Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ka deklaruar sot se shumë shpejt grupi i hetimit që po merret me shpërthimet me eksploziv në Tiranë do ketë përfundime konkrete. Llalla nuk ka dhënë asnjë detaj, në lidhje me punën e prokurorisë, përveç sigurisë se do të ketë të reja, shfaqur pas pyetjeve të medies.
Deklarata e Llallës u bë gjatë përurimit të ambjenteve të rikonstruktuara të Prokurorisë së Shkodrës, ku ishte I pranishëm edhe kryetari i gjykatës së Lartë, Xhezar Zaganjori si dhe ambasadori I Britanisë së Madhe, Nicolas Cannon.
”Një nga traditat më të rëndësishme shqiptare është harmonia fetare, të cilën ju duhet ta mbroni, por kohët e fundit ajo është prishur për shkak të këtyre personave që predikojnë të shkojnë të luftojnë për xhihadin në Siri. Edhe Papa vetë e ka theksuar harmoninë fetare që ekziston në Shqipëri dhe duhet mbrojtur nga këto fenomene. Duket se deri tani strukturat shtetërore e kanë luftuar këtë fenomen në mënyrë efektive. Por është një luftë që kërkon bashkëpunim ndërkombëtar dhe shkon përtej kufijve të një shteti”, tha Cannon.
“Me financimin e buxhetit të shtetit janë krijuar kushte komode në këtë Prokurori. Pritja e qytetarëve do të jetë sipas standardeve të BE-së. Ambientet tashmë janë të përshtatshme për hetimin.”, tha Llalla.
Kurse Zaganjori u shpreh se duhet rritur perfomanca e prokurorisë me këto investime të reja, por njëkohësisht edhe lufta ndaj korrupsionit edhe brenda prokurorisë.
“Godina moderne ndihmon në efikastetin e hetuesisë. Taksapaguesit kanë paguar për këtë. Shpërblimi më i mire për këtë investim do të ishte rritja e performancës. Më shumë operativitet, rritje e shpejtësisë së hetimit thelbësor. Lufta ndaj korrupsionit duhet të zhvillohet edhe brenda në Prokurori. Të evidentohen dosjet ku ka dyshime për abuzim dhe të rianalizohen”, tha Zaganjori.