Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, POZITIVE, por fituesi më i madh është Trump

Publikuar tek: analiza-komente, më 17:38 07-09-2020 Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, POZITIVE, por fituesi më i madh është Trump Trump, Vucic dhe Hoti ne Shtepine e Bardhe

Nga Shpendi Gashi

U nënshkrua pas një sage bllokimesh, skandalesh politike, skepticizmi marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, që po gatitej prej kohësh. Nga vetë dinamika e ngjarjeve pritej të ishte kryefjala e mediave dhe opinionit në Gadishullin Ilirik. Pas nënshkrimit, secila nga palët ngritën duart në shenjë triumfi, sikurse një ndeshje box-i kur përfundon pa një ‘’knock out’’. Ndoshta për arsyen se askush nuk doli I humbur?

Shumë prej këtyre opinioneve janë të identifikueshme simbas palëve politike, ku secila duke treguar dhe i bërë jehonë arritjes apo dështimit respektiv.

Patriotët “ngrihen” të revoltuar, pasi pritshmëritë e tyre ishin shumë herë më të mëdha, përsa i përket çështjes. Në qëndrimet e tyre theksohet një gjuhë zhgënjyese ndaj vetë Amerikës, më konkretisht një gjuhë urryese ndaj vetë Presidentit Trump. Nga ky grup “intelektualësh”  dhe jo vetëm, pritej që nga kjo marrëveshje Kosova të dilte as më pak e as mëshume se me njohjen e saj. Serbia të kërkonte falje për gjenocidin ndaj popullsisë shqiptare dhe muslimane, të tërhiqej  nga pretendimet e veta territoriale dhe të lobonte për njohjen e Kosovës.

Ndërkohë Skënderbeu ynë kalorsiak nën petkun e Avdullahut, krenar dhe i  rëndë siç i ka hije, hyn në dhomën ovale, dëgjon pendesën serbe, hedh sytë vëngër nga Trump dhe pret momentin historik ku të thojë veç dy fjalë: “BAC U KRY!”

Mbase kjo mund të ndodhte në një univers paralel, apo nëse presidenti i Serbisë të behej një shqiptar, apo nëse realizmi strukturor I cili është shoqëruesi i politikës së jashtme prej shekujsh, të zëvendësohej nga ‘’dashuria’’ e Amerikës për ne, vetëm për faktin se ne e “duam’’.

Egziston një proverb afrikan e cila thotë: “Mos pretendo që të mos hajë luani, vetëm se ti nuk e ha atë.” Për momentin asnjë nga këto opsione nuk i kemi në favor. Shumë revoltë solli edhe postimi i Trump në  “Twitter”, përsa i përket suksesit të marrëveshjes. E etiketuan direkt si ‘’injorant’’ apo ‘’dashakeqës’’ për arsye se e vendosi Kosovën në Lindjen e Mesme.

Në rradhë të parë s’është aspak çudi që Trump të mos e dijë se ku i bie Kosova, Shqipëria apo Serbia. Herën e fundit që kontrollova Tirana, Prishtina apo edhe Beogradi s’ishin Kostandinopoja apo Roma (Kryeqëndra e Botës). Dikur plaku Church (W.Churchill) shprehej se popujt e vegjël kanë nevojë për mite dhe jetojnë me legjenda, e prekshme tani më shumëse asnjëherë më parë.

Trump ka disa dhjetëra drejtori brenda departamentit të shtetit, që merrem me çështjet e jashtme. Ai nuk është mjaftueshëm ‘’shqiptar’’ sa të merret vetë me çdo gjë.

Së dyti, shkrimi, po ta lexosh me syrin e të kuptuarit dhe jo me syrin e ‘’shejtanllikut’’, është i qartë. Me ‘’Lindje të mesme’’ i referohet Izraelit, ndaj edhe fjalia nis me ‘’Middle East’’, pasi Izraeli është më i njohur se Kosova në rang ndërkombëtar. Lajmi i dedikohet njohjes së Kosovës nga Izraeli. Trumpetohet dukshëm bashkëpunimi, tej ndasive fetare. Një mesazh ky më grotesk se vetë takimi mes dy palëve në marrëveshje. Postimi I dytë në rradhë I dedikohet suksesit historik Kosovë-Serbi.

Së treti, është fakt që Kosova ka popullsi me shumicë muslimane të deklaruar. Etiketimi është politikisht korrekt. Në një  realitet botëror, në të cilin po prevalojnë etiketimet religjionare, Kosova dhe Shqipëria hyjnë tek vendet islamike, sikurse Greqia tek ortodoksia,, por politikisht tek të tre vendet dominon laicizmi institucional. Nëse ka një ‘urrejtje’’ patologjike ndaj islamit, kjo i përket një teme tjetër.

