Ish-drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit Ismail Elezi ka hedhur kritika ndaj punës së Uniformave blu në atentatin që përgjaku Elbasanin dy ditë para Vitit të Ri, ku mbetën të vdekur tre persona.
I ftuar në emisionin RepolitiX, Elezi është shprehur se atentatorët kishin vetëm dy rrugë për tu larguar nga vendi i ngjarjes, ose nga rruga e Metalurgjikut ose nga drejtimi tjetër për në Peqin, ndaj nuk duhet të merrej me fishekzjarret por të kapte autorët.
'Se di si mund ti kenë ikur autorët policisë. Atje kishte vetëm dy rrugë, për të ikur nga Metalurgjiku ose nga rruga tjetër, nga Peqini. Policia merrej me fishekzjarret. E marrim sikur i iku aty policisë, por 'Te Lulet' kishte postbllok tjetër', u shpreh Ismail Elezi.
Kujtojmë se nga atentati me breshëri plumbash mbrëmjen e 29 dhjetorit në rrethrrotullimin e Bradasheshit mbetën të vdekur, Endrit Alibej, Arben Dylgjeri dhe turku me shtetësi rumune Erdal Durunaj.