“Më iku halla, shtëpia por edhe lekët”, flet nipi i gruas të vetëvrarë me pistoletë. Si qëndron e vërteta për shtëpinë dhe pse nuk i shkoi në varrim

Publikuar tek: aktualitet, më 09:30 05-11-2015 “Më iku halla, shtëpia por edhe lekët”, flet nipi i gruas të vetëvrarë me pistoletë. Si qëndron e vërteta për shtëpinë dhe pse nuk i shkoi në varrim Nipi i Sabahete Pukes

Nipi i Sabahete Pukës të vetëvrarë më një plumb pistoletë tregon se si është e vërteta për shtëpinë duke hedhur poshtë dyshimet se e ka mashtruar hallën e tij për t’ja blerë këtë shtëpi. Në një intervistë për Panoramën, ai shpjegon se kredinë prej 2.8 milion lekësh eka marrë pasi ka pasur probleme shëndetësore e po ashtu është përballur me drejtësinë. Më poshtë është intervista dhe rrëfimi i tij i plotë.

Cila është e vërteta e marrëdhënies suaj me hallën, Sabahete Puka?

E vërteta është kjo: Unë kam pasur marrëdhënie të mira në vitin 2004me hallën time, kohë në të cilën njerëzit e tjerë të saj nuk e kanë përkrahur. Kam qenë përkrahësi i saj deri kur ndodhi konflikti me të për shtëpinë. Fillimisht shtëpinë halla ime ia ka shitur burrit të motrës së saj që quhet Enver Hoxhaj. Mes dy motrave lindën konflikte që unë nuk i di dhe shtëpinë Sabahetja e riktheu edhe njëherë në emrin e saj.

Isha unë ai që e ndihmova dhe që mbylla konfliktin mes tyre. Më pas mu propozua mua nga halla ime që t’ia bleja shtëpinë dhe unë pranova dhe e bleva me një çmim 2.8 milionë lekë. Shtëpia është blerë në praninë e noteres dhe janë kryer të gjitha procedurat e duhura. Kemi bërë aktin e shit­blerjes krejt normalisht dhe me vullnetin tonë.

A e keni mashtruar ju hallën tuaj për t’i marrë firmën pa dijeninë e saj?

E kam dëgjuar nga njerëzit se unë e paskam mashtruar Sabaheten dhe se ajo gjoja nuk ka ditur se është duke e shitur shtëpinë në një kohë që noterja nuk bën asnjë veprim pa pasur të gjithë dokumentet dhe pa pyetur atë që po shet shtëpinë. Kjo nuk është e vërtetë. Atë banesë e kam blerë 2.8 milionë lekë të reja dhe paratë ia kam dhënë asaj në dorë pasi e kam blerë. Madje edhe pse e kam blerë shtëpinë i ka thënë se deri sa të kesh jetë do të jetosh aty dhe nuk jam nisur për ta nxjerrë jashtë sepse ka qenë halla ime. Pse e keni marrë kredinë ju duke lënë si garanci këtë shtëpi?

Unë kam pasur probleme me drejtësinë e po ashtu me shëndetin. Kam bërë gjithsej burg rreth 8 muaj për armëmbajtje pa leje. Armën e kisha për vetëmbrojtje sepse kam pasur biznes dhe jam marrë kryesisht me tregtinë e frutave. Kjo histori është mbyllur dhe e kam kryer dënimin dhe jam liruar në vitin 2010. Kur jam dënuar, pak kohë më pas kam pasur probleme me shëndetin dhe si shkak i tensionit të lartë kam humbur edhe shikimin dhe tashmë prej më shumë se një viti jam tërësisht i verbër. Për shkak të këtyre problemeve jam detyruar që ta marr kredinë dhe nuk kisha zgjidhja tjetër vetëm të lija tapinë e shtëpisë që i kam blerë hallës time. Kredinë e kam marrë në vitin 2007. Që nga viti 2009 nuk e kam paguar më këstin për shkak të problemeve që pata dhe më pas në vitin 2014 banka e ka nxjerrë në ankand dhe është blerë nga një tjetër person.

Kur e keni shkëputur marrëdhënien dhe pse ka lindur konflikti me hallën tuaj?

(Faksimile e aktit të shitjes)

faksi.jpg

Problemet kanë nisur në vitin 2009 kur u burgosa për armën. Sabahetja ka çuar nusen time tek zyra e përmbarimit e kështu me radhë më ka paditur në gjykatë. Por unë kam fituar të gjitha gjyqet sepse dokumentacioni dhe gjithçka tjetër kanë qenë brenda të gjitha rregullave. Konflikti ka lindur sepse halla ime thjesht s’ka pasur dëshirë që shtëpia e saj të jetë garanci në një bankë. Ajo e dinte këtë se unë isha pronari, ndërsa të tjerët jo, sepse nuk doja të koritesha me të afërmit. Ajo ka menduar se po bën lojën e kungulleshkave, herë shite, herë merre, me mua në një kohë që s’kishte arsye sepse e kisha blerë dhe ajo pronë ishte e imja.

A ishit ju në varrimin e hallës tuaj?

Jo nuk kam qenë sepse kur më vdiq babai mua më përpara, as ajo nuk ka qenë. Edhe babai im ka pasur probleme me të por duke parë se çfarë ka folur në opinion për mua, nuk kam pasur arsye që të shkoj në varrimin e saj.

Jeni marrë ju me fajde, siç ka deklaruar policia?

Mua nuk më njeh kush në Shkodër as për fajdexhi siç është thënë dhe as për mashtrues. Që në fillim të viteve 1990 nuk kam pasur nevojë për kënd sepse financiarisht nuk kam qenë keq sepse kam pasur biznes dhe jam marrë me transport frutash me kamionin tim. Përkundrazi, unë kam ndihmuar shumë njerëz, si njerëzit e mi por edhe tjerë të njohur që kanë pasur nevojë dhe akoma sot ka persona që më kanë borxh por nuk kam shkuar për t’ia kërkuar sepse nuk jam i tillë.

Si është marrëdhënia me të afërmit e tjerë, xhaxhallarët dhe hallat e tjera?

Me xhaxhallarët dhe hallën kam pasur kontakte deri në momentin që ndodhi kjo ngjarje e rëndë, tani e mbrapa nuk kam. I kam prishur kontaktet sepse ata kanë pasur interes për shtëpinë e Sabahetes dhe kanë tentuar ta marrin atë. Dyshoj se xhaxhai im e ka krijuar këtë situatë dhe ka nxitur hallën kundër. Nëse do e donin, do të paguanin në bankë lekët dhe ta merrnin ata shtëpinë.

Si ndiheni sot?

Patjetër që më vjen keq për atë që ndodhi, por pendesë nuk kam për asgjë. Më vjen keq se më iku shtëpia, më ikën edhe lekët por që është më e rëndësishmja, jeta njerëzore, halla ime.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Zjarr te Laboratori Shkencor, Ministria: Ishte thjesht shkëndijë elektrike, s’janë dëmtuar provat
Vrau shqiptarin në shtetin grek, arrestohet në Vlorë 34 vjeçari »
Article Logic
Execution time: 0.013307094573975
array(1) { ["section"]=> string(149) "me-iku-halla-shtepia-por-edhe-leket-flet-nipi-i-gruas-te-vetevrare-me-pistolete-si-qendron-e-verteta-per-shtepine-dhe-pse-nuk-i-shkoi-ne-varrim-24703" }