Së fundmi, SHBA-të janë në prag të zgjedhjeve elektorale. Janë zgjedhjet më të vështira ndonjëherë në historinë e vendit, mes kaosit dhe dhunës nga një ‘’pandemi’’ e cila ka më shumë të pavërteta se sa të vërteta. Vendi po zien nga protestat dhe dhuna e huliganeve të ekstremit majtist. Një frymë komuniste po qarkullon në SH.B.A. Skandale politike po shpërthejnëkundër establishmentit të vjetër, skandale seksuale, pedofilie dhe bujën më të madhe pritet ta shkaktojë  “OBAMAGATE”. Duke qenë në garë dhe në një betejë elektorale, përpos faktit që duhet të përdorë çdo mjet për të garantuar rizgjedhjen e vet, , Presidentit Trump i duhet mbështetja e lobeve shumë të fuqishme. I duhen marrëveshje të cilat nuk duhet të jenë të këqija, pasi kjo ndikon drejtpërdrejtë në curriculumin e tij presidencial. I duhet mbështetja ndërkombëtare e vendeve të cilave Amerika u hyn si garantor. Faktikisht në administratën Trump është mbyllur çdo konflikt ushtarak i hapur nga administrat e mëparshme, si tërheqja e trupave ushtarake nga Lindja e Mesme dhe është gjetur rruga e dialogut me vende diktatoriale si Korea e Veriut. Të njëjtën mënyrë përdori edhe me marrëveshjen “alla amerikane’’ të pak ditëve mëparë. Një marrëveshje afatgjatë, pa humbës, thjesht nuk është në kulturën tonë politike, veprimtaria afatgjatë politike.

Politika, është një treg ku tregtohen vlefta përdorimi për të shumuar vleftat abstrakte të shkëmbimit dhe sidomos fitimi dhe ruajtja e pushtetit nga politikanët. Ka një paralele të dukshme midis tregtisë me mallra dhe mobilizimit të votave të elektoratit (Teoritë e Demokracisë, 2012, fq 190): ‘’Ajo që biznesmenët s’kuptojnë është se siç ata tregtojnë naftë, ne tregtojmë vota’’. ( Schumpeter, 1996a:285)

Sinteza e politikës dhe marrëveshjes politike në thelb të vetin është fitorja e pushtetit, në çdo nocion të njohur të konceptit të pushtetit.. Ka liderë që janë më tolerantë, ka liderë të cilët janë më  ambiciozë, ka të aftë dhe po ashtu të paaftë, ka liderë që duan të lënë shenjën e tyre dhe po aty ka të paktën dy rrugë për  të shenjuar në histori.

Rendin e Ri, në vitet ’50 Schumpeter e quante “Jazz Civilization”. Në këtë koncept nuk bëhej fjalë për vetëvendosje , për pjesëmarrje, për mirëqënie apo përfaqësim dinjitoz, por për të shitur produkte politike në këmbim të votave të zgjedhësve.

-“Demokracia nuk ka të bëjë me përfaqësimin, ka të bëjë me shitjen e produktit:rezultatit të qeverisë; në këmbim të votave”. (Shapiro/Hacker-Cordon, 1999c:4)

Pra secilit prej tre vendeve të përfshira në këtë marrëdhënie, në dukje bilaterale e në thelb trilaterale, i duhej produkti.

Administratës Trump i duhej konfirmimi i garantorit të paqes dhe konstruktivitetit me dy vendeve fqinje në një rajon i cili është porta hyrëse  për në Lindje.

Serbisë dhe Kosovës u duhej produkti i marrëveshjes historike mes armiqve, i cili konkludoi në një marrëveshje pozitive, për dispozitat përkatëse, me vështrim drejt ardhmërisë. Produkti është i siguruar në thelb, edhe pse pakënaqësi do ketë. Herë nga financimet e grupeve të ndryshme në media, herë nga dëshirat megalomane për të qenë qëndra e botës.

Roma nuk u krijua për një ditë, ashtu sikurse nuk u shkatërrua po brenda një dite. Marrëveshja e arritur është thjesht një tullë e hequr nga muri shekullor që ka ndarë dy vendet në çdo aspekt.

Kjo marrëveshje nuk është një fitore për askënd në veçanti, nuk mund të cilësohet as humbje për asnjë. Në termat diplomatikë, negocim quhet takimi formal mes dy apo më shumë palëve për të arritur ose jo një marrëveshje të caktuar.(Oxford Dictionary, 2000, fq 853)

Negocimi në vetvete nënkupton maksimizimin e përfitimeve dhe minimizimin e kostove. Nuk mund të ketë kurrësesi  një fitore të njëanshme, për aq kohë sa palët duan të arrijnë  në një marrëveshje. Direktivat janë të ndryshme si dhe qasjet janë të ndryshme në shtete të ndryshme. Absolute është se ka marrëveshje të këqija dhe marrëveshje të mira. Roli i SH.B.A-ve është të shmangë të këqijat, pasi janë kosto në afatgjatë. Sikundër e përmendëm më lart, një marrëveshje  e keqe, cënon produktin amerikan.

Do të ishte pothuaj utopike që Serbia të njihte direkt Kosovën, kështu që afërmendsh do të vendosë kusht mosnjohjen nga ana e saj, por nga ana tjetër nënshkruan se s’do të pengojë njohjen e Kosovës, me asnjë mjet.

