U mbajt sot në Shqipëri takimi Nënrajonal i vendeve anëtare të rrjetit shëndetësor të Evvropës Juglindore, me në focus kontrollin e konsumimit të duhanit në Rajon në kuadër të zbatimit te konventës së OBSH-së për Kontrollin e Duhanit në vendet e Evropës Juglindore.
I pranishëm në takim qe edhe Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj i cili përmendi masat e marra nga qeveria për zbatimin e ligjit Antiduhan.
“Puna e bërë në zbatim të ndryshimeve të fundit në ligjin antiduhan, si dhe masat komplekse të ndërmarra nga qeveria shqiptare, pas rishikimit të ligjit, lindi si rrjedhojë e situatës problematike të zbatimit të tij, ndaj ne kërkuam ndalimin e duhanpirjes në mjedise publike të mbyllura”, u shpreh Beqaj.
Sipas Kryeinspektorit të Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor, Eltar Dedaj strukturat shtetërore luajnë një rol të dorës së parë në ndjekjen e zbatimit të drejtë, në mënyrë të barabartë dhe konstante të ligjit antiduhan.
“Kjo është një mundësi për mijëra duhanpirës në vendet tona të heqin dorë nga një varësi e rrezikshme, për të përmirësuar shëndetin e kombit. Pavarësisht 32 603 inspektimeve të kryera që nga krijimi i Inspektoriatit Shëndetësor Shtetëror (ISHSH) dhe 505 masat e marra administrative, mbetet ende shumë punë për të bërë lidhur me ndryshimet e sjelljes” , përfundoi ai.
SEEHN është një forum ndërqeveritar rajonal i ministrive të shëndetësisë të Europës Juglindore, themeluar në vitin 2001, në kuadrin e Inisiativës për Kohezion Social të Paktit të Stabilitetit për Europën Jug-Lindore. Arsyeja e mbajtjes së tij në Shqipëri, sipas Kristina Mauer-Stender, Drejtuesja e Programit të Mbrojtjes nga Duhani në Zyrën Rajonale të OBSH-së për Europën i detyrohet përkushtimit të fuqishëm të Ministrit të Shëndetësisë për të bërë realitet Shqipërinë pa duhan.