Nuk ka qumësht pluhur në qumështin natyral në fabrikën ''Lufra''. Ky është rezultati zyrtar i laboratorit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.
Besnik Jakaj, drejtor i Vlerësimit të Rriskut në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit tha për Newsbomb.al se u verifikuan mostrat marrë në fabrikën e përpunimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij vetëm për ekzistencën ose jo të qumështit pluhur. “Në të gjitha analizat më parë ‘’Lufra’’ ka qenë në rregull dhe nuk ka patur probleme’’, tha dje Jakaj.
Lajmi për përzierjen e qumështit natyral me qumështin pluhur u përhap shpejt të shtunën pasdite, ku mediet dhe kryesisht përdoruesit e rrjeteve sociale nisën të shprehnin shqetësimin e tyre për ngjarjen. Një pjesë e publikut virtual dënonte kompaninë, ndërkohë që një pjesë tjetër dyshonte se gjithçka ishte shpifje nga kompanitë konkurente të ‘’Lufrës’’. Vetë pronari Arben Ndreka tha për Newsbomb.al se nuk kishte asgjë të vërtetë në këtë histori. “Janë shpifje. Nuk ka procedim penal ndaj meje. Produktet e mia janë të pastra’’, tha Ndreka, duke shtuar se do të denoncojë median që ka përhapur këtë shpije ndaj tij. Pas lajmit specialistët e AKU-t mbërritën në fabrikë për të marrë mostrat për analiza.