Kreu i PD Lulzim Basha ka zhvilluar homazhe paraditen e sotme në Varrezat e Dëshmorëve, në ditën e Pavarësisë dhe Festës së Flamurit kombëtar.
Basha u shpreh se vendi këtë 28 Nëntor po përballet me sfidën e tejkalimit të pandemisë që ka marrë qindra jetë njerëzish, ndërsa tha se 28 Nëntori i ardhshëm do ta gjejë Shqipërinë më të mirë dhe më afër Europës.
Sot, në Ditën e Pavarësisë dhe Festës së Flamurit dua t’iu uroj të gjithë qytetarëve dhe bashkëkombasve të mi kudo ku janë, gëzuar festën më madhëshoe të kombit tonë. Sot kujtojmë me nderim dhe përkulemi me respekt para veprës dhe sakrificës të gjithë bijve dhe bijave të kombit tonë që sakrifikuan gjithçka në altarin e lirisë dhe pavarësisë kombëtare. Sot është një ditë feste dhe gëzimi. Ajo na gjen ndryshe nga çdo vit tjetër. Shqipëria dhe shqiptarët po përballen me sfidën e tejkalimit të pandemisë e cila na ka marrë qindra bashkëqytetarë duke lënduar shumë familje, ndërkohë që mijëra të tjerë po vuajnë pasojat shëndetësore, dhe shumë më shumë pasojat ekonomike dhe sociale të pandemisë.
Në këto kushte, kjo ditë dhe kjo festë është një kujtesë e fuqisë dhe forcës së kombit tonë. Unë jam i bindur në fuqinë dhe forcën e qytetarëve shqiptarë, në fuqinë dhe forcën tuaj për të qenë së bashku dhe për të tejkaluar së bashku pasojat e kësaj krize dhe pandemie. Për të dalë më të fortë, më të bashkuar dhe më të vendosur. Jam i bindur se 28 nëntori tjetër do të na gjejë me një Shqipëri më të shëndetshme, më të mirë dhe më afër Europës”, u shpreh Lulzim Basha, kryetar i PD.