Në këto raste tregohet “përkujdesje” e diplomacisë amerikane, ndaj “presionit serb’’, pasi pas Serbisë fshihet “ariu siberian” me synimin e qartë dhe shekullor daljen në detin Mesdhe. Nëse e “shtrëngon”  Serbinë me detyrime të menjëhershme, e hedh atë në krahët e Rusisë dhe ndikimit rus, atëherë vjen në terma real, e jo më periferik në Ballkan.

Në Prill-Maj Aleksandër Vuçiç, shpall hapur partneritetin me Kinën duke e quajtur bashkëpunëtor kryesor. Presidentin e përjetshëm kinez Xi, për ndihmat e dhëna nga Kina gjatë karantinës totale botërore.

Nuk është në interesin e Amerikës, afrimi i asnjë shteti europiano-lindor me Kinën, ndaj së cilës po përgatiten sanksione ekonomike, pasi quhet “fajtore” për përhapjen e Covid-19. Pothuaj në të njëjtin nivel qëndron edhe rivaliteti historik me Rusinë, edhe pse vlen të theksohet se me ardhjen e Trump në presidencë, raportet janë qetësuar dhe kanë shkuar kah normalizimit mes dy vendeve.

Një pikë tjetër e marrëveshjes është specifikimi i një limiti kohor 1 vjeçar, ku do të monitorohet mbarëvajtja e pikave të dakortësuara, si dhe afekti që do ketë mes dy vendeve, deri në një  takim të dytë, ku do të diskutohet njohja e Kosovës, e cila do të vijë, por në kohën e duhur.

Duke i qëndruar logjikës së qasjes realiste nënkuptohet që edhe pas njohjes së Kosovës nga Serbia, kjo e fundit do të kompensohet  me diçka tjetër. Se çfarë do t’i premtohet e t’i jepet në këmbim, nuk mund të hamendësohet, por afërmendsh marrëveshja do të jetë e kënaqshme për të dy palët, atë shqipëtare të Kosovës dhe atë serbe.

Shtetet kombe janë dhe do të mbeten aktorët më të rëndësishme në punët e botës, por interesat, rreshtimet dhe konfliktet e tyre gjithnjë e më tepër formësohen prej faktorëve kulturorë të qytetërimit.

Bota në të vërtetë është anarkike, e stërmbushur me konflikte fisnore e kombëtare, por konfliktet që paraqesin rrezikun më të madh për stabilitetin janë ato mes shteteve apo grupeve prej qytetërimeve të ndryshme. ( Përplasja e Qytërimeve, S.P. Huntington, fq.31)

Politika e jashtme shihet nga opinioni i gjerë publik në terma ndjesorë, kur thonë se Trumpi do rrëzojë Ramën se e “shau” në CNN, si dhe nga intelektualë që e shohin në terma konstruktivizmi, apo liberal dhe neo-liberal, por rrallëherë në qasjen e vërtetë, në atë realiste.

Realisht do të ishte shumë mirë që raportet mes shteteve të ishin totalisht në bazë të bashkëpunimit të shëndetshëm, ku çdo gjë të zgjidhej me konsesus. Të drejtat mos të ekzistonin vetëm në letra, apo mos të dënoheshin vetëm njerëzit e thjeshtë për shkeljen e të drejtave, por edhe përfaqësuesit e lartë shtetëror. Që demokracia të ishte më gjithëpërfshirëse, apo që Toka të ishte një parajsë, ku dashuria të ishte çështja kryesore e çdo marrëdhënie personale apo edhe shtetërore e globale.

Diplomacia funksionon nëpërmjet disa rregullave themelore, të cilat luajnë rolin e manovratorit dhe këshilluesit politik.

Hans Morgenthau, ndër realistët më të njohur, në botimin e tij ‘’Politika nëpërmjet kombeve’’ (H.Morgenthau:418) i shpalos në mënyrën më të qartë rregullat themelore të diplomacisë si në vijim :

a) Diplomacia duhet të zhvishet nga fryma luftarake.

b) Objektivat e poltikës së jashtme duhet të përcaktohen sipas interesave kombëtare dhe duhet të mbështeten me forca të mjaftueshme.

c) Diplomacia duhet ta shohë skenën politike nga këndvështrimi i vendeve të tjera.

d) Kombet duhet të jenë të gatshme të bëjnë kompromis për të gjitha çështjet që nuk janë jetike për ta.

Edhe marrëveshja e para pak ditëve, është filtruar mes ketyre 4 rregullave bazë për një marrëveshje në thelb jo të dëmshme, për asnjë nga palët.

Duke iu referuar kontekstit kohë dhe hapësirë, kontekst që shumëkush e anashkalon, kjo mund të quhet një marrëveshje pozitive, për konditat në të cilën realiteti botëror është.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0099461078643799
array(1) { ["section"]=> string(85) "marreveshja-mes-kosoves-dhe-serbise-pozitive-por-fituesi-me-i-madh-eshte-trump-219576" }