Lulzim Basha ka uruar sot mësuesit shqiptarë për festën e tyre, por njëkohësisht ka denoncuar trysninë e qeverisë mbi ta dhe emërimet politike.
“Unë dua t’i uroj nga zemra për festën sot, por dua të ndaj gjithashtu shqetësimet e mëdha që ata kanë.
Mësuesit shqiptarë janë sot nën një trysni të vazhdueshme nga qeveria, nën një pasiguri permanente që ka krijuar terror dhe ka hequr qetësinë e nevojshme që ata të ushtrojnë profesionin. Testimi i tyre sipas tekave të qeverisë, nuk është gjë tjetër vetëm se një mjet për të larguar masivisht mësuesit nga puna, dhe për të krijuar vende për militantët e pushtetit. Në krye të drejtorive arsimore janë vendosur persona që nuk kanë asnjë lidhje me vlerat e edukimit e arsimimit. Rasti i Lushnjes e tregoi se punësimi i mësuesve jo vetëm është kthyer në biznes për drejtuesit e korrupsionit rilindas, por për fat të keq edhe në skllavëri seksuale.”, shkruan Basha në profilin e tij në ‘’Facebook’’.
Sipas Bashës nuk ka ditë më të trishtë për arsimin se dita e sotme, kur është edhe festa e tyre.
“Prej gati 2 vitesh paga e tyre nuk rritet. Prej 2 vitesh ka vetëm marifete e mekanizma shtypjeje e shantazhi për të vështirësuar jetën e tyre. Prej 2 vitesh nuk ka një investim të vetëm në insfrastrukturë e krijim kushtesh për të rritur cilësinë në mësimdhënie.Urimet e 7 marsit do të ishin hipokrizi pa vënë në pah vështirësitë dhe sfidat e mësuesve, jo për shkaqe objektive, por për shkak të padrejtësisë, korrupsionit dhe papërgjegjshmërisë së qeverisë.”, thekson kreu i PD-së, Lulzim Basha.