Lirimi nga burgu i anëtarit të bandës së Durrësit, zbardhet vendimi dhe 5 arsyet e Gjykatës

Publikuar tek: aktualitet, më 16:55 20-01-2020 Lirimi nga burgu i anëtarit të bandës së Durrësit, zbardhet vendimi dhe 5 arsyet e Gjykatës

Një tjetër person i rrezikshëm është liruar nga burgu dhe bëhet fjalë për Sardian Sulejmanin anëtar i bandës së Durrësit i cili u lirua nga burgu i Fierit 3 muaj më parë.

 Ish anëtari i bandës së Durrësit sipas vendimit të gjykatës është liruar për sjellje të mirë, nuk ka qenë i dënuar më parë, nuk ka probleme me përdorimin e alkoolit, ndërkaq një tjetër arsye është edhe premtimi për të lidhur një kontratë pune pasi të dalë nga burgu. Një tjetër arsye e lirimit të parakohshëm ka qenë edukimi i tij dhe fakti që ka babain e sëmurë.

 “Urdherohet lirimi i menjehershem i të dënuarit Sardian Sulejmani nga IEVP Fier. Gjykata e Fierit vendosi pezullimin e ekzekutimit të pjesës së mbetur të dënimit të të dënuarit Sardian Sulejmani prej 4 vjet 10 muaj e 17 ditë burgim, me kusht që gjatë një afati prove të barabartë me pjesën e mbetur të dënimit, i dënuari Sardian Sulejmani të mbajë kontakte me Zyrën Vendore të Shërbimit të Provës dhe të mos kryejë asnjë vepër tjetër penale”, thuhet më tej në vendim.

Sulejmani është liruar nga burgu i Fierit prej tetorit të 2019 dhe prej 3 muajsh qëndron i lirë. Ai ishte dënuar me 25 vite burg nga Gjykata e Lartë. Mësohet se ai akuzohet për 'vrasje me paramendim të mbetur në tentativë' pasi ka tentuar të eliminojë kreun e bandës së Durrësit Lulzim Berishën dhe Avni Gashin në Tiranë. Anëtari i bandës së Durrësit ka kryer 20 vite burg ndërsa 5 vite i janë falur për sjellje të mirë.

ARSYETIMI i GJYKATES:

Gjykata ka arritur në konkluzionin se riintegrimi i të dënuarit Sardian Sulejmani në shoqëri, është i mundshëm për arsyet e mëposhtme:

1-Gjatë 1-2 viteve të fundit që ka vuajtur dënimin në IEVP ka shfaqur sjellje korrekte me bashkëvuajtësit si dhe me punonjësit,duke respektuar rregulloren dhe ligjet në fuqi,duke treguar kështu që është arritur qëllimi për edukimin e tij.

2-Nga vërtetimi i gjëndjes gjyqësore figuron se i dënuari Sardian Sulejmani nuk ka qenë më parë i dënuar.

3-I dënuari nuk rezulton të ketë probleme me përdorimin e alkoolit, apo të lëndëve narkotike, faktor i cili ndikon ne proçesin e riintegrimit të të dënuarit në shoqëri dhe shërben si faktor parandalues në kryerjen e sjelljeve devijante në shoqëri.

4-I dënuari ka paraqitur një premtim për lidhje kontrate pune dhe shprehet se është i motivuar për të punuar dhe për të siguruar të ardhura për familjen.

5-Gjendja shëndetsore e të atit të të dënuarit nuk është e mirë, pasi ka probleme me zemrën, për të cilën ka qënë disa herë i shtruar në spital.

VENDIMI I PLOTE I GJYKATES:

Gjykata e Shkallës së Parë e Rrethit Gjyqësor Fier,  e përbërë prej trupit gjykues:

Gjyqtar – Piro SOTA

 Asistuar prej sekretares gjyqësore Elena Stroni, në Fier, në dt.11.10.2019 përfundoi shqyrtimin në seancë gjyqësore publike të çështjes penale me palë:

KËRKUES  Sardian Sulejmani, atësia Barjam , amësia Liljana, i dtl 19.05.1985, lindur në Patos e banues në Fier lagja "Konferenca e Pezes", beqar, me arsim 12-klasë,  i dënuar pranë IEVP Fier, mbrojtur nga av.Vladimir Cjapi, anëtar të Dhomës së Avokatisë Fier.

