LINDE EDHE TI NJË FËMIJË!

Publikuar tek: fcb-bomb, më 13:36 30-06-2020 LINDE EDHE TI NJË FËMIJË! Marsi Simo, psikologe

Nga Marsi Simo

E çfarë i gjeti gjysheve tona që bënin nga 8 apo 10 fëmijë? Apo nuk rrojtën edhe 90 vjeç?

Mirë kjo, po nuk ankoheshin si ne të rejat e sotme. Leja e lindjes ishte fare e shkurtër dhe prapë ia dilnin. Sot me ligj e ke që edhe burri merr leje lindje dhe ti si zonjë ikën dhe i kthehesh punës. Dikur ato gra çoheshin në pikë të mëngjesit, lanin, pastronin, ngrohnin ujin me kushte mjerane, lanin rrobat me dorë dhe i hekurosnin me hekurin 5 kilësh pa avull. Prisnin e përcillnin njerëzit e burrit, lanin edhe këmbët e vjehërrisë apo kunetërve dhe gojën se çelën një herë. Ne sot shtypim butonat dhe procesi nis vetë i lavatriçes, lavastoviljes etj. Dikur gratë ecnin në këmbë nga njëri vend në tjetrin se nuk kishte transporte mjaftueshëm. Dy fëmijë për dore e një në qafë, trastat, ushqimet me vete dhe ishin të kënaqura.

Po sot o grua pa më thuaj si je?

Kushtet të tëra i ke, dhe dy fëmijë mezi po i bën!
Sot, shumica e çifteve të reja e nisin bashkëjetesën me borxhe apo kredi. Le të fillojmë të përmendim disa para të marra hua për dasmën, shtëpinë apo mobilimin. Me interesin ekzistues të kredisë sot, shtëpia bëhet e çiftit diku pas 20 vjetësh. Dikur një divan dhe një kolltuk rregullohej, ndërsa sot orenditë duan orë më vete për tu pastruar. U lanin shqiptarët një herë në javë, por sot duhet të lahesh dy herë në ditë prej pluhurit që gjendet jashtë shtëpisë. Rrobat janë lloje lloje, disa kinezi dhe disa turke, ku për pak kohë do blesh të tjera sepse jemi kthyer në shoqëri konsumatore.

Vjen në jetë fëmija e parë dhe nisin gjithë analizat e mundshme ku bashkë me procesin e lindjes të ikin ca para të mira. Leja e lindjes vërtet është 9 muaj po vendin e punës nuk ta mbajnë kudo. Nëse ligji ia mundëson burrit të marri lejen, kjo do edhe disa dekada për të kaluar në mendje dhe kismet për tu zbatuar.

Popullsia është rritur dhe në çerdhe lista e pritjes për regjistrim, i ngjan atyre të marketeve qe japin ushqime me veresi. (Nuk kam fakte ndaj nuk po them qe drejtoresha do 100 mije lekë për regjistrim).

Nëse fëmija të sëmuret, komshiut nuk ia lë dot si dikur. Nëna apo vjehrra jote është ende në punë e nëse jo, nuk ka detyrë të ta mbajë, se jeta shumë e ka lodhur.

Fëmija do dhuratë për ditëlindje dhe jo thjesht një kek si ai që të bënte mamaja jote. Po festat e fëmijëve nuk mbarojnë se ato janë të shumta gjatë vitit dhe ti si prind priresh t`ia plotësosh se nuk do të hysh në faj.

Vjen pasditja e do të pushosh, vogëlushin jashtë nuk e nxjerr dot pa i qëndruar një metër afër. Se sot e përgjithmonë do ta kujtojmë me mall vitet kur me bukë në dorë luanin, ndërsa prindërit na hidhnin një sy nga dritaret prej druri.

Po fëmija do shkojë në shkollë, do çantën me personazhe, do libra jashtë klase, kurse noti për trupin dhe një vegël muzikore për shpirtin. Ndërsa ti si prind përpiqesh ta “mbushësh” duke e formuar, një bashkëmoshatar e zbraz me dëshirat rebele të moshës dhe pikëpamjet e shtrembëruara të demokracisë. Ndoshta dhe bashkëmoshatari nuk është tërësisht fajtori se prindi i tij nuk ka luksin tënd që në 6 pasdite e gëzon fëmijën, pasi duhet të punojë më turne apo pa turne, me orar e pa orar, të paguar, ndoshta më shumë të papaguar.
Ato gra dikur bënin nga 8 apo 10 fëmijë. Ulnin kokat dhe pranonin fatin e ardhur prej zakoneve prapanike.

Ne gratë e sotme luftojmë çdo ditë për më shumë liri. Se i treguam (vjehërrve) apo ata vetë e kuptuan që këmbët duhet tˋi lajnë vetë deri sa të kenë dy duar. Po edukojmë burrat që të qëndrojnë më gjatë në shtëpi dhe të kujdesen po ashtu për fëmijët që vetë i krijuam. Mundohemi edhe të lexojmë apo të shikojmë që nuk mund të ecim me filozofinë e të riprodhuarit, por të përmirësuarit.

Duke e nisur nga vetja jone!

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.010365009307861
array(1) { ["section"]=> string(31) "linde-edhe-ti-nje-femije-212299" }