Mbetet “pezull” koncesioni TVSH; termat shkojnë për rishikim te FMN

Publikuar tek: ekonomi, më 17:48 20-03-2016 Mbetet “pezull” koncesioni TVSH; termat shkojnë për rishikim te FMN

Ndonëse Ministria e Financave kishte deklaruar se deri në fund të shkurtit do të shpallnin tenderin për partneritet publik privat për platformën teknologjike që synon përmirësimin e mbledhjes së TVSH-së, ende nuk ka asnjë lëvizje në këtë drejtim. Monitor ka mësuar se për momentin çështja ka mbetur pezull. Komisoni në Ministrinë e Financave për hartimin e termave të referencës dhe vlerësimin e ofertave është shkrirë dhe termat e referencës i janë dërguar për rishikim Fondit Monetar Ndërkombëtar. Më pas pritet që të krijohet sërish një komision i ri (mësohet se ka pasur rezistenca dhe dorëheqje nga stafi i ministrisë, pasi nuk donin të ishin përgjegjës në këtë proces).

Ministria e Financave nuk i është përgjigjur zyrtarisht interesit të Monitor se në ç’fazë është ky partneritet publik privat për të cilin financat deklaruan në janar se po e shqyrtonin. Ndërsa burime nga FMN pranuan se Ministria e Financave u ka dërguar prej kohësh termat dhe ata po i editojnë. Gjithsesi FMN vijon t’i qëndrojë deklarimeve të mëparshme në media të përfaqësuesit të FMN-së për Shqipërinë, Jens Reinke. Ky i fundit është shprehur se ka reforma që janë më urgjente se kjo dhe se nuk ishte e dukshme që formula e ndarjes së të ardhurave, që është pjesë e këtij partneriteti, është ajo më e leverdishmja për qeverinë në termat e financimit. Edhe në rishikimin e pestë dhe të gjashtë të Marrëveshjes me Shqipërinë, FMN sugjeroi që vendi të analizojë në mënyrë të hollësishme kostot dhe përfitimet e koncesionit të administrimit të TVSH para se të nisë tenderi. “Lidhur me dhënien e një PPP (Partneritet Publik–Privat) për sistemin e TVSH, ne do të ndërmarrim një analizë të vlerës përpara se të hapet tenderi dhe çdo vendim në lidhje me të do të merret në konsultim me FMN-në”, thuhet në marrëveshjen e rishikuar të Fondit me qeverinë.
Një mision i FMN-së ndodhet aktualisht në Tiranë për rishikimin e radhës së marrëveshjes dhe pritet të mbajë një konferencë për shtyp ditën e martë.
Të ardhurat në 2015-n u rritën vetë me 14.7%

Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se të ardhurat nga TVSH e brendshme u rritën 14.7% në 2015-n. Kjo rritje është më e lartë se kufiri prej 11%, mbi të cilin kompania, që i ka propozuar Ministrisë së Financave skemën PPP në fushën e administrimit të TVSH-së, do të fillojë të marrë pjesën e vet të fitimit.

Sipas ofertës së pakërkuar që ka dorëzuar kompania Mpos, ndarja e rritjes së të ardhurave do të varet nga formula e shprehur në termat e referencës, pra nëse në vitin e parë rritja do të jetë 0-4% mbi 11%, atëherë partneri do të marrë maksimalisht 90% të shtesës. Nëse rritja do të jetë nga 4-6% (mbi 11%) do të marrë maksimalisht 65% dhe po arriti nga 7-10% (gjithnjë mbi 11%) partneri privat të marrë 45% të shtesës.

Zyrtarë të lartë të Ministrisë së Financave kanë deklaruar se kufiri 11% është vendosur pasi nga të dhënat historike ka rezultuar se vetë administrata nuk mund të rrisë të ardhurat më shumë se kjo vlerë. Në fakt, pas 2008-s, ritmi i rritjes së të ardhurave të TVSH-së ka qenë negativ. Por, zgjerimi prej 10% në 2014-n dhe gati 15% në 2015-n dëshmon se edhe me mjetet që administrata zotëron aktualisht mund të ketë një rritje dyshifrore, sidomos pas aksionit informalitet që ka disiplinuar përdorimin e faturave nga bizneset, duke sjellë rritje të deklarimit të xhiros dhe vendosjes së sistemit të ri të deklarimit online, një investim mbi 10 milionë euro, mundësuar nga një kredi nga qeveria austriake. Në afat të mesëm, rritja ekonomike e pritshme prej 4% dhe inflacioni i targetuar prej 3% mundësojnë një zgjerim organik të të ardhurave prej 7%, duke e “lehtësuar” punën për arritjen e targetit prej 11%.

Të ardhurat nga TVSH e brendshme arritën në 30 miliardë lekë, apo rreth 220 milionë euro në 2015-s, nga 26.3 miliardë lekë në 2014-n, sipas tabelave të Ministrisë së Financave. Nëse dhe në 2016-n, të ardhurat nga TVSH do të rriten të paktën 15% si në 2015-n, vetëm nga shtesa mbi 11%, kompania llogaritet të marrë rreth 1.1 miliardë lekë (gati 8 milionë euro).

Për janarin 2016, të ardhurat nga TVSH e brendshme bruto ishin gati 24% dhe të hyrat neto (duke hequr rimbursimet) ishin 13%, sërish mbi kufirin prej 11%, ku Ministria fillon e ndan të ardhurat.
Partneriteti
Ministria e Financave bëri publike në fund të janarit nismën e ndërmarrë prej saj për një Partneritet Publik-Privat, në fushën e administrimit tatimor. Institucioni që harton politikat fiskale të vendit tha se ka bërë një studim fizibiliteti shumë të detajuar, nga i cili kanë dalë edhe termat e referencës, që pritet të shpallen këto ditë. Do të shpallim tenderin e hapur ndërkombëtar brenda muajit shkurt, ku ftojmë të gjitha bizneset private, shqiptare apo të huaja, të marrin pjesë në këtë tender, kanë pohuar zyrtarë të financave. Ministria pranoi se ka marrë një propozim të pakërkuar nga kompania MPOS. Thelbi i propozimit është një platformë teknologjike, që zëvendëson dhe zgjeron sistemin aktual të deklarimeve fiskale, Nexus, me të cilin operohet prej disa vitesh në DPT dhe në të cilin kasat aktuale fiskale deklarojnë të dhënat ditore. /Revista Monitor/

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.063112020492554
array(1) { ["section"]=> string(70) "mbetet-pezull-koncesioni-tvsh-termat-shkojne-per-rishikim-te-fmn-35576" }