LIDERA QË NUK I DUHEN AS DREQIT!

Publikuar tek: aktualitet, më 13:23 13-07-2020 LIDERA QË NUK I DUHEN AS DREQIT!

Nga Edi Oga për newsbomb.al

Ka perënduar koha kur lideri ishte njeriu më i fortë, më i guximshëm, më ditur e më i pashëm i komunitetit apo popullit që udhëhiqte! Sigurisht, lideri duhet të ketë cilësi që e veçojnë atë nga të tjerët, por që për fatin tonë të keq, nuk janë ato që përdorim ne shqiptarët për të zgjedhur një lider!

Ne bëjmë gabimin më të pacivilizuar të zgjedhjes së liderit në demokraci, ne përfshihemi emocionalisht në tipare të jashtme dhe të brendshme të personave që zgjedhim! Ne i vlerësojmë akoma liderat nga shtati, nga ngjyra e flokëve, nga mjekra, nga buzëqeshja, nga mënyra sesi flet, nga mënyra sesi na qan hallet, sesi na përkëdhel sedrën. Ne afeksionohemi ndaj liderave që zgjedhim. Ne kujdesemi që ata të mos i prekë kush qoftë edhe me fjalë. Ne krijojmë empati për liderat tanë. Kur lideri vuan, ne vujamë si ai!

Kur them ne, e kam fjalën për ata që e bëjnë, sepse një pjesë e zgjedhësve janë po aq hipokritë sa liderat e tyre, madje një pjesë e tyre janë edhe më të poshtër se vetë liderat, por për arsye të tjera nuk kanë mundësi të shkojnë aq lart! Për fat, po shtohet në Shqipëri numri i qytetarëve të shkolluar, të cilët kanë gjykimin e duhur për cilësitë e liderit!

Ka ardhur koha që të shkëputemi nga lidhjet shpirtërore me liderat tanë politikë!

Duhet "të lidhemi" vetëm me punët që ata bëjnë për të na përmirësuar jetën!

Nëse ju pëlqen ky që kemi, votojeni sërish, por jo pse është më i gjati, më i pashmi, më "i squti", më i lezetshmi. Jo pse është gjynah të mërzitet, po "e hoqëm nga puna"!

Mendoni se çfarë ka bërë ai për jetën tuaj në këto 7 vite dhe nëse kjo është ajo që doni për veten dhe familjen tuaj, jepjani votën, le të rrijë! Nëse mendoni se ka bërë mirë, mbase bën akoma më mirë. Shumë mendojnë se po na shpie në një "udhë pa krye". Po nuk u bënë aq shumë sa duhet, i bie ta lëmë të na shpjerë atje dhe të shohim si është në fund të një "udhe pa krye"! Ta shohim me sytë tanë, siç e pamë në '97n, sepse ne po nuk e provuam vetë një për një, ne nuk bindemi!

Nëse ju bind ky që po kërkon të bëhet kryeministër, ky që premton ulje taksash dhe ngritje ekonomike, votojeni! Edhe nëse nuk ju bind, mendoni se çfarë ka bërë dhe po bën ai tjetri! Mbase thjesht për ta ndalur atë, duhet të votojmë këtë apo ndonjë tjetër!

Vetëm ju lutem, zgjidhni me tru, jo me zemër! Jo si është, por çfarë bën!

Liderin nuk ka pse ta duam, ai nuk është njeri i shtëpisë apo shoku ynë!

Liderin duhet ta ngarkojmë me punë, me ato që vetë ai premton dhe neve na pëlqejnë kur i dëgjojmë!

Liderit duhet t'i kërkojmë llogari dhe ta shkarkojmë kur nuk punon mirë!

Lideri që gabon, edhe mund të falet, kurse lideri fajtor duhet gjykuar e ndëshkuar!

Në këta 30 vite, liderat tanë kanë bërë me ne çfarë u ka dashur qejfi! Mbase kanë bërë edhe punë të mira, por për ato të këqijat (që në disa raste kanë qenë kriminale) nuk u ka hyrë gjemb në këmbë! Më e keqja që i kanë bërë këtij populli, është se e kanë ndarë në llogore pasioni! Zgjedhësit adhurojnë "të vetin" dhe "urrejnë" opozitarin! Dhe ia kanë dalë! Akoma tek ne nuk votohen programet, por personat!

Nëse kjo nuk ndryshon, nuk kemi gjë në terezi!

Përvoja botërore tregon se një vendi si ne i duhet një shtet i fortë dhe një lider i dobët, dhe jo e kundërta! E kotë t'jua kujtoj se sa më gjatë të qëndrojë në pushtet një lider, aq më e vështirë është ta shkulësh!

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0099101066589355
array(1) { ["section"]=> string(38) "lidera-qe-nuk-i-duhen-as-dreqit-213704" }