Deputeti Mark Frroku i cili është arrrestuar e akuzuar për një vrasje në Belgjikë të kryer në vitin 1999, kërkon të jetë pjesë e Parlamentit. Me anë të dy avokatëve të tij, Frroku i ka kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme që të jetë pjesë e Komisioneve dhe seancave Parlamentare. Sipas Gazetës Shqiptare avokatët e Frrokut e kanë kërkuar këtë gjë për të mbrojturin e tyre, me anë të një letre.
“Ne kemi kërkuar nga Prokuroria e Përgjithshme që Mark Frroku të lejohet për të ushtruar funksionin publik si deputet . Mandatin ia kanë dhënë zgjedhësit dhe për këtë arsye , për aq kohë sa nuk ka një masë sigurie për pezullim nga ushtrimi i funksioneve publike , duhet të shoqërohet dhe të jetë pjesë në çdo aktivitet. Madje Mark Frroku mund edhe të votojë në seancat plenare”, është shprehur avokati i tij Saimir Vishaj.
Ai shton se Prokuroria e Përgjithshme nuk i ka kthyer ende një përgjigje për kërkesën e tyre .
Sipas avokatëve edhe pse mbi Frrokun rëndojnë akuza të rënda ai ligjërisht është i pafajshëm pasi akuzat nuk janë provuar ende, dhe kjo sipas tyre, i jep të drejtë deputetit të ushtrojë funksionet publike.
Deputeti Mark Frroku ndodhet në burgun 302 nën masën e sigurisë “arrest me burg”.