PERSONA TË INTERESUAR :

1-Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier e përfaqesuar nga prokurori Genci Mane.

2- Instituti i Ekzekutimit të Vendimeve Penale Fier, i përfaqësuar ngadhe  Loreta Kruja, Mirela Ruko, Sidorela Vogli, Ludmilla Malaj.

 OBJEKTI Lirim me kusht.

 BAZA LIGJORE Nenet; 64 i K.Penal, 477 i  K.Pr.Penale dhe 31/6 i ligjit “ Për ekzekutimin e vendimeve penale”.

Gjykata pasi shqyrtoi aktet, dëgjoi palët që në diskutimin përfundimtar kërkuan:

KËRKUESI Sardian Sulejmani: Pranimin e kërkesës.

 MBROJTËSI Vladimir Cjapi: Pranimin e kërkesës.

 PËRFAQËSUESJA Ludmilla Malaj: I përmbahemi akteve të vlerësimit të sjelljes.

PROKURORI  Genci Mane: Rrezimin e kërkesës.

Gjykata pasi vlerësoi në tërësi aktet

       V Ë R E N

 Kërkuesi Sardian Sulejmani në datën 05.07.2019, ka paraqitur kërkesën në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier, për lirim me kusht, konform nenit 64 të K.Penal dhe 477 të K.Pr.Penale.

Kjo gjykatë çmon të evidentojë së pari se është kompetente nga pikëpamja lëndore e territoriale për shqyrtimin e kësaj kërkese.

Në nenin 477 të K.Pr.P parashikohet se:

“Gjykata e vëndit të ekzekutimit vendos për lirimin me kusht dhe revokimin e vendimit të lirimit me kusht, sipas kritereve të parashikuar në Kodin Penal.”

 Në nenin 31/6 të ligjit “ Për ekzekutimin e vendimeve penale”  parashikohet se:

 “I dënuari me burgim, në përputhje me nenin 64 të K.Penal, ka të drejtë të paraqes kërkesë për lirim me kusht në gjykatën e vëndit të ekzekutimit të dënimit.”

 Përsa i përket përcaktimit të kompetencës funksionale, në bazë të  gërmës “dh” të pikës “2” të nenit 13 të K.Pr.P, do të jetë trupi gjykues monokratik ai që shqyrton këto çështje.

Lidhur me shqyrtimin në themel të kërkesës, nga provat e administruara gjatë këtij gjykimi ka rezultuar se:

Kërkuesi, Sardian Sulejmani me vendimin nr.1 dt.16.01.2012, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, lënë në fuqi me vendimin nr.45, datë 02.07.2012 nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ,është deklaruar fajtor dhe është dënuar me 25 vite burgim, për veprat penale të  parashikuar nga nenet 333/a/2, 78/2-22-334/1, 300 dhe 278/2 të K.Penal, duke filluar vuajtja e dënimit nga dita e arrestimit date.30.10.2005.

Pasi vendimi ka marrë formë të prerë në datën 17.09.2012, prokurori i ekzekutimeve të vendimeve penale me urdhërin e datës 17.09.2012 ka urdhëruar  që vuajtja e dënimit për të dënuarin Sardian Sulejmani të bëhet në një burg të sigurisë së lartë, ku më pas është ndryshuar në një burg të sigurisë së zakonshme.

Aktualisht i dënuari Sardian Sulejmani vuan  pjesën e mbetur të dënimit në I.E.V.P Fier.

Nga dinamika e vuajtjes së dënimit me nr.4126 dt.19.07.2019, rezulton se deri në këtë datë i dënuari Sardian Sulejmani, kishte vuajtur fizikisht 13 vite,8 muaj e 19 ditë burgim.

Nga dënimi i dhënë kishte kryer gjithsej 19 vite, 11 muaj e 3 ditë burgim.

Të dënuarit Sardian Sulejmani, në ditën e marrjes së këtij vendimi i mbeten për të vuajtur edhe 4 vite 10 muaj e 17 ditë burgim.

