MALLKIMI I MINUTËS SË FUNDIT!

Publikuar tek: pa-stres, më 08:50 12-10-2019 MALLKIMI I MINUTËS SË FUNDIT! Edi Oga

Nga Edi Oga ekskluzivisht për newsbomb.al *Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i këtij materiali

Dje e humbëm ndeshjen me Turqinë, me një gol në minutën e fundit!

Luajtëm mirë, mund edhe të fitonim, por u mundëm. Në minutën e fundit!

Sa e sa ndeshje kemi humbur pikërisht në minutën e fundit!

A mos vallë ne shqiptarët mbartim në ekzistencën dhe rrugëtimin e jetës sonë, mallkimin e minutës së fundit?!

Mbase jemi ndërtuar të tillë, që pavarësisht se si rrjedhin ngjarjet, pavarësisht çfarë ka ndodhur në minutat, orët, ditët apo javët pararendëse, deçizive për ne, është minuta e fundit:

"Kisha tre vjet që isha i fiksuar pas benzit, minutën e fundit vendosa të blej një renault...u bëra kaq shok me mekanikun, sa kam menduar t'i bëj gocën e tezes!"

"Gjithë vitin mendonim të shkonim më pushime në Qerret, minutën e fundit vendosëm të marrim kredi dhe shkojmë në Antalya... erdhën ata të përmbarimit dhe më morën lavatriçen!"

"Kjo qeveri na la punë, na rriti taksat, shtrenjtoi dritat, na la pa ujë. Do dal se s'bën të shtunën në protestë se kjo gjendje nuk durohet! Minutën e fundit ndryshon mendje... le të dalin të tjerët të protestojnë! Ka edhe më keq sesa unë. Unë e kam pensionin e plakës!"

Jo vetëm vendimet më pak të rëndësishme, por edhe ato që janë thelbësore për jetën, i marrim në minutën e fundit:

"Gjithë jetën kam dashur ta bëj djalin hidraulik siç jam edhe vetë, se nuk ia thotë për shkollë, por minutën e fundit ndryshova mendje dhe vendosa ta çoj për juridik në një universitet privat... nuk e kuptoj pse më ka mbetur djali në shtëpi, pa punë!"

"Doja t'i thosha "po" të dashurit tim që më propozoi, por minutën e fundit vendosa t'i them "jo"! U fejova me të fortin e lagjes dhe shkuam të dy në Itali... tani nuk kam burrë, por kam dy fëmijë me baballarë të ndryshëm, një karabinier italian dhe një murator maroken!"

"Nuk doja ta vrisja vëllanë, se nuk vritet vëllai për një gardh, por minutën e fundit më hipi gjaku në kokë, më iku truri, mora kallashin dhe... mbylla jetën time, futa në dhé nga marazi nënën dhe mora në qafë gjithë familjen dhe fisin!"

Jo vetëm ne, njerëzit  e thjeshtë, na ndjek mallkimi i minutës së fundit, por edhe njerëz që nuk duhet kurrsesi të marrin kësisoj vendimesh; ne prisnim që kryeministri të lobonte nëpër Evropë për hapjen e negociatave javën që vjen, kurse ai ndërmori një veprim të "minutës së fundit": shtrëngoi duart me Vuçiçin dhe Zaevin, me armikun e betuar të shqiptarisë dhe me kryeministrin e shtetit që diskriminon shqiptarët, duke i hapur rrugën krijimit të një entiteti gjeo-politik të dyshimtë, që drita e historisë e ndriçon si të pafavorshëm për ne shqiptarët!

Na daltë për hajër!

Nëse del i tillë, e kam justifikim në xhep: ky shkrim ishte një mendim i minutës së fundit!

               

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0073339939117432
array(1) { ["section"]=> string(35) "mallkimi-i-minutes-se-fundit-181739" }