhe numrimesh. Ne shkruam se si gjatë këtyre viteve njohëm dhe fituam një mik të vyer, një mik që jemi të sigurtë që do ta kemi në jetë të jetëve, mik me dyer shtëpish të hapura, kudo që të ndodhemi në skajet e këtij planeti.
E këtij miku i urojmë paskëtaj një jetë shoqërore të pasur dhe natyrisht edhe një jetë të qetë familjare pas kaq vitesh të përkushtuara.

(letra e Pëllumb Kullës për Baftjar Zeqaj është botuar në faqen e tij facebook)

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.018562078475952
array(1) { ["section"]=> string(49) "letra-per-kryetarin-qe-i-dha-qytetit-kulture-6406" }