Komisioni i Vlerësimit të Sjelljes së të Burgosurve pranë I.E.V.P Fier në zbatim të detyrimeve të parashikuara në nenet; 31/6 paragrafi i dytë, të ligjit “Për ekzekutimin e vendimeve penale” dhe 113/1-c të V.K.M nr.437 dt.20.05.2015 “ Për Miratimin e Rregullores së Përgjithëshme të Burgjeve ”, me aktin nr.1483 prot. dt.19.07.2019 “Vlerësim sjellje për në gjykatë” ka tërhequr konkluzionin se i dënuari Sardian Sulejmani ka shfaqur sjellje korrekte, duke respektuar rregulloren e institucionit dhe se ai i plotëson kriteret ligjore për të përfituar lirim me kusht.

Zyra Vendore e Shërbimit të Provës Fier, në zbatim të neneve; 31/6 paragrafi i tretë, të ligjit “ Për ekzekutimin e vendimeve penale ” dhe 31 të V.K.M. nr.302 dt.25.03.2009  “Për miratimin e rregullores  “Për organizimin e funksionimin e shërbimit të provës dhe për përcaktimin e standarteve e të procedurave, për mbikqyrjen e ekzekutimit të dënimeve alternative”, me aktin “Raport i vlerësimit për të dënuarin”  të dërguar me shkresën përcjellëse nr.629 prot dt.04.10.2019 ka arritur në konkluzionin se riintegrimi i të dënuarit Sardian Sulejmani në shoqëri, është i mundshëm për arsyet e mëposhtme:

                  1-Gjatë 1-2 viteve të fundit që ka vuajtur dënimin në IEVP ka shfaqur sjellje korrekte me bashkëvuajtësit si dhe me punonjësit,duke respektuar rregulloren dhe ligjet në fuqi,duke treguar kështu që është arritur qëllimi për edukimin e tij.

                  2-Nga vërtetimi i gjëndjes gjyqësore figuron se i dënuari Sardian Sulejmani nuk ka qenë më parë i dënuar.

                  3-I dënuari nuk rezulton të ketë probleme me përdorimin e alkoolit, apo të lëndëve narkotike, faktor i cili ndikon ne proçesin e riintegrimit të të dënuarit në shoqëri dhe shërben si faktor parandalues në kryerjen e sjelljeve devijante në shoqëri.

                  4-I dënuari ka paraqitur një premtim për lidhje kontrate pune dhe shprehet se është i motivuar për të punuar dhe për të siguruar të ardhura për familjen.

                  5-Gjendja shëndetsore e të atit të të dënuarit nuk është e mirë, pasi ka probleme me zemrën, për të cilën ka qënë disa herë i shtruar në spital dhe merr mjekim. Gjithashtu edhe gjendja emocionale e tij është shumë e rënde për shkak të vdekjes së djalit të madh në vitin 1999 dhe bashkëshortes se tij ne vitin 2016, duke ndikuar edhe në gjendjen e tij shëndetsore ne tëresi dhe ka nevoje per përkujdesje të vazhdueshme si dhe mbeshtetje emocionale nga djali i tij, pasi është e vetmja familje që i ka mbetur.

                  6-Ne kohën e kryerjes se veprës penale i dënuari ka qënë ne një moshë shumë te re për te kuptuar si duhet pasojat e veprimeve te tij, e shoqeruar kjo edhe nga ndikimi negativ i personave të tjerë si dhe nga humbja e vëllait ne kohen kur i dënuari ishte ende i mitur.

                  7-Gjatë intervistave me punonjësin e Shërbimit të Provës i dënuari Sardian Sulejmani shprehet thellësisht i penduar për veprën penale që ka konsumuar, është i ndërgjegjësuar për veprën dhe dënon veprimin e tij, ç’ka tregon se ky i dënuar është rehabilituar dhe është i gatshëm për t’u riintegruar në shoqëri.

                  8-Familja e te denuarit ka kushte te mira banimi, pra ne momentin qe mund te lirohet me kusht, ate e pret nje ambient i pershtatshem per te jetuar, gje e cila ndikon pozitivisht tek ai.

                  9-I dënuari është tip i qetë dhe i qëndrueshëm emocionalisht.

                  10-Lidhur me konsultimin e dokumentave dhe materialeve të dosjes së të dënuarit si dhe nga intervista me të, rezulton se i dënuari ka mbështetjen e plotë të familjes dhe të shoqërisë. Fakt i cili ndikon pozitivisht tek riintegrimi i të dënuarit në shoqërit.

Nga vertetimi i gjëndjes gjyqësore nr.7 dt.17.07.2019 rezulton se kërkuesi Sardian Sulejmani përveç dënimit me vendimin nr.1 dt.16.01.2012, të Gjykatës së Shkallës së Parë së Parë për Krimet e Rënda Tiranë nuk ka dënim tjetër.

Nga Njesia Administrative nr.2 Bashkia Fier, është lëshuar akt mirësjellje ku evidentohet fakti se familja e z.Barjam Sulejmani eshte e perbere nga dy anetare Sardiani dhe Barjami. Z.Barjam jeton i vetem pasi Sardiani (i biri) ka vite qe ndodhet ne burg. Kjo familjare eshte banore e lagjes Konferenca e Pezes, Njesia Administrative nr.2 Fier dhe gezojne respekt në komunitetin ku jetojnë.

Nëna e kërkuesit ka vdekur në spitalin e Durrsit në dt.12.11.2016, ndërsa vëllai i ka vdekur në vitin 1999.

Me aktin “Premtim për lidhje kontrate pune” të dt.17.07.2019, administratori i shoqërisë “Kombi Invest” sh.p.k, Ulis Gjata , ka marrë përsipër punësimin e  kërkuesit me detyrën “punetor tereni” në rastë se ai do të lirohet nga burgimi.

Kundrejt gjëndjes së faktit sa më sipër, prokurori u shpreh për rrëzimin  e kërkesës së kërkuesit Sardian Sulejmani per lirimin me kusht, me pretendimin se nuk ka arsye të veçanta për të kërkuar lirimin me kusht dhe se duhet te kihet parasysh shkalla e rrezikshmerise se larte të veprave penale për të cilat  ai është dënuar.

Në vlerësimin në tërësi të provave të marra në shqyrtim gjatë këtij gjykimi, gjykata arrin në përfundimin se në kërkesën e kërkuesit Sardian Sulejmani, konkurojnë rrethanat e evidentuara në nenin 64  të K.Penal në të cilin parashikohet se:

“I dënuari me burgim mundë të lirohet me kusht, nga vuajtja e dënimit vetëm për arsye të veçanta, nëse me sjelljen dhe punën e tij tregon se me dënimin e vuajtur i është arritur qëllimit për edukimin e tij, si dhe të ketë vuajtur:

-jo më pak se tre të katërtat e dënimit të dhënë për krime me masa dënimi nga pesë gjer në njëzet e pesë vjet burgim.

Në rastin konkret kërkuesi ka vuajtur më shumë se tre të katërtat e dënimit të dhënë dhe me punën dhe sjelljen e tij gjatë periudhës së burgimit ka treguar se i’a ka arritur qëllimit të edukimit të tij.

Për arsyet e mësipërme gjykata i gjen të pabazuar pretendimet e prokurorit pasi :

Së pari: Si arsye të vecantë në kuptim të paragrafit të parë të nenit 64 të K.Penal gjykata ka parasysh gjëndjen familjare të kërkuesit ku ai jeton vetëm me të atin pasi nëna e kërkuesit ka vdekur në spitalin e Durrsit në dt.12.11.2016, ndërsa vëllai i ka vdekur në vitin 1999.

Por përsa i përket arsyeve veçanta të parashikuar në nenin 64  të K.Penal gjykata ka parasysh edhe Vendimin Unifikues të Gjykatës së Lartë nr.2 dt.25.05.2015 në të cilin është tërhequr konkluzioni se:

“ Ligjvënësi duke përdorur shprehjen “arsye të veçanta” ka bërë një vlerësim të përgjithshëm, pa i nominuar ato e duke e lënë në vlerësim të gjykatës sipas rrethanave konkrete që i paraqiten. Megjithatë, këto “arsye të veçanta” nuk janë të pavarura dhe duhet të jenë të lidhura ngushtë me qëllimin e institutit të lirimit para kohe me kusht i cili ka të bëjë me riedukimin dhe riintegrimin në shoqëri të të dënuarit. Arsyet e veçanta nuk janë gjë tjetër veçse rrethana konkrete, të cilat provojnë se me dënimin e vuajtur është arritur qëllimi për edukimin dhe i dënuari është i gatshëm të riintegrohet në shoqëri. Ky interpretim i paragrafit të parë të nenit 64 të Kodit Penal të çon në konkluzionin logjik se kemi të bëjmë me një kusht të vetëm dhe “arsyet e veçanta” nuk janë gjë tjetër veçse fakte të cilat provojnë se me pjesën e dënimit të vuajtur është arritur qëllimi i dënimit penal në rastin konkret për edukimin e të dënuarit dhe ai është i gatshëm të riintegrohet në shoqëri.”

 Së dyti: Përsa u përket rrezikshmëris shoqërore të veprave penale që ka kryer kërkuesi, kjo ka të bëjë me gjykimin në themel të kërkuesit për të cilën ai ka marrë dënimin përkatës. Nëse veprat penale për të cilën është dënuar kërkuesi nuk do të jepte garanci se autorët e saj mund të rehabilitoheshin, ligjvënësi do ti kishte parashikuar ato në kushtet penguese të paragrafit 3 të nenit 64 të K.Penal.

Në çështjen objekt shqyrtimi gjykata vlerëson qëndrimin e kërkuesit gjatë kohës së vuajtjes së dënimit.

Përsa i përket kohës së provës gjatë së cilës kërkuesi duhet të mbajë kontakte me Zyrën Vendore të Shërbimit të Provës, gjykata ka parasysh po vendimin e mësipërm unifikues të Gjykatës së Lartë në të cilin është tërhequr konkluzioni se:

 “Në rastin kur gjykata pranon kërkesën e të dënuarit për lirim para kohe me kusht, në mbështetje të nenit 64 të Kodit Penal dhe të ligjit nr.8331, datë 21.04.1998 “Për Ekzekutimin e Vendimeve Penale” ajo cakton një periudhë kohe ku i dënuari detyrohet të mbajë kontakte me shërbimin e provës si dhe vendos, sipas rastit, një ose më shumë detyrime në bazë të nenit 60 të Kodit Penal.

Në mungesë të një rregullimi të saktë ligjor, koha e provës do të jetë e barabartë me kohën e mbetur të masës së dënimit me burgim për të dënuarin që lirohet me kusht.”

Në rrethanat e mësipërme Gjykata arrin në përfundimin se kërkesa e kërkuesit duhet të pranohet si e bazuar plotësisht në prova dhe në ligj.

PËR KËTO ARSYE

Gjykata duke parë edhe nenet 379-382,  të 470, 471/1 e 477 i K.Pr.Penale, 64 të  K.Penal si dhe Vendimin Unifikues të Gjykatës së Lartë nr.2 dt.25.05.2015.

V E N D O S I                                                                                               

1-Pranimin e kërkesës se kërkuesit Sardian Sulejmani.

2-Pezullimin e ekzekutimit të pjesës së mbetur të dënimit të të dënuarit Sardian Sulejmani prej 4 vjet 10 muaj e 17 ditë burgim, me kusht që gjatë një afati prove të barabartë me pjesën e mbetur të dënimit, i dënuari Sardian Sulejmani të mbajë kontakte me Zyrën Vendore të Shërbimit të Provës dhe të mos kryejë asnjë vepër tjetër penale.

3-Detyrimin e kërkuesit Sardian Sulejmani që në zbatim të pikës 9 të nenit 60 të K.Penal, gjatë kohës së provës të mos shoqërohet me persona të dënuar.

4-Urdherohet lirimi i menjehershem i të dënuarit Sardian Sulejmani nga IEVP Fier.

5-Shpenzimet proceduriale në shumën 1200 lekë i ngarkohen kërkuesit Sardian Sulejmani.

6-Kundër këtij vendimi lejohet apel në Gjykatën e Apelit Vlore brenda 15 ditëve duke filluar ky afat nga e nesërmja e shpalljes.

 

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.034227848052979
array(1) { ["section"]=> string(97) "lirimi-nga-burgu-i-anetarit-te-bandes-se-durresit-zbardhet-vendimi-dhe-5-arsyet-e-gjykates-